Shoqe dhe shokë, Të nderuar pjesëmarrës, Kam kënaqësinë të jem sot, mes këtij forumi përfaqësues militantësh politikë dhe qeverisës, profesionistësh të reformave dhe progresit të
Shoqe dhe shokë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kam kënaqësinë të jem sot, mes këtij forumi përfaqësues militantësh politikë dhe qeverisës, profesionistësh të reformave dhe progresit të Partisë Socialiste.
Ne jemi në këtë proces kontaktesh politike me të gjithë përfaqësuesit në shkallë vendi. Forume të tilla po na fusin natyrshëm në një fazë të rëndësishme të analizës, të votëbesimit dhe zgjedhjes së forumeve drejtuese të partisë në të gjithë vendin.
Këtë herë ky nuk është formaliteti apo rituali i rradhës, por është një mundësi reale e programuar me detaje nga KPD për të riorganizuar strukturat dhe aksionin tonë politik, për të mobilizuar trupat tona përfaqësuese, në funksion të përballimit më të mirë të sfidave dhe të reformave për zhvillimin dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Natyrisht, jemi sërish përballë të njëjtës opozitë që sërish rishfaqet destruktive.
Ka ardhur koha të kuptojmë njëlloj të gjithë se socialistët nuk janë përfituesit e parë të pushtetit, por janë ushtruesit me më shumë përgjegjësi se kushdo tjetër të mandatit që shumica e zgjedhësve shqiptarë na ka dhënë, për të zbatuar programe reformash standarte, që na afrojnë me BE, programe zhvillimi dhe mbështetjeje sociale që procesin e përafrimit dhe integrimit të Shqipërisë me BE e bëjnë të rrjedhë natyrshëm dhe jo me gulçe.
Kënaqësia ime që ndodhem midis jush sot, lidhet me faktin se ju jeni shumë konkurues dhe fitues. Ju e konfirmuat në fitoren e zgjedhjeve vendore të tetorit, që me gjithë shkopinjtë dhe gurët nëpër këmbë, na mbajnë qetësisht jo vetëm në drejtim për programe zhvillimi të metropolit kryeqytetas, por edhe na aktivizojnë akoma më shumë për të përshpejtuar ritmet e transformimeve dhe për të shtuar rezultatin.
Po kaq rëndësi ka edhe angazhimi i të gjithë anëtarëve të forumeve tona, jo vetëm këtu,- që në punët e përditshme na bëjnë pjesë të detyrës dhe të rezultatit që kërkohet- kontaktin dhe bashkëbisedimin e përditshëm me njerëzit për t'i tërhequr në reforma, duke u shpeguar thelbin e tyre, kostot dhe përfitimet që priten dhe rrugët se si përballohen apo realizohen kostot dhe përfitimet. Për të administruar sëbashku me njërëzit problemet dhe nevojat jetike apo të shfrytëzimit të hapësirave më të mëdha të lirisë që janë krijuar, probleme me të cilat ata ndeshen në punë, në sipërmarrje, në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, në shfrytëzimin e shërbimeve publike që po modernizohen dhe po u afrohen komuniteteve.
E nisa kështu dhe vura këtë theks përballë zërave që vazhdojnë të dëgjohen edhe nga anëtarë të ndryshëm të Partisë që shprehen;Ç'bëjnë këta ministrat dhe deputetët?Ç'bën ky Nano? Pse nuk dalin në ekrane dhe gazeta të sqarojnë njerëzit? Ka ardhur koha t'i themi "Ndal" (apo "Mjaft" po të doni) praktikave të komunikimit vetëm vertikal, vetëm dixhital apo vetëm mediatik me njerëzit.
Unë jam i bindur se askush prej jush, askush prej anëtarëve të Partisë Socialiste (nuk jam këtu për t'i numëruar sot) apo votuesve dhe simpatizantëve tanë, nuk është i vetmuar. Për këtë arsye nuk është i paaftë të përballojë këtë bashkëbisedim me qytetarët apo fshatarët në mbarë vendin. Prandaj unë e vlerësoj programin kapilar, që ka hartuar kryesia e PS së kryeqytetit dhe që e keni përpara sot, për punën dhe veprimtarinë politike, horizontale dhe kapilare tuajën pranë njerëzve në funksion të mirëqeverisjes sonë si socialistë dhe progresistë.
Qeverisja e mirë është standart europian. Ju keni treguar që dini ta bëni. Tani nuk duhet të ngelet njeri jashtë informacionit dhe hapësirës për qeverisjen e mirë, që ju dhe ne, kemi krijuar edhe këtu në kryeqytet edhe në mbarë vendin.
Dua t'ju siguroj se nuk është fjali e fjalimit të rradhës kjo që po them, por është një detyrë që duhet ta realizoni, pasi e keni programuar, sepse jeni misionarë pararojë politikë të reformave të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik të gjithë vendit.
Përballë Partisë Socialiste dhe programeve të saj për zhvillim, modernizim dhe integrim të Shqipërisë në Evropën moderne, të gjithë anëtarët dhe përfaqësuesit janë të barabartë edhe në përgjegjësi edhe në të drejta. Në këtë kontekst duhet të kuptojmë përfundimisht se Opozita nuk e ka thjesht me Nanon. Opozita e Berishës kërkon të ikin socialistët dhe progresistët nga pushteti, meqenëse vetë nuk vijnë dot në qeverisje me zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat, siç e dini, që nga viti '92 i kanë humbur sistematikisht.
Prandaj, unë jam këtu t'ju kujtoj dhe t'ju nxis,- dhe solidarizohem me aksionin tuaj për të mbrojtur mandatin tuaj qeverisës- për të mbrojtur dhe përshpejtuar reformat, që po afrojnë çdo ditë vendin me standartet e Bashkimit Evropian, për të nxitur bashkë me reformat sipërmarrjen politike dhe ekonomike, shoqërore dhe urbane, sipërmarrjen e shtrirjes së zhvillimit nga qendra drejt periferive në kryeqytet dhe në mbarë vendin, sipërmarrjen vendase dhe të huaj, të cilat të gjitha sëbashku po strukturojnë dhe po përgatisin lëvizjen e lirë të shtetasve kryeqytetas dhe shqiptarë në botën moderne.
Ne nuk do të lejojmë që falimentimi politik i Berishës edhe si opozitar të kërcënojë progresin e jashtëzakonshëm që vendi ka kryer në këto shtatë vjet të qeverisjes sonë të përgjegjshme apo aq më pak të kërcënojë të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.
Unë e di që reformat kanë edhe kosto. Prandaj them qetësisht se varfëria e shqiptarëve nuk është një zbulim dhe aq më pak kjo varfëri është krijuar gjatë qeverisjes apo për shkak të reformave të socialistëve. Ky fenomen i trashëguar nga regjimi komunist, por dhe ai postkomunist e piramidal i Berishës,- pra varfëria është qartësisht e fotografuar dhe bllokuar nga qeveria dhe po vjen duke u reduktuar falë programeve të sakta të punësimit, të ndërtimit të infrastrukturës dhe integrimit të pasurive në tregun kombëtar, të shkëmbimeve të lira në rajon, për shkak të financimeve të posaçme të bashkëpunimit nga buxheti i shtetit dhe nga planet me të cilat Qeveria e Shqipërisë bashkëpunon, merr kapitale, merr borxhe dhe përmirëson efikasitetin e çdo njësie valutore, që përdor për zhvillim sëbashku me FMN dhe Bankën Botërore. Këtë t'ía bëni të ditur të gjithëve.
Vetëm për pensionet dhe shtetin social, si tipar doktrinar i socialdemokratëve që qeverisin vendin, nga buxheti i shtetit për vitin 2004 shpenzohen rreth 700 milion dollarë ose më shumë se 1/3 e tij dhe kjo garanton ruajtjen e nivelit të jetesës pavarësisht reformave të ndërmarra.
Pjesa e buxhetit që do të shpenzohet për zërat "Sigurime dhe ndihmë ekonomike" gjatë këtij viti është e barabartë me 6.67% e PBB, ose 500 milion dollarë amerikanë.
Pikërisht, kur qeveria me angazhimin dhe qartësinë e programeve, me rezultatet që renditen njëri pas tjetrit dhe vlerësohen nga ata që financojnë zhvillimin, merr vlerësime maksimale nga partnerët tanë, edhe në sipërmarrjen vendase, edhe në mbështetjen ndërkombëtare, nuk mundet që qytetarët e vendit të mos e prekin këtë rezultat apo të mos u shpjegohet sesi përfitohet nga ky rezultat. Prandaj griseni perden e Berishës apo të cilitdo, që në sintoni me të na akuzon se po varfërojmë shqiptarët.
Për vitin 2003 shpenzimet publike arritën në 199 miliard lekë ose 53 miliard lekë më shumë se në vitin '99. Për të kuptuar ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare në qeverisjen tonë, po ritheksoj se Prodhimi Kombëtar i Brendëshëm për vitin 2003 arriti në 6.1 miliard dollarë, nga 3.7 miliard dollarë që ishte në vitin 1999.
Unë e di që ka edhe sipërmarrës që po ankohen se ka gjithnjë e më pak para në qarkullim. Madje dhe sipërmarrës të medias ankohen kështu. Konstatimi i këtyre të fundit është i vërtetë vetëm pjesërisht. Ka më pak para në qarkullim, por nga ato të pistat që prisheshin me lehtësi në mënyrë parazitare apo klienteliste.
Ju e dini që vetëm nga mbyllja e trafikut të skafeve, bosët e tyre kanë humbur rreth 100 milion dollarë në vit, të cilat i mungojnë tani konsumit parazitar. Po kështu, vetëm gjatë operacionit "Rrjeta e hekurt" në pak javë u sekuestruan dhe do të konfiskohen sëbashku me gjykimin e veprave penale, pasuri të vëna me para të pista në vlerën prej 12 milion dollarësh.
Nëse Berisha dhe sozitë e tij, - e kam fjalën për varfërimin e individëve a të grupeve kriminale trafikuese - atëherë po e them me gojën plot, ata kanë të drejtë: këta grupe janë varfëruar. Dhe po e përsëris se kjo lloj pasurie do të vazhdojë të tkurret si pasojë e luftës pa mëshirë, që ne i kemi shpallur dhe po e fitojmë përditë me informalitetin, krimin dhe korrupsionin.
Natyrshëm, ne duhet të flasim me prioritet për pjesën tjetër të popullsisë, për vendasit normalë, shtetasit e Republikës në qytet a fshat, që mirëqënien e kanë bazuar tek puna apo sipërmarrja e vogël apo e madhe, e ligjshme. Këtu tabloja është e ndryshme.
Sot, Shqipëria ka një ekonomi tregu të hapur, ku 91% të Prodhimit të të Ardhurave e jep sektori privat. Duke ju referuar të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, del se krahasuar me vitin 1998 pagat në sektorin privat janë dyfishuar, gjithashtu.
Shpejtësia e rritjes së këtyre të ardhurave, që realisht e ndryshojnë më shpejt jetën e qytetarëve,- të ardhurat e punës dhe pronës private,- po rriten në proporcion të drejtë me hapësirat ligjore dhe programet e mbështetjes që ne zbatojmë. Këto ditë këtë gjë po bëjmë, në dobi të sipërmarrjes së lirë.
Gjykimi i realitetit ekonomik të Shqipërisë, nisur vetëm nga pagat e nëpunësisë, është i mangët dhe anakronik. Me këtë nuk dua të them se pagat e nëpunësve në sistemin shtetëror nuk kanë nevojë të rishqyrtohen. Grupi i punës tashmë është ngritur dhe së afërmi do të na japë platformën e reformës së pagave edhe për sektorin shtetëror.
Për tu kthyer sërish në këtë komunikim me ju, të nderuar anëtarë të Aktivit të PSSH për Tiranën, më lejoni t'ju pyes se përse këto shifra e arritje, që ju realisht i administroni edhe në punën tuaj politike apo administrative dhe që dëshmon realisht një gjendje të ndryshme nga ajo që pretendohet nga opozita e vjetër apo nga ndonjë media virtuale. Këto shifra dhe realitetet që na mbajnë të gjithëve në pushtetin e ligjshëm që na kanë dhënë zgjedhësit shqiptarë, përse duhet të dalin vetëm nga goja e Kryetarit apo e Kryeministrit dhe vetëm në ekrane apo faqe mediatike, që duhen blerë zyrtarisht për t'u botuar, sa herë që opozita kujtohet se ka humbur edhe dylbitë për t'ju afruar pushtetit, pale për të parë realitetin? Ku janë Komisionet e specializuara të KPD-së dhe KD-ve të rretheve? Ku janë ekonomistët dhe juristët? I shoh që këtu janë, po ku janë në komunikim me njerëzit, ku janë arsimtarët dhe mjekët progresistë apo socialistë, që nuk dua t'í shoh të përpëliten duke luftuar për përmirësimin e shëndetit të njerëzve, kur ky llum opozitar përpiqet t'ú prishi shëndetin vetë atyre? Dhe më tej akoma, ku janë rrathët e miqve progresistë të sferave të ndryshme me të cilët punojmë, si është komunikimi ynë me ta? Me gulçe apo në linjën e reformave dhe në dinamikën e tyre? Sa e hapur është partia për dialog të paparagjykuar nga aktorë dhe faktorë progresi dhe interesi me njerëzit që duhet të përfitojnë nga progresi? Kjo është pyetja ime, sepse duhet t'i thithim kapacitetet e tyre për zhvillim dhe për stabilitet, pasi pa stabilitet nuk mund të jetë i qëndrueshëm zhvillimi dhe prandaj as afrimi apo integrimi në botën moderne.
Jam këtu për të arsyetur me të njëjtin shqetësim, se mos e kemi mbyllur më shumë nga sa duhet rrethin e partisë ndaj "miqve të progresit", apo jetën e partisë sonë vetë? Zgjedhjet e fundit administrative na e dhanë këtë sinjal: si pasojë e mbylljes brenda organizatave apo klaneve në shumë pika, ne nuk gjetëm siç duhet dhe atje ku duhej kandidaturat më të mira, ato konkurueset dhe fitueset. Do të pranojmë, në ato raste humbëm.
Në kontaktet e mia si Kryeministër edhe në Bashki a zona ku kemi humbur kam konstatuar se ata që kanë fituar ishin më të mirë se kandidaturat tona. Dhe natyrisht nuk do t'í lejojmë që ta përdorin aftësinë tonë për revansh, por për punë dhe reforma edhe për shkak të decentralizimit të pushtetit.
Besoj se këto janë pyetje të natyrshme që ne duhet t'ia bëjmë vetes çdo çast. Këto janë çështje që kur diskutohen me përgjegjësi, e zgjerojnë frymëmarrjen e Partisë, e pasurojnë dhe forcojnë edhe partinë. Dhe kjo duhet të jetë një punë e përditëshme, prandaj dhe e përgjegjëshme.
Ne nuk mund të shfaqemi si socialistë vetëm në fushata zgjedhjesh dhe gjithë periudhën tjetër të merreni me punët tuaja private apo administrative dhe të harrojmë përgjegjësitë politike dhe përfaqësuese.
Parrullën "Nano ik" unë e përkthej "Socialistë dhe progresistë shkunduni, lëvizni më shpejt". Sepse nuk ka zot që përveç votës popullore të na detyrojë të ikim.Çohuni dhe shkoni drejt njerëzve. Ju e dini mirë se unë që po flas kam dëshmuar në mënyrë të qëndrueshme me përgjegjësi, se di t'u hapë rrugë të gjithëve. Por edhe kur e kam bërë këtë asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimet e Berishës apo të berishkave të tjerë të tij, destruktive ndaj pushtetit legjitim, pushtet legjitim që duhet t'u shërbejë të gjithëve dhe që përgjithësisht u ka shërbyer të gjithëve dhe jo vetes sonë.
Ne duhet të shohim me përparësi mënyrën tonë të funksionimit dhe organizimit. Unë jam në dijeni të ristrukturimit që ka menduar partia e Tiranës për ta afruar organizimin me njerëzit dhe me njësitë minibashkiake, ku votohet dhe kjo duhet shtrirë që nga organizata socialiste deri në forumet qëndrore, për të bërë të mundur që çdo anëtar, çdo organizatë, këshill zonal, Konferencë apo Aktiv të jenë realisht në punën e përditshme politike me njerëzit, shtresat dhe grupet e ndryshme të shoqërisë në zhvillim.
Nuk po ju ftoj t'i kthehemi propogandës boshe të stilit të së kaluarës dhe t'i mbushim mendjen vetes dhe njerëzve se gjendja është rozë, se boom-i na pret në derë, se Evropa do hapë dyert katër kanate nesër për ne, se të gjithë kemi pas porte nga një Eldorado. Aspak. Po flas për realizëm dhe po kërkoj të arsyetoni dhe të punoni me realizëm. Këtë nuk mund ta bëni pa qenë të gjithë të qartë dhe të bindur për progresin e madh që vendi ka realizuar këto 7 vite dhe për mënyrën sesi është realizuar ky progres dhe sesi duhet mbrojtur dhe konsoliduar ai.
Natyrisht, progresi është rezultati më përgjithësues i qeverisjes sonë, prandaj ne duhet të matemi me veten tani, përveç të mos harrojmë ku ka qenë Shqipëria para 7 vjetësh. Por unë nuk mund ta kuptoj sesi ju e njihni pak realitetin e progresit. Jam gati të ma përgënjeshtroni këtë fakt.
Unë nuk mund ta kuptoj sepse pak nga ju e njohin programin e reformave që po realizon qeverisja dhe qeveria, jo imja, juaja. Dhe pa ulur aspak vëmendjen nga nevoja për të përmirësuar dhe rritur transparencën nga ana e qeverisë dhe për të përmirësuar komunikimin me publikun, ju ftoj të pajiseni të gjithë me informacionet e vërteta dhe zyrtare, me faktet reale të progresit dhe të reformave të menaxhimit publik, që e bëjnë qartë dallimin midis nesh dhe propagandës destruktive, midis nesh dhe opozitës destruktive të Berishës edhe për të djeshmen, edhe për të sotmen edhe për të ardhmen.
Unë kërkoj që të gjithë së bashku të kuptojmë njëlloj se ekzistojnë arsye dhe synime të mbrapshta, që pikërisht në kohën kur Brukseli zyrtar, titullarët dhe Komisioni, që merren me Shqipërinë gjithashtu, bëjnë vlerësime realiste për progresin dhe angazhimet tona për të kapërcyer pikat e dobëta të një sistemi në zhvillim; kur liderë të së djathtës si Berluskoni apo Aznari etj, presin, vlerësojnë dhe aktivizojnë bashkëpunim dhe programe të reja me kryetarin e një maxhorance të majtë; kur dy nga agjencitë më prestigjoze të sigurimit shtetëror të investimeve private si EXIM Bank e SHBA-së apo SACE e Italisë e klasifikojmë më lart Shqipërinë, si vend që ka rritur standartet e garancisë për kapitalet e huaja private; kur Banka Botërore dhe FMN vazhdojnë të realizojnë dhe shtojnë programet e zhvillimit dhe partneritetit me Qeverinë e Shqipërisë.
Portofoli i Bankës Botërore për Shqipërinë është nga më të pasurit në të gjithë asistencën e Bankës Botërore për vendet në zhvillim në shkallë ndërkombëtare dhe eksperienca e saj në Shqipëri kualifikohet nga më të suksesshmet në vitet e bashkëpunimit me qeverisjen tonë; kur një gjigand i bankave evropiane si Reiffaisen vjen, studion dhe guxon të blejë bankën kryesore të sistemit financiar në Shqipëri, atë të kursimeve. Guxon ta blejë me një vlerë 3 herë më të lartë se inventari ose 2.3 herë më të lartë sesa të gjitha shitjet e kësaj natyre në të gjithë ish-Evropën Lindore; kur konsorciume ndërkombëtare gjermano-amerikane, madje si Hochtief dhe Fondi Amerikan i Ndërmarrjeve guxojnë të marrin me koncesion aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit; kur për herë të parë po me koncesion po nis puna për ndërtimin e autostradës Rrogozhinë – Tiranë – Thumanë; kur po nis puna për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, që qysh nga paneli i parë 300 Mega do të katërfishohet në 1200 Mega përbri naftësjellësit AMBO; kur gjigandë të biznesit botëror si General Electric dhe Lockhid Martin po investojnë në infrastrukturat tona të transportit dhe sigurisë ajrore, hekurudhore etj.
Pra, ka arsye serioze dhe të mbrapshta që pikërisht në këtë kohë Berisha organizon turma të dhunshme dhe kërkon rrëzimin e qeverisë dhe të stabilitetit të progresit me dhunë. Ai dhe të tjerët që i shkojnë pas duke e amplifikuar, duhet të kuptojnë përfundimisht se këto projekte mund të bllokohen vetëm duke hyrë gjithë Shqipëria në kolaps dhe në asnjë rrugë tjetër, sepse edhe synimi i tyre i mbrapshtë është formuluar pikërisht kështu: Shqipëria baraz me Gjeorgjinë apoÇeçeninë.
Kjo nuk mund të ndodhë dhe unë nuk jam këtu për të thënë se Shqipëria nuk është Gjeorgji apoÇeçeni. Ajo që mund të ndodhë është që për shkak të krisjes, çarjes dhe sherrit të brendshëm, që bllokon dhe vendimarrjen për reforma,- pasqyra më e mirë e këtyre vonesave është në sesionet parlamentare- Shqipëria mund të përfundojë si Qipro, të dalë nga vëmendja ndërkombëtare për nja 25 vjet.
Ndoshta këta njerëz që vijnë nga kullat e izoluara, ku ne po i nxjerrim për në botën e lirë, janë mësuar të mbretërojnë në vende të izoluara dhe të harruara nga komuniteti global. Këtë detyrë kemi. Ky është misioni ynë që pas nuk e di sa kohësh të mos na vijnë misione të tjera paqeruajtësish apo paqëtuesish për të na rikthyer në vëmendjen e të gjallëve, si vend që jo vetëm është lidhur fort në kalatat e integrimit europian dhe çimat po e tërheqin, dhe motorët tanë punojmë me të gjithë avullin, por dhe si një vend që është vendimtar për stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit të Evropës Juglindore.
Jam i bindur se ky progres i 7 viteve të fundit, për shkak të qeverisjes socialiste dhe progresiste gëzon jo vetëm simpatinë dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë, por edhe të shumicës së shqiptërve në Ballkan dhe në mbarë botën. Prandaj mos i lejoni zërat e çjerrë të shurdhojnë veshët dhe zemrat e shumicës.
Unë më lart përmenda një numër faktesh reale në fushën e sipërmarrjes së lirë dhe të partnerëve që po gjen për këtë shkak biznesi ndërkombëtar në vendin tonë. Secila prej tyre ka efektin e multiplifikatorit. Është një provë e shumë fakteve dhe zhvillimeve që pasojnë thuajse automatikisht. Le të marrim psh, çdo të thotë që SACE dhe Exim Bank të ngrenë një kategori më lart Shqipërinë për nga mungesa e rrezikut për investimet e huaja. Pra për rritjen e sigurisë, përgatitjen e një legjislacioni të përshtatshëm, forcimin e sistemit gjyqësor për konflikte që lidhen me ekonominë gjithashtu, për shkak të stabilitetit që lidhen me politikën tonë konstruktive rajonale dhe për shkak të pjesëmarrjes sonë në koalicione globale të sigurisë apo të luftës kundër terrorizmit, për shkak të progresit të lexueshëm, të përditshëm, të pakthyeshëm në menaxhimin e kufijve, luftën kundër kriminalitetit të organizuar apo trafiqeve, për shkak të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe peshës që ka sipërmarrja private në të, për shkak të interlokutorëve dhe partnerëve lokalë gjithnjë e më seriozë, legalë jo vetëm në prodhime dhe shërbime por tashmë dhe në banka me kapital vendas.
Për të gjitha këto, është rritur masa e sigurisë për futjen e më shumë kapitaleve ndërkombëtare në vendin tonë. Sapo u shpall fituesi i koncesionit të aeroportit të Rinasit, konsorciumi gjermano-amerikan. Luftansa shpalli rifillimin e fluturimeve të përditshme me Tiranën. Sapo u shpall vendimi i EXIM Bank për rritjen e garancisë së riskut për investimet private në Shqipëri. Ajo vetë garantoi dhe financoi gati gjysmën, 520 milion dollarë në një investim të madh energjitik në Shqipëri, për TEC-in e Vlorës.
Të nderuar shoqe dhe shokë,
Ju jeni, jo për shkakun tim, të zgjedhur apo të mandatuar të socialistëve për të qeverisur dhe drejtuar procesin e reformave që nuk mund të bëhet pa ndihmuar njerëzit të kuptojnë se thelbi i lëvizjes së opozitës nuk janë interesat e njerëzve, të shtetasve apo të Shqipërisë, por interesat private të një grupi udhëheqësish të opozitës, që edhe kur ishin në pushtet shkatërruan dhe që tani ju ka vajtur zhiva në fund nga 7 vjet larg prej pushtetit. E keni ju në dorë, bashkë me mua, që njerëzit e këtij vendi t'i mbajnë, - sa kohë që janë të njëjtat fytyra- përjetësisht larg nga pushteti këta çakej.
E them këtë gjë, sepse ju jeni konkurues, ata jo. Ata nuk mund të krahasohen as me aftësitë, as me rezultatet tona qeverisëse. Ata nuk mund të paraqesin, jo se nuk duan, por se nuk munden të paraqesin platforma konkuruese zhvillimi më të mira se kjo që po zbatohet. Prandaj dhe ata janë të sigurt se do të vazhdojnë të humbasin çdo garë normale elektorale. Dhe kërkojnë dhunën, rrëmujën dhe marrjen e pushtetit me gulçe, jo me zgjedhje.
Besoj, po i shihni përditë në media fytyrat apo barqet, gishtat e atyre që qëlluan me gurë kryeministrinë tuaj më 7 shkurt të këtij viti. Nuk besoj se patë ndonjë të varfër, nga ata që ngritën hopa Pjetër Arbnorin, nuk besoj se patë ndonjë fytyrë të panjohur më parë më 14 shtator 1998 apo raste të tjera, që të shqetësohej për çmimet e reja të energjisë apo telefonit fiks. Janë të gjithë me celularë krimi në xhep. Prandaj ishin instruktuar të dhunonin institucionet, të provokonin strukturat e rendit dhe të sigurisë publike, të shkaktonin kaos dhe pastaj plaçkitje. Këta njerëz vetëm plaçkisin, nuk krijojnë.
Në një kohë që shteti po rishpërndan zhvillimin dhe të ardhurat prej tij, në ato shifra që përmenda, nga bulevardi apo kryeqyteti drejt Bathores apo Shkodrës, këta nuk e duan rishpërndarjen e programuar, që shumëfishon zhvillimin. Këta duan të plaçkisin pasurinë e shtetit dhe jo timen, pasurinë e buxhetit, pasurinë e sipërmarrësve të ligjshëm, pasurinë e bashkisë, pasurinë e komunës, pasurinë e sipërmarrësve privatë, të bankave vendase dhe të huaja. Këta duan të asfiksojnë motorin e zhvillimit të vendit dhe këtë e bëjnë në momentin, kur ne po bllokojmë plaçkitjen e evazionit të tyre apo të trafiqeve të tyre.
Detyra jonë politike është që pa ngushtuar aspak hapësirat e lirisë ligjore të protestës, të mos i lejojmë individë a grupe keqbërësish (që natyrisht do përballen me drejtësinë) të ndërpresin, shqetësojnë jetën dhe punën e qytetarëve të lirë, të pasur a të varfër qofshin.
Policia e Shtetit reagoi më 7 shkurt pikërisht në emër të çdo qytetari, që respekton Kushtetutën dhe ligjet, që punon dhe fiton me djersën e ballit dhe që pret nga qeveria e vet e ligjshme përmbushjen e angazhimeve për programe zhvillimi, rritje të mirëqenies, rritje sigurie, stabilitet furnizimi me energji dhe ujë, rritje të mundësive për shfrytëzim më të mirë të sistemeve të arsimit dhe shëndetit publik, për mbylljen e infrastrukturave të Korridoreve paneuropiane që përshkojnë Shqipërinë, të porteve, aeroporteve etj.
Po a janë reformat tona radikale? A kanë shkaktuar ato uljen e nivelit të jetesës? Për të qenë realistë, është shpejt për të nxjerrë konkluzione serioze për këtë gjë, por një gjë është e sigurtë dhe transparente: qeveria ka marrë dhe po konsolidon, - nuk kemi turp të rishikojmë ndonjë gjë - masa që shtresat në nevojë të mos e paguajnë efektin negativ të këtyre reformave. Dhe nuk lodhem së shpjeguari, ashtu si përfaqësues të tjerë të qeverisë, se qeveria për energjinë kompenson 191 mijë familje ose rreth 1 milion njerëz. Ndërsa për çmimin e bukës, përveç ndonjë furre të Tiranës, çmimi i saj nuk është rritur në asnjë rreth tjetër të vendit.
Edhe këtu institucionet e specializuara të shtetit po analizojnë arsyet e spekullimeve me rritje çmimesh, në momentet kur liberalizohen tregjet dhe po i bllokojmë dhe ndëshkojmë të gjithë ata prodhues apo tregtarë, që spekullojnë me çmime apo tarifa në dëm të qytetarëve apo konsumatorëve.
Dua të ndalem pak më gjatë në spekullimet e opozitës dhe ato që mediatizohen sidomos për çështjen e varfërisë. E kam thënë dhe më parë se kursimet e shqiptarëve të depozituara në banka kanë arritur në më shumë se 3 miliard dollarë, ose 3 herë më shumë se në vitin '96. Këto depozita kanë pronarë 400 mijë individë apo familje shqiptare dhe mbi 60% e këtyre depozitave individuale , pra të secilës prej 400 mijë depozitave, janë nga 7 mijë deri 10 mijë dollarë. Prandaj Zoti Berisha, apo media e specializuar për investigime profesioniste, le ta lexojnë mirë këtë realitet, sepse për shkak të detyrimit për transparencë, që vjen nga ligji "Për garantimin e depozitave", nuk do të rreshtim së publikuari fakte.
Po marr një aspekt tjetër. Në dhjetë vitet e fundit në Shqipëri janë ndërtuar dhe janë vënë në shfrytëzim rreth 200 mijë banesa individuale, nga të cilat vetëm 50 mijë gjatë qeverisjes së Berishës dhe 150 mijë ose 3 herë më shumë gjatë qeverisjes sonë. Kjo do të thotë se afro 600 mijë shqiptarë jetojnë në kushte më të përshtatshme banimi.
Derisa ndërtohet dhe shitet domethënë se blihen apo jo, pavarësisht se e di Zoti Brojka si dhe gjithë të tjerët që keni edhe pa shitur. E shprehur në vlerë, për 5 vitet e fundit, duket se shqiptarët kanë shpenzuar më shumë se 1 miliard dollarë për të përmirësuar kushtet e tyre të banimit. Nuk janë punë të qeverisë këto?
Qeveria ka krijuar klimën që sipërmarrja të nxjerrë edhe përfitime në tregun e strehimit që funksionon.
Edhe nga brenda nesh akuzohemi se po ndjekim politika diskriminuese financimesh ndaj zonave të varfëra. Unë nuk jam këtu për të zbuluar miq apo për të bërë propagandë, po flas me shifra reale. Prefektura e Kukësit ku bën pjesë edhe Tropoja ka përfituar në dy vitet e fundit (2002 – 2003) shpenzime dhe investime publike për frymë pothuajse sa prefektura e Fierit, megjithëse kontributi fiskal i prefekturës së Fierit në të ardhurat publike është disa herë më i madh se ai i Kukësit dhe i Tropojës. Ose prefektura e Shkodrës për vitin 2002 ka përfituar shpenzime dhe investime publike për frymë popullsie 30% më shumë se Prefektura e Korçës, për frymë po e theksoj. Prandaj Zoti Berisha mos ua mba frymën shkodranëve, sepse nuk meritojnë të jetojnë pa oksigjen. Janë po kaq qytetarë të kulturuar sa gjithë të tjerët.
Gjithë sa përmenda shoqe dhe shokë nuk janë demagogji, por shifra reale, të cilat janë në duart tuaja. Jepuani njerëzve në mënyrë që opozita e dhunëshme të mos ketë terren të shkatërrojë. Unë do të vazhdoj ta ftoj edhe emrin tuaj z.Berisha, e cilindo tjetër, që të bëhet pjesë e këtyre zhvillimeve dhe jo frenues apo shkatërrues të tyre. Por duke qenë se ishte ai që prishi marrëveshjen, ai nuk prokuron dot kushte normale paqësore. Marrëveshja, e cila kishte në thelb ruajtjen e stabilitetit dhe vazhdimin më të shpejtë të rëformave të integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Duket se ai e ka më për zemër rolin (ndoshta dhe pozicionin) e inkuizitorit mesjetar, sot i thonë prokuror, dhe duket se kur ka hyrë në Kuvend (sa herë që nuk del) kërkon vetëm ngritje Komisionesh hetimore, kur ne presim që në rrugë institucionale në konkurrim institucional, në rrugë bipartizane, gjithashtu, të shtojmë kontribute për të zgjidhur sfida me rëndësi kombëtare siç është integrimi apo energjia apo lëvizja e lirë, apo lufta kundër kriminalitetit, që atij i djeg kaq shumë.
Po sikur të gjithë shqiptarët të ktheheshin e ta hetonin një herë e mirë të keqen "Berisha", me një komision nacional, sa do të ishte fatura financiare e jetëve dhe e kohës së humbur në këtë tranzicion për shkak të së keqes Berisha?
Ju e dini se çfarë ndodhi pas protestës së dhunshme të 7 shkurtit. Ne u detyruam të lemë punën për ca kohë. Unë u detyrova të ndërpres një vizitë zyrtare në shtëpinë formalisht të Berishës në Madrid, partitë konservatore dhe me Kryeministrin e një qeverie të djathtë. U detyrova të zëvendësoj axhendën e punës me përfaqësues agjencish, apo grupesh, apo qeverish, apo organizatash të huaja apo ndërkombëtare, që punojnë me ne për zhvillim, për të shpjeguar ngjarjen e 7 shkurtit dhe për tu marrë me pasojat e saj. Në këto raste shprehja "koha është flori" shkon fikas fare dhe Berisha nuk do ta harxhojmë kohën për zhvillim. Por ne do të vazhdojmë të punojmë edhe për të pajisur policinë më mirë, që të mos kemi më policë të vrarë për shkak të dhunës kriminale të turmave që nxit Berisha, jo vetëm në sheshe, por edhe në trafiqe.
Më shumë se kaq, menjëherë pas ngjarjes disa banka të huaja partnere të sipërmarrjes shqiptare morrën masa shtrënguese për transferta, që më parë bëheshin natyrshëm me standarte ndërkombëtare, duke kërkuar të paguheshin menjëherë miliona dollarë. Sinjali i kundërt me atë që dhanë SACE apo EXIM Bank para ngjarjeve. Madje mijëra klientë ndërprenë blerjet me shumicë dhe ngrinë ciklet e punës apo të investimeve të reja për ca ditë!
I di Berisha këto pasoja, se ai ka punuar ndryshe me tregtarët. Kur i ndërpriteshin ciklet i fuste në burg për t'i marrë faturat, por përballë interesave të tij private ai nuk pyet as për shtetin, as për qytetarët, as për sipërmarrjen, as për punën dhe punësimin që hapet nga sipërmarrja dhe aq më pak për imazhin e vendit, apo për ritmin që ngadalësohet, përshpejtohet apo bllokohet, të integrimit tonë në Evropë.
Berisha synon ta kthejë Shqipërinë në Qipro. Këtu nuk ka terren për këtë gjë. Këtu grek ka, por nuk besoj se ka grek dhe turq që duhet të përplasen me njëri-tjetrin. Këtu ka shqiptarë dhe pakica që jetojnë në harmoni dhe paguajnë dhe përfitojnë sëbashku për integrimin në Europë. Këtu është një vend normal, ku siç e konstatuan dhe javën e fundit aktorët e mëdhenj ndërkombëtarë nuk hezitojnë të punojnë me ne, të neutralizojnë të keqen Berisha dhe të zgjerojnë konsensusin kombëtar apo shoqëror për zhvillim sëbashku me ne.
Meqënëse nuk po shoh konteste që Berisha dhe banda e tij të vijë në pushtet, në këtë mënyrë besoj se këtë përgjigje që ia jep populli me votën e lirë sa herë që ka zgjedhje, duhet t'ja japim të gjithë më mirë së bashku të nderuar socialistë. Prandaj duhet të shkundemi dhe të vemë në lëvizje të gjitha potencialet njerëzore, politike dhe përfaqësuese. Ne jemi sipërmarrës të progresit dhe ky është investimi ynë i vetëm dhe themelor.
Ju socialistët e Tiranës nuk mund të bëni sehir kur në Bashkinë e Kamzës përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë nisur sërish aplikimin e nenit famëkeq 24/1 duke pushuar nga puna 36 punonjës me status të nëpunësit civil? Duhet t'jua them unë, Musai apo t'ju vijë nga "qendra" ndonjë qarkore që të reagoni publikisht apo ligjërisht për gjëra të tilla? Ju të gjithë e dini se një nga kushtet për integrimin tonë në Evropë është ngritja e një administrate publike profesionale dhe funksionale, të mbrojtur nga politika gjithashtu dhe duhet të vetveproni për cënime të tilla të rënda të stabilitetit të administrimit dhe administratës publike nga PD, që jo kudo sigurisht, por në pika revanshi po rishfaq me sulme ndaj stimës institucionale të qeverisjes vendore, gjë që është një rrezik tjetër për reformat dhe për imazhin europian të Shqipërisë.
Nëse nuk reagojmë menjëherë dhe me energjitë e duhura për të analizuar vetveten dhe kundërshtarët në sytë e njerëzve rrezikojmë që përballë Reiffeizen të vijë sërish Sudja, përballë General Electric të vijë firma "Shqiponja" dhe kontradanda e hapur e naftës, përballë USAID apo Luan Bregasit të vijë Gazidede apo Luan Shehu, ndoshta dhe me fytyrën e Mediut a të Palokës, përballë Policisë dhe Drejtësisë së shtetit ligjor të vijë Garda e Xhevit Xhaferrit të bëjë duvanë e Berishës.
Ne nuk duhet, besoj, të presim të na mbrojë Garda e Republikës. Prandaj edhe ju e dini se kemi ende shumë punë për të bërë, sepse i njohim më mirë se kushdo tjetër dhe varfërinë reale dhe shtresat në nevojë, dhe jemi më të pajisurit për t'i ndihmuar dhe integruar ata në programet e mbështetjes sociale dhe të zhvillimit.
Ne nuk mund të lejojmë që për shkak të dhunës së Berishës, problemet e periferive të kërcënojnë zhvillimin e qendrave urbane, ndryshe është i kërcënuar i gjithë zhvillimi kombëtar. Ne duhet të angazhohemi për të intregruar më mirë dhe më shpejt realitetet tranzitore të periferive në metropolet moderne që po ndërtojmë. Zhvillimi po përhapet në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme nga qendrat drejt periferive, prandaj ai nuk duhet të ndërpritet.
Ne nuk kemi monopolin e së vërtetës absolute, prandaj jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjithë të tjerët, edhe me opozitën e përgjegjshme edhe me shoqërinë civile, edhe me sipërmarrjen, edhe me faktorë apo grupe interesi të përfaqësuara legjitimisht. Ky është synimi i përfundimit të madh që kemi ndërmarrë si aksion politik 18 mujor deri në zgjedhjet 2005 me të gjithë shoqërinë shqiptare pavarësisht bindjeve politike përkatësive, krahinore e gjinore.
Ne kemi vetëm një monopol, atë të përgjegjësisë qeverisëse përballë 3 milion shqiptarëve. Jemi legjitimë për këtë gjë por kjo përgjegjësi është për reforma për transformim dhe për rezultate, prandaj nuk duhet të lejojmë që qetësia, siguria, mirëqenia, prona, e sotmja dhe e ardhmja e tyre të cënohen nga individë apo grupe që e synojnë pushtetin dhe pasurimin me dhunë.
Në mënyrë përfundimtare dhe kushtetuese, pa asnjë mëdyshje e deklaroj se zgjedhjet parlamentare janë në vitin 2005. Ndërsa zgjidhjet për problemet dhe interesat e shqiptarëve janë të përditëshme. Nëse opozita e ndjen veten të aftë në këtë terren, mirësevjen. Ndryshe ne do vazhdojmë me partnerët që kemi, brenda dhe jashtë vendit, me politikën progresiste dhe shoqërinë civile, të qeverisim dhe të realizojmë misionin tonë historik; integrimin e Shqipërisë në Evropën moderne.
Punë të mbarë!