Kryeministri Fatos Nano është takuar sot pasdite në Bruksel me Presidentin e Komisionit Europian, Romano Prodi. Pas takimit Z. Nano dhe Z. Prodi dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot pasdite në Bruksel me Presidentin e Komisionit Europian, Romano Prodi. Pas takimit Z. Nano dhe Z. Prodi dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Deklarata e Presidentit të Komisionit Europian Romano Prodi:
"Ishte një takim shumë miqësor dhe produktiv në këtë fazë në të cilën Shqipëria dhe Komisioni Europian janë duke punuar sëbashku për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ne po punojmë sëbashku me qëllim që të kemi rezultatet që të gjithë dëshirojmë, për të pasur institucione demokratike, që i përgjigjen standarteve të BE-së dhe një sistem ekonomik që funksionon si duhet. Këto janë disa nga çështjet të cilat ne i analizuam në të gjitha aspektet e tyre. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të bëjë progres, sepse sikurse e dini strategjia jonë hap pas hapi do të bëjë që të gjithë ata të jenë një ditë anëtarë të BE-së. Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me qëllim që të transformojmë institucionet në drejtimin e duhur".
Deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano:
"Falënderoj Presidentin Prodi që më ofroi këtë mundësi të rëndësishme për të shkëmbyer informacion dhe për të aktivizuar dialogun politik në një nivel më të lartë, në të mirë të dinamizimit të procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit midis Shqipërisë dhe BE, si dhe në të mirë të një situate më të qëndrueshme edhe në rajonin ku bën pjesë Shqipëria, e cila vazhdon të prodhojë politika moderatore dhe konstruktive në të mirë të rajonit, që është duke trokitur në dyert europiane.
Ne kemi ndarë të njëjtin mendim për nevojën e përcaktimit të prioriteteve për veprimet qeverisëse në Shqipëri, duke u fokusuar mbi çështje sensitive, që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, përmirësimin e menaxhimit të kufijve dhe garantimin e një sigurie më të madhe për lëvizjen e lirë të njerëzve në drejtim të vendeve anëtare të BE-së.
Ne ndamë të njëjtin opinion lidhur me domosdoshmërinë për të zhvilluar dhe prodhuar një performancë më të mirë të institucioneve gjyqësore në Shqipëri, të cilat duhet të prodhojnë cilësi më të mirë dhe të garantojnë standartet e lirisë dhe të drejtave të njeriut për qytetarët shqiptarë në vend.
Gjithashtu shprehëm të njëjtën pikëpamje për nevojën e dinamizimit të procesit të trajnimit dhe të asistencës për të ndërtuar një performancë më të mirë administrative dhe kapacitete institucionale në vend, që do t'i përgjigjen më mirë programeve të zhvillimit dhe financimeve që janë ofruar nga BE, në kuadër të programit CARD-s, për të përthithur me një ritëm më të lartë efektet e këtij bashkëpunimi dhe partneriteti, që po arrin në një stad më kualitativ, të interesave shumëpalëshe për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Unë dua të falenderoj Presidentin Prodi dhe stafet respektive të Komisionit Europian, të cilët po tregojnë gjithnjë e më shumë angazhim për të garantuar që progresi drejt standarteve europiane në Shqipëri është asimiluar dhe kuptuar mjaft mirë nga Qeveria Shqiptare dhe nga aktorë të tjerë qeveritarë dhe joqeveritarë, që janë të interesuar për afrimin me realitetin e BE-së".
Pyetje lidhur me datën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE-në.
Z. PRODI: Ne nuk po punojmë thjesht për të pasur një datë, ne po punojmë për të performuar. Shpresojmë sa më shpejt, se nuk është në interesin tonë të krijojmë vonesa artificiale.
Z. NANO: Kjo do të ishte interaktive duke thënë se: shpejtesia është përgjegjësia ime, sesa do të jetë e mundur është në duart e Komisionit.
Pyetje:Çfarë i keni kërkuar sot Kryeministrit Nano lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe trafiqeve?
Z. PRODI: Nënvizova domosdoshmërinë e angazhimit tonë në këtë drejtim. Për t'ju përgjigjur në mënyrë sa më të sinqertë, ky është problemi më i rëndësishëm. Kështu biseduam që të ketë një organizim dhe kontroll sa më të rreptë të sistemit financiar, të taksave, doganave dhe policisë, për sa i përket punës së tyre, zbatimit të ligjit dhe sjelljes ndaj qytetarëve. Dhe angazhimi i përbashkët ishte të punonim shumë në këtë drejtim.
Pyetje lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë.
Z. PRODI: E kemi shtruar këtë çështje dhe e diskutuam. Nuk mund të jap një përgjigje pasi vendimi u takon të gjithë vendeve anëtare dhe është e qartë që është një ndër pikat kryesore të punës dhe analizave të përbashkëta mes Shqipërisë dhe BE-së.
Pyetje lidhur me përgjegjësitë për tragjedinë e fundit të ndodhur në Shqipëri.
Kryeministri NANO: Përgjegjësitë e qeverive respektive nuk mund t'u shiten të tjerëve. Ne jemi të ndërgjegjshëm për vulnerabilititetin e sistemit tonë të kufijve dhe të tregut. Që prej 18 muajsh po luftojmë që trafikantë të ndryshëm të mos kenë më mundësi të trafikojnë qenie njerëzore dhe të viktimizojnë njerëz të pafajshëm. Fakti është që prej 18 muajsh ekzekutivë ,- e çertifikuar kjo edhe nga pala italiane- numri i klandestinëve që më parë kalonin Adriatikun është nulizuar. Ne kemi gjetur një situatë të një tregu informal, mbështetur edhe në vulnerabilitetin e sistemeve administrative, që ndoshta po çonte në një paraindustri të trafikut të qenieve njerëzore dhe të drogës. Tani jemi më mirë të orientuar mbi rëndësinë e një aksioni ndërinstitucional, që do të çrrënjosë elementë të ndryshëm që do tentojnë ta kthejnë trafikun në Shqipëri në një industri tregu.
Pika e dytë, është impenjimi ynë për të luftuar shkaqet e këtij vulnerabiliteti të komuniteteve sociale specifike për të mos u kthyer në viktima apo të trafikuar të këtyre keqbërësve. Programet e zhvillimit dhe integrimit ekonomik, që po zhvillojmë, do t'i japin fund këtij polarizimi të shoqërisë. Tashmë kemi një optikë dhe një aksion qeverisës të programuar më mirë për t'i dhënë fund situatave që prodhojnë incidente tragjike të këtij lloji.
Z. PRODI: Doja të sqaroja pyetjen për përgjegjësinë e institucioneve europiane duke thënë se hapja shoqërohet nga politika vizash fluide dhe vjen si pasojë e reformave dhe nuk mund t'u paraprijë atyre, sepse opinioni publik i vendeve europiane kërkon që të ketë disipline në këtë drejtim dhe si rrjedhojë do të ketë një politikë vizash edhe më të hapur dhe shumë më liberale. Dhe ne duam që të arrijmë këtë. Dhe pikërisht për këtë kemi punuar sot me Kryeministrin shqiptar, që kjo të bëhet e mundur një ditë.