Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë gjatë ditës së sotme në aktivitet e zhvilluara me rastin e 60-vjetorit të çlirimit të atdheut. Fillimisht, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi paradite
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë gjatë ditës së sotme në aktivitet e zhvilluara me rastin e 60-vjetorit të çlirimit të atdheut.
Fillimisht, Kryeministri Fatos Nano zhvilloi paradite homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në shenje nderimi dhe respekti për vepren e tyre.
Gjatë ceremonisë zyrtare të zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve, ku ishin të pranishëm personalitetet më të larta të shtetit, President i Republikës, Alfred Moisiu, Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, Zëvendëskryeministri Namik Dokle, anëtarë të kabinetit qeveritar, veteranë dhe qytetarë të Tiranës, zoti Nano vendosi një kurorë me lule në Monumentin "Nënë Shqipëri".
Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Nano zhvilloi gjithashtu vizita në familjet e dëshmorëve Qemal Stafa dhe Sabaudin Gabrani. Zoti Nano, gjatë këtyre vizitave, vlerësoi sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e tyre të çmuar për një të ardhme ndryshe, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.
Kryeministri Fatos Nano dhe personalitete të larta të shtetit, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, anëtarë të kabinetit qeveriar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë etj. ishin të pranishëm paradite në paradën ushtarake të Forcave të Armatosura Shqiptare, të zhvilluar në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" me rastin e 60-vjetorit të çlirimit të atdheut.
Pas ekzekutimit të himnit Kombëtar, shoqëruar me të shtëna topi dhe përshëndetjes së Presidentit të Republikës për Forcat e Armatosura, Kryeministri Nano në fjalën përshëndetëse me këtë rast u shpreh:
"Kam kënaqësinë dhe nderin t'ju përshëndes të gjithëve, ju pjesëmarrës në këtë paradë, të ftuar dhe mbarë popullin shqiptar, gëzuar festën e lirisë.
Kjo është festë e të gjithëve. Me mirëkuptimin e misioneve historike ne ndodhemi sot përkrah njëri-tjetrit si vëllezër shqiptarë për të nderuar në këtë jubile kujtimin e veprës së të parëve dhe për të vazhduar bashkimin e kontributeve për progresin euroatlantik të kombit shqiptar.
Nderimi ynë i posaçëm drejtohet në radhë të parë tek ata që dhanë jetën për liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Data e sotme evokon një epope historike, e cila, siç ndodh me ngjarjet e mëdha, sa më shumë kalon koha aq më shumë ndriçim merr. 29 nëntori i vitit 1944 është kurora e përpjekjve legjendare të mbarë popullit shqiptar. Në këtë ditë përmblidhet filozofia e Rilindjes Kombëtare dhe lashtësia e qytetërimit tonë, vlerat më të shquara të historisë kombëtare, e cila edhe pse e ashpër me ne shqiptarët vazhdon të jetë filli udhërrëfyes i kombit.
Dita e sotme rrezaton veçanërisht qartësinë e rreshtimit strategjik të partnizanëve dhe atdhetarëve shqiptarë të cilët zgjodhën krahun e dritës përkundër mortajës nazi-fashiste. Me vetë aktin e lirisë, ky rreshtim na bën të ndjehemi krenarë dhe të përkulemi me respekt për të vazhduar të zgjerojmë kontributet e përditshme, punën dhe përpjekjet për ta bashkuar sa më parë Shqipërinë me Europën e Bashkuara dhe me NATO-n.
Me luftën antifashiste të popullit tonë u bë e mundur që përvoja shekullore e shqiptarëve të shënojë një kulm historik të patjetërsueshëm. Për herë të parë në historinë moderne një luftë u organizua si e tillë në mbarë hapësirat shqiptare në emër të progresit, të lirtisë dhe përparimit kombëtar. Rezultati i saj ishte liria.
Periudha pas luftës antifashiste e deri më sot pasqyron një histori të gjatë me përvojë dhe tradita, me dështime dhe zhvillime, me arritje dhe suksese dhe me një sërë mësimesh për mbarë popullin dhe për Forcat e tij të Armatosura.
Ne sot jemi krenarë të pohojmë se populli shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura kanë qenë protagoniste në të gjitha ndryshimet dhe reformat demokratike që kanë përfshirë dhe mjedisin e sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale. Kjo ka ndodhur me aftësi konkuruese në organizim, në strategji, në doktrinë, në taktikë dhe pajisje. Kjo ka ndodhur në mbrojtje të interesave kombëtare. Pas 60 vjetësh lirie, Shqipëria ka të drejtë të festojë me krenari festën e çlirimit.
Ne ndodhemi sot më pranë se kurrë institucioneve globale të lirisë, institucioneve euroatlantike. Standarti i jetës vazhdon të rritet me ritmet më të larta në rajon. Jemi sot krenarë sepse arritëm që Shqipërinë nga një vend që konsumonte sigurinë e të tjerëve ta shndërrojmë në një vend që jep kontribute për sigurinë në rajon e më gjërë deri në Bosnje-Hercegovinë, në Afganistan apo në Irak. Ne vazhdojmë të dëshmojmë se jemi bij të patriotëve dhe partizanëve që luftuan për liri dhe prandaj dallohemi për shpirt solidariteti, për vlera qytetare dhe çdo gjë që ndodh në botë nuk është e huaj për ne.
Të nderuar shtetas të Republikës së Shqipërisë,
Në këtë përvjetor të 60-të të çlirimit të atdheut dhe Forcat e tij të Armatosura janë përfshirë në fazën përfundimtare të përbërjes pjesë integrale të strukturave të NATO-s. Ato kanë çfarë të demostrojnë në rrugën e një reformimi të thellë dhe të sukseseve të reformës integrale të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Me programet dhe reformat e ndërmarra, me aksionin dhe marrëdhëniet e bashkëveprimit me ushtritë e tjera të NATO-s, ne kemi provuar tashmë de facto se jemi anëtarë të kësaj aleance të sigurisë globale.
Parada e sotme është shfaqja publike e këtij progresi. Me respekt të thellë për punën dhe veprën e të gjithë brezave, me besim të patundur tek të rinjtë e mrekullueshëm të Shqipërisë, më lejoni t'ju uroj:
Gëzuar 60 vjetorin e çlirimit të atdheut tonë të shtrenjtë
Rroftë liria!
Gëzuar!"