Kryeministri Fatos Nano shprehu sot, ngushëllimet pranë Ambasadës së Maqedonisë në Tiranë, për humbjen tragjike të jetës së Presidentit maqedonas Boris Trajkovski. Kryeministri Nano, në
Kryeministri Fatos Nano shprehu sot, ngushëllimet pranë Ambasadës së Maqedonisë në Tiranë, për humbjen tragjike të jetës së Presidentit maqedonas Boris Trajkovski.
Kryeministri Nano, në librin e homazheve shkroi një mesazh ngushëllimi në kujtim të Presidentit Trajkovski. Në këtë mesazh Kryeministri Nano shprehet:
"Humbëm Borisin e madh, një President europeist të një vendi fqinj dhe mik si Maqedonia, ku jetojnë në paqe dhe solidaritet për integrim maqedonas dhe shqiptarë. Z. Trajkovski ishte një President i të gjithëve, një personalitet për rajonin, një partner i pazëvendësueshëm për të gjithë udhëheqësit e tjerë. Për mua një mik dhe njeri i afërt dhe i paharruar".
Më pas Z. Nano u shpreh për mediat se "lashë me shkrim ndjenjat e mia të keqardhjes së thellë për këtë humbje tragjike të Presidentit Trajkovski, një personalitet europian, një personalitet i paqes dhe stabilitetit të Maqedonisë fqinje, ku jetojnë shqiptarë dhe maqedonas në harmoni për integrim, një partner i pazëvendësueshëm dhe për udhëheqësit e tjerë të rajonit, një mik dhe bashkëpunëtor i sigurtë dhe i qartë edhe i autoriteteve të Shqipërisë në procesin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh në rajon, në procesin e integrimit europian të vendeve tona.
Shpresoj se kjo klimë serioziteti dhe solidariteti mbretëron edhe në Shkup, siç më njoftoi zonja Ambasadore dhe Kryeministri Cervenkovski në bisedën e djeshme, të vazhdojmë të sigurtë të forcojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe partneritetit për integrim, që do t'i shërbejë të gjithëve".