E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me ministrin e Mbrojtjes së Hollandës H.G.J. Kamp. Në fillim të takimit, dy autoritetet janë shprehur për zhvillimin e marrëdhënieve dhe partnerit

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot me ministrin e Mbrojtjes së Hollandës H.G.J. Kamp.

Në fillim të takimit, dy autoritetet janë shprehur për zhvillimin e marrëdhënieve dhe partneritetit në funksion të përafrimit të Shqipërisë me NATO-n.

Kryeministri Nano ka vlerësuar rolin e Hollandës në asitencën dhe mbështetjen në kuadër të operacioneve europiane në Kosovë, Bosnje për stabilitet dhe paqe në rajon, si dhe për zhvillimin e Shqipërisë në procesin e dinamizimit të reformave për të arritur standartet e anëtarësimit të plotë në strukturat euroatlantike në vitet që pasojnë.

Ministri i Mbrojtjes së Hollandës është shprehur se meqenëse Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO, ne po e njohim më mirë atë dhe vlerësojmë zhvillimet në vend dhe rolin e saj në rajon. "Shqipëria nuk është një prodhuese e problemeve, por një prodhuese e sigurisë dhe stabilitetit. Ju luani një rol të rëndësishëm në rajon dhe Shqipëria është pjesë e zgjidhjeve. Roli juaj në Bosnje, në Afganistan dhe në Irak është shumë pozitiv dhe jam shumë i lumtur që ju do të vazhdoni misionin tuaj edhe në Bosnjë, e cila tashmë është një mision i BE-së", tha z.Kamp.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se vizita e fundit e Sekretarit të Përgjithsëhm të NATO-s, z.Shefer motivoi Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit në procesin e reformave integruese. "Ne jemi krenar që Shqipëria nuk është më konsumues i sigurisë, por jep kontributin e saj për stabilitetin rajonal dhe global në zonat kritike, ku ne mbështesim demokracinë dhe stabilitetin", u shpreh zoti Nano.

Duke nënvizuar kontributin e Shqipërisë në operacionet paqeruajtëse në Bosnje, Afganistan dhe që prej 18 muajsh edhe në Irak, z.Nano tha se "ne kemi mësuar të ndajmë të njëtat vlera me institucionet e tjera demokratike që janë të angazhuara për të prodhuar standarte të përshtatshme për jetën e qytetarëve dhe jo vetëm për shkak të kushteve për tu bërë anëtarë me të drejta të plota në BE dhe NATO".

Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin opinion se në parneritet me njëri tjetrin Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol moderator dhe konstruktiv në rajon. "Të gjithë shqiptarët, - tha z.Nano, - ndajnë të njëjtat vlera dhe ndërtojnë bashkëjetesën me komunitetet të tjera në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi".

Z.Nano dhe z.Kamp kanë diskutuar edhe mbi takimin e pak ditëve më parë të disa nga kryeministrave të vendeve të rajonit në Tiranë, ku u ritheksua angazhimi i përbashkët në një axhendë diskutimesh politike dhe dialog rajonal edhe me liderë europianë për të bërë të mundur që rajoni të vazhdojë të ecë drejt procesit të përafrimit në BE dhe NATO.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›