E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite në Bruksel edhe me Presidentin e Parlamentit Europian, Z.Patrick Cox. Dy personalitet kanë vlerësuar progresin që ka shënuar Shqipëria gjatë vitit

Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite në Bruksel edhe me Presidentin e Parlamentit Europian, Z.Patrick Cox.

Dy personalitet kanë vlerësuar progresin që ka shënuar Shqipëria gjatë vitit që kaloi në realizimin e reformave për çështje të rëndësishme si forcimi i autoritetit të ligjit, forcimi i kapaciteteve të administratës, përmirësimi i veprimtarisë së policisë së shtetit dhe të gjyqësorit, masat e marra në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme, që ka çuar në forcimin e mëtejshëm të sigurisë së kufijve, në kufizimin e informalizimit në treg, në financa etj.

"Ne synojmë që të intensifikojmë ritme më të përshpejtuara të konsolidimit të shtetit të së drejtës, proçesit integrues dhe realizimit të aspiratës së shqiptarëve për të qenë qytetarë të denjë të Europës së Bashkuar", u shpreh Kryeministri Fatos Nano gjatë këtij takimi.

Z.Nano tha se lufta kundër korrupsionit mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare dhe për këtë janë hartuar e po zbatohen programe reformash të shpejta për të luftuar abuzimet dhe korrupsionin administrativ.

Kryeministri Nano e njohu zotin Cox me një paketë reformash e quajtur "Paketa Shengen" që po përgatit Shqipëria për të arritur standartet në zyrat e gjendjes civile, në dokumentacionin e popullsisë, që të jenë në përputhje me standartet europiane. Kryeministri i kërkoi Z.Cox të ushtrojë influencën e vet, si dhe të institucionit që ai përfaqëson, për liberalizimin e dhënies së vizave.

Nga ana e tij z. Cox ka vlerësuar vizitën e fundit që ka bërë në Shqipëri dhe hapat e hedhura deri tani duke shprehur bindjen që në të ardhmen Shqipëria do të arrijë nivelet e kërkuara drejt intefrimit europian.

"Shqipëria është palë në konventat europiane që garantojnë ndëshkimin ligjor të korrupsionit dhe ne po punojmë për të plotësuar e adaptuar sa më shpejt legjislacionin tonë me to", u shpreh Kryeministri Nano.

Më tej, ai ka vlerësuar se hapja e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Associimit me BE përbën një moment me rëndësi për vendin. Ajo çeli rrugën për integrimin në strukturat europiane si dhe shërbeu si një motiv nxitës për të realizuar me ritme më të larta reformat transformuese. "Proçesin e anëtarësimit në BE, nuk e përfytyrojmë si një akt të vetëm, por si proçes që shoqërohet nga një axhendë e ngjeshur reformash që do të nxiten, monitorohen e realizohen nga një sistem kompleks institucionesh", u shpreh Z.Nano.

"Qeveria së bashku me të gjitha strukturat e saj ka programuar proçesin e ardhshëm të reformave për integrim, duke synuar që të evidentohet progresi i vendit në transformim dhe në përafrim me normativat europiane në funksionimin e administratës, të ekonomisë dhe të institucioneve e shtetit ligjor në tërësi", tha Kryeministri Nano, i cili riafirmoi vullnetin e Koalicionit për Integrim dhe Qeverisë shqiptare për të mbyllur me sukses proçesin e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Në vijim të bisedës, Z.Nano vlerësoi rolin e Parlamentit Europian në mbështetje të reformave dhe ecurisë së proçeseve demokratike në Shqipëri. Këtu, Kryeministri përmendi masat e marra nga Parlamenti shqiptar dhe strukturat e legjislativit për të luftuar ashpërsisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe gjithë llojet e trafiqeve.

Kryeministri shprehu dëshirën që Parlamenti Europian të kalojë sa më parë paketën prej 25 milion Euro që Komisioni ka miratuar për Shqipërinë lidhur me bilancin e pagesave.

Në mbyllje të bisedës. Z.Nano shprehu urimet më të mira si dhe dëshirën e palës shqiptare që Z.Cox të rizgjidhet në postin që mban, gjatë zgjedhjeve të Qershorit të këtij viti.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›