E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano takon Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit dhe Përfaqësues i lartë i Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurisë, Z.Javier Solana Kryeministri Fatos Nan

Kryeministri Fatos Nano takon Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit dhe Përfaqësues i lartë i Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurisë, Z.Javier Solana

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot pasdite në Bruksel një tjetër takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit dhe Përfaqësues i lartë i Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurisë, Z.Javier Solana.

Në fillim të takimit, Z.Nano ka vlerësuar kontributin e Z.Solana në zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe BE-së.

Biseda midis dy personaliteteve është përqendruar në çështjen e Kosovës dhe zhvillimet në rajon. Kryeministri Nano ka vlerësuar situatën aktuale dhe ecurinë pozitive të proçeseve demokratizuese në Kosovë, e shoqëruar kjo me forcimin e institucioneve vetëqeverisëse kosovare. Z. Nano ka vlerësuar edhe politikën e ndjekur nga Kryeadministratori i OKB-së për Kosovën Hari Holker.

"Qeveria Shqiptare përshëndet hapat për monitorimin e plotësimit të standarteve nga institucionet dhe faktorët politikë në Kosovë nëpërmjet realizimit të 8 pikave të miratuara nga BE-ja. Shpreh bindjen se ato do të përmbushen deri në mesin e vitit 2005, për të vendosur rreth çështjes së statusit", tha Z.Nano, i cili shprehu idenë e hartimit të një plani konkret, një "road map" për zbatimin e tyre.

Z.Nano ka përshëndetur, gjithashtu, vendimin e UNMIK-ut për kalimin e 44 kompetencave institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës dhe projekti për decentralizimin e pushtetit vendor në Kosovë. Në këtë kuadër, Z.Nano shprehu mendimin se zbatimi i këtij plani duhet t'i përmbahet vizionit për një Kosovë unike dhe multietnike, kundër dezintegrimit dhe enklavizimit.

"Shqipëria, - tha Z. Nano, - mbështet rolin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë si dhe pjesëmarrjen më të madhe të institucioneve kosovare në proçeset e vendimmarrjes dhe të bashkërendimit të politikave". Kryeministri shqiptar ka shprehur angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për të kontribuar në rritjen e frymës së bashkëpunimit midis faktorëve politikë kosovarë, duke shprehur bindjen se e ardhmja europiane e Kosovës, nënkupton një Kosovë unike, shumëetnike dhe demokratike, të përcaktuar sipas vullnetit të shprehur lirisht prej kosovarëve.

Nga ana e tij zoti Solana ka vlerësuar dhe ka mbështetur rolin dhe iniciativat e ndërrmarra nga Kryeministri Nano dhe Qeveria Shqiptare për të nxitur stabilitetin, paqen dhe bashkëjetesën në rajonin e Ballkanit.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Z.Nano ka theksuar se marrëdhëniet me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal përbëjnë një nga akset themelore të politikës së jashtme të Shqipërisë.

"Me aktivitetin, qëndrimet dhe politikën e saj, Shqipëria është bërë jo vetëm nxitëse dhe mbështetëse, por edhe prodhuese e stabilitetit rajonal", u shpreh Kryeministri Nano.

Z.Nano është ndalur edhe në takimin tripalësh të datës 16 janar të këtij viti, që u zhvillua në Podgoricë, midis Kryeministrave të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sipas Z.Nano, takime të tilla stimulojnë fqinjësi të mirë, bashkëpunim dhe partneritet.

Lidhur me zhvillimet në rajon, Kryeministri Nano ka theksuar se Qeveria Shqiptare i ndjek me vëmendje zhvillimet e ndryshme në rajonin tonë, si dhe proçeset pas zgjedhjeve të fundit në Serbi.

"Si fqinjë të saj ne dëshirojmë progresin demokratik, orientimin drejt proçeseve integruese euro-atlantike", tha Z.Nano.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›