Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim delegacionin e Parlamentit të Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga zoti Yang Guo Liang, zëvendëskryetar i Komisionit për P
Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim delegacionin e Parlamentit të Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga zoti Yang Guo Liang, zëvendëskryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Asamblesë Kombëtare Popullore të R P të Kinës.
Zëvendëskryeministri Namik Dokle vlerësoi vizitën e delegacionit të Parlamentit të RP të Kinës si shprehje të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy popujve, dy shteteve dhe dy parlamenteve tona. Ai shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat.
Me tej zoti Dokle u shpreh se politika e Jashtme e Shqipërisë është politikë e paqes, fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit në Rajon. Për ne, u shpreh ai, rruga e zgjidhjes së problemeve është rruga e bisedimeve dhe negociatave. Kjo është rruga që kemi ndjekur dhe ndjekim në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, duke u bërë faktor për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Ne, theksoi zoti Dokle, njohim vetëm një Kinë, Taivani është tokë kineze, e banuar nga popullsi kineze dhe i takon Kinës.
Zoti Yang Guo Liang, nga ana e tij, falenderoi zëvendëskryeministrin Dokle për mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për çështjen e tërësisë territoriale të Kinës. Ai vlerësoi politikën e jashtme të Shqipërisë, e cila edhe pse vend i vogël, me politikën e saj të paqes, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në rajon, ka kontribuar pozitivisht. Ai shprehu vullnetin e palës kineze për zgjerimin e mëtejshëm edhe të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.
Palët këmbyen mendime dhe shprehën qëndrime të njëjta për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare, në mbështetje të paqes, të lirisë dhe të integrimit.