Po sot pasdite, Kryeministri Fatos Nano është takuar në Podgoricë me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Dy personalitetet kanë vlerësuar pozitivisht nivelin gjithnjë në rritje t
Po sot pasdite, Kryeministri Fatos Nano është takuar në Podgoricë me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Dy personalitetet kanë vlerësuar pozitivisht nivelin gjithnjë në rritje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, i materializuar në takimet dhe vizitat politike mes dy vendeve, në hapat juridikë për konkretizimin e bashkëpunimit dhe në një sistem kontaktesh e projektesh sektoriale që po përpunohen. Ata kanë shprehur kënaqësinë për kontaktet e ndërmarra nga të dyja palët në nivele ekspertësh të fushave të ndryshme, duke shprehur vullnetin e të dy vendeve për të nxitur vazhdimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Kryeministri Nano ka theksuar gjallërimin e shkëmbimeve ndërmjet zonave ndërkufitare dhe forcimin e klimës së besimit midis komuniteteve në të dyja anët e kufirit dhe forcimin e imazhit pozitiv të dy vendeve në rajon dhe më gjërë, e cila është në të mirë edhe të integrimit europian të tyre.
Z. Nano ka vlerësuar, gjithashtu, rolin që kanë popullsia shqiptare në Mal të Zi dhe pakica malazeze në Shqipëri në klimën e përgjithshme të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ai ka nënvizuar rolin konstruktiv që luan në përparimin e përgjithshëm të Malit të Zi popullsia shqiptare atje, duke shprehur vullnetin e Qeverisë Shqiptare që kjo popullsi të integrohet gjithnjë e më plotë në shoqërinë malazeze dhe në administratën e vendit të të gjitha niveleve.
Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Kryeministri Nano ka shprehur besimin se Qeveria malazeze do të mbështesë planin euro-amerikan për të ardhmen e Kosovës. Ndërsa lidhur me zhvillimet në Serbi, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit atje, Z. Nano ka theksur se këto zhvillime janë të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të vendeve të rajonit.