E Diel, 1 Nëntor 2026

Jam këtu para jush për t'ju bërë të njohur disa nga vendimet e miratuara në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano. 1) Këshilli i Mini

Jam këtu para jush për t'ju bërë të njohur disa nga vendimet e miratuara në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano.

1) Këshilli i Ministrave, në zbatim të politikave të qeverisë shqiptare për stimulimin e bujqësisë dhe zhvillimin e zonave rurale, miratoi vendimin për heqjen e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore për tre zona dhe për serrat me ngrohje në të gjithë vendin.

Projekti për heqjen e akcizës së karburanteve për mekanikën bujqësore i hap rrugën stimulimit dhe zhvillimit të drejtëpërdrejt të bujqësisë dhe do të zbatohet fillimisht për tre zona dhe konkretisht Sarandë-Delvinë, Fier-Divjakë dhe Krujë-Lezhë për periudhën bujqësore maj 2004-korrik 2005. Përzgjedhja e zonave është bërë duke pasur në konsideratë shtrirjen territoriale, numrin e fermërëve në zonë, madhësinë e fermave, nivelit të mekanizimit etj.

Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe do të furnizohen me karburant dhe solar pa akcizë të gjithë fermerët apo subjekte të tjera që kultivojnë kultura bujqësore në serrat me ngrohje në të gjithë vendin.

Efekti financiar i këtij vendimi llogaritet në reth 195 milion lekë.

Kjo periudhë do të shërbejë për ta shtrirë këtë politikë në të gjithë vendin për periudhën në vazhdim. Ky vendim realizoi bashkëbisedimin dhe partneritetin që Kryeministri Nano ka pasur me komunitetin e agrobiznesit, i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen në mënyrë efektive për të marrë hapa të tjerë që stimulojnë uljen e kostove të produkteve bujqësore dhe përafrimin e politikave bujqësore me ato të BE.

2) Një tjetër vendim i rëndësishëm me një impakt të konsiderueshëm social është ai për shtypjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore të arsimit parauniversitar, për vitin shkollor 2004-2005.

Kështu, në bazë të vendimit të sapomiratuar, nxënësit e klasës së parë, duke filluar nga viti shkollor 2004-2005, do t'i përfitojnë librat për çdo vit shkollor falas dhe pa detyrim kthimi.

Gjithashtu vendimi specifikon dhënien falas të të gjitha teksteve të arsimit të mesëm të përgjithshëm, për vitin e ardhshëm shkollor, për të gjithë nxënësit e komunave me probleme të dukshme sociale dhe familjeve në nevojë. Nga kjo masë përfitojnë 2821 nxënës dhe efekti financiar është 4.2 milion lekë.

Ky vendim synon që në përputhje me Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Social të vendit, të favorizohen gjërësisht nxënësit e arsimit të detyruar dhe në mënyrë të veçantë familjet në nevojë.

3) U miratua projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit për rehabilitimin dhe pajisjen e 5 poliklinikave.

Realizimi i projektit, me vlerë mbi 5 milion dollarë, synon të përmirësojë dhënien e shërbimeve shëndetësore të specializuara. Projekti përfundon brenda vitit dhe mbulon përshin 5 poliklinika, nga të cilat 2 në Tiranë, poliklinika e Gjirokastrës, e Korçës dhe Peshkopisë, si dhe rritjen e kapaciteteve menaxhuese të drejtuesve shëndetësorë të këtyre rretheve. Ndërhyrja në këto pesë poliklinika do të mbulojë një popullsi prej më shumë se 500.000 banorësh.

Projekti parashikon kalimin në disa faza, atë të projektimit, punimet dhe rehabilitimi i godinave, pajisja e tyre me aparaturë biomedikale diagnostikuese dhe materiale konsumi, trajnimin e personelit mjekësor për mirëpërdorimin dhe mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve.

4) U miratua gjithashtu projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për financimin e fazës së dytë të projektit të spitalit të përgjithshëm, Durrës.

Pas përfundimit me sukses të fazës së parë të ndërtimit të Spitalit Rajonal të Durrësit dhe vënies së tij në funksionim, u nënshkrua marrëveshja me Bankën Islamike për Zhvillim për akordimin e kredisë me një vlerë prej 7 milion dollarë për përfundimin e këtij sistemi spitalor.

Ky projekt parashikon ndërtimin e bllokut të shtrimit të spitalit me rreth 170 shtretër dhe rikonstruksionin e përgjithshëm të maternitetit, i cili aktualisht është mjaft i amortizuar.

Në përfundim të kësaj faze parashikohet ndërtimi i një sistemi rajonal spitalor bashkëkohor. Në fazën e parë, tashmë të përfunduar, përfshihen të gjitha shërbimet bazë si dhe ato ndihmëse që do të shërbejnë për të gjithë sistemin spitalor.
Ndërkohë janë gati negociatat për financimin e investimit për spitalin e Kavajës.

Më pas, Zëdhënësi i Qeverisë iu përgjigj interesimit të gazetarëve të pranishëm.

Pyetje: A ka vullnet për të bërë përmirësime në procesin zgjedhor të ardhshëm?

Zoti Dalipi: Procesi zgjedhor i ardhshëm është në vëmendjen e Kryeministrit dhe njëherë kryetar i maxhorancës qeverisëse. Kryeministri e ka shprehur dhe konfirmuar qëndrimin e tij se ekziston vullneti i duhur në përputhje me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Gjithashtu ka ftuar në këtë drejtim të gjithë aktorët e tjerë të të gjithë spektrit politik, përfshirë opozitën, për të punuar sëbashku për një çështje madhore që i shërben edhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Në këtë rast, mendojmë se kjo duhet të shërbejë për të shprehur vullnetin edhe palët e tjera, në mënyrë që të mos bëjnë dialog me vetveten, por të ulen në institucione për të vepruar.

Pyetje: Ka zëra për ndryshimi në qeveri, edhe nga koalicioni.

Zoti Dalipi: Sapo u shpreha për momente institucionale dhe nuk e di si është thënë kjo, pasi koalicioni është tashmë institucional dhe vepron institucionalisht edhe në përbërjen e qeverisë edhe në takime që kanë autoritetet e koalicionit me njëri-tjetrin. Aktualisht janë në vazhdim analizat tremujore të veprimtarisë së qeverisë. Qeveria është në ritmin e duhur, gjë që u shpreh edhe dje nga autoritetet e negociatave të BE në Tiranë. Prandaj nuk mendoj se ka argumenta të tjerë që mund të shtyjnë më tej këtë çështje.Çdo argument tjetër në këtë drejtim duket i pavlerë dhe s'di se nga vjen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›