Kryeministri Fatos Nano është takuar sot pasdite në Podgoricë të Malit të Zi me Kryeministrin e Maqedonisë Branko Cervenkovski. Dy Kryeministrat kanë vlërësuar nivelin e mirë të marrë
Kryeministri Fatos Nano është takuar sot pasdite në Podgoricë të Malit të Zi me Kryeministrin e Maqedonisë Branko Cervenkovski.
Dy Kryeministrat kanë vlërësuar nivelin e mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe vullnetin e qeverive që ata përfaqësojnë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat në të ardhmen.
"Interesat e vendeve tona, proceset në rajon, objektivat e integrimeve, na shtyjnë të zgjerojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin, takimet e vizitat zyrtare të nivelit të lartë", është shprehur Kryeministri Nano.
Z. Nano ka vënë theksin në forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën ekonomike, të transportit, energjitikës, gjithashtu dhe në atë të rendit, mbrojtjes, arsimit e kulturës.
Objektivat e përbashkëta të anëtarësimit në BE dhe NATO, - ka nënvizuar Kryeministri shqiptar, - e bëjnë të domosdoshme shkëmbimin e përvojës dhe bashkërendimin e politikave të të dy vendeve për integrimin në strukturat euro-atlantike. Z. Nano ka theksuar se qeveria shqiptare është e gatshme për të bashkëpunuar më ngushtë, me nisma e projekte konkrete, në kuadër të përpjekjeve për integrimin në BE.
Duke u ndaluar në zhvillimet në Maqedoni, Z. Nano ka theksuar se Shqipëria është angazhuar dhe ka realizuar një bashkëpunim konstruktiv me faktorin shqiptar në Maqedoni, prania e të cilit është një element shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. "Shqiptarët në Maqedoni, ne i shohim si element stabiliteti, bashkëpunimi dhe kohëzioni të brendshëm", është shprehur Z. Nano. Duke shtuar se është i domosdoshëm zbatimi i tërësishëm dhe në afatet e përcaktuara i Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk duhet parë vetëm si paketë masash e nismash ligjore, por si një pakt politik me rëndësi të veçantë për garantimin e një klime mirëkuptimi të qëndrueshëm ndëretnik dhe kompaktësimin e standarteve demokratike të shoqërisë maqedonase.
Më tej, dy Kryeministrat janë ndalur në bashkëpunimin rajonal, duke shprehur vullnetin e përbashkët për intesifikimin e këtyre marrëdhënieve dhe nismave rajonale në të ardhmen.
Z. Cervenkovski ka vlerësuar rolin e Kryeministrit Nano dhe Qeverisë Shqiptare në nxitjen e inisiativave rajonale, që përcjellin frymën e stabilitetit e paqës në rajonin e Ballkanit e më gjërë. Dy Kryeministrat kanë dakort për një takim zyrtar midis tyre brenda dy muajve të ardhshëm, i cili do të konkretizojë nismat dhe projektet me interes të përbashkët dypalësh dhe në kuadër rajonal.