E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me Kryeministrin e Turqisë Tayyip Erdogan. Dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis dy vendeve, e konsoliduar e

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi një takim me Kryeministrin e Turqisë Tayyip Erdogan.

Dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis dy vendeve, e konsoliduar edhe në dinamikën e kontakteve e rregullta politike të nivelit të lartë.

Zoti Erdogan u shpreh se Turqia dhe ai personalisht po ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, që në konsideratën e tyre jane shumë optimiste drejt progresit, duke theksuar me kete rast mbeshtetjen e plote per kryeministrin Nano dhe qeverine e shqiperise ne kete drejtim. "Turqia do të mbështesë fuqimisht hapat e Shqipërisë drejt integrimit të saj në NATO. Mesazhet pozitive që janë dhënë për Shqipërinë në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë na motivojnë që të punojmë sëbashku për progresin e mëtejshëm në këtë drejtim", tha zoti Erdogan. Ai garantoi se edhe parlamenti turk do të nderrmare hapat per miratimin e një rezolutë, të ngjajshme me rezolutën e Kongresit amerikan, për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO.

Kryeministri Nano, duke u ndalur në këtë çështje, theksoi se Shqipëria bashkë me Maqedoninë dhe Kroacinë po punojnë që të jene së shpejti anëtarë me të drejta të plota të Aleancës së Atlantikut, duke nënvizuar se mbështetja e Turqisë në samitin e Stambollit është e rëndësishme për të tre vendet.

Bashkëbiseduesit vlerësuan, në këtë drejtim, tepër të suksesshëm bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ku Turqia mbetet një nga donatorët kryesorë për modernizimin e ushtrisë shqiptare me rreth 30 milion USD. Në këtë kuadër, dy homologët e çmuan të shkëlqyer bashkëpunimin midis njësive ushtarake shqiptare dhe turke në kuadër të forcës ndërkombëtare ISAF në Afganistan.

Kryeministri turk vlerësoi gjithashtu rolin moderator të Qeverisë Shqiptare si faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe paqeje në rajon.

Po ashtu, gjatë takimit u vlerësua niveli i bashkëpunimit në fushën e rendit dhe angazhimi i qeverive respektive për forcimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Në këtë aspekt, zoti Nano vuri në dukje kontributin e Turqisë për përgatitjen profesionale dhe asistencën teknike për forcat e ndërhyrjes së shpejtë, si dhe për shkollimin çdo vit pranë Akademisë së Policisë në Ankara të studentëve shqiptarë. "Atashimi kohët e fundit pranë ministrive të brendshme të të dy vendeve i oficerëve ndërlidhës është tregues i shkallës së ngushtë të bashkëpunimit dhe nevojës për koordinimin e veprimeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale", tha zoti Nano.

Duke u ndalur në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, bashkëbiseduesit nënvizuan të rëndësishme nënshrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në kuadër të angazhimeve që të dy vendet kanë marrë në procesin e integrimit në BE. Kryeministri Nano shprehu gadishmërinë e qeverisë shqiptare për të mirëpritur investimet turke në Shqipëri. "Stabiliteti politik dhe hapesirat ligjore te legjislacionit shqiptar krijojnë të gjitha kushtet e nevojshme për thithjen e kapitalit të madh turk në vendin tonë", tha zoti Nano, duke vlerësuar në këtë drejtim investimet e kompanive serioze turke në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare si në industrinë minerare, të çelikut, riparimit të anijeve dhe në sektorin bankar.

Një tjetër pikë e diskutuar mes dy Kryeministrave ishte qarkullimi i lirë i qytetarëve. Duke vlerësuar mënyrën aktuale të rregullimit të qarkullimit të qytetarëve ndërmjet dy vendeve, zoti Nano kërkoi mbështetjen e qeverisë turke që ky model të shtrihet edhe më tej në rajon e më gjërë. Për këtë, theksoi zoti Nano, Qeveria Shqiptare është e pëkrushtuar dhe ka marrë të gjitha masat e duhura për realizmin e një pakete që mund të cilësohet Shengeni ballkanik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›