E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së sezonit turistik 2004, në Bashkinë e Himarës. Në këtë ceremoni Kryeministri Nano u shpreh: â€

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së sezonit turistik 2004, në Bashkinë e Himarës.

Në këtë ceremoni Kryeministri Nano u shpreh:

"Erdha me kënaqësi të marr pjesë bashkë me ju, në ditën apo siç e quani, festën tuaj të detit. Jam këtu për t'ju uruar sezon sa më të mbarë, mirësi, suksese edhe në sipërmarrjet tuaja të mikëpritjes turistike, në këtë vend nga më të bukurit dhe të mrekullueshmit e Jonit.

Himara është një nga protagonistët e zhvillimit turistik të vendit, bashkë me Dhërmiun dhe gjithë Rivierën e Shqipërisë. Këtu integrohen zemrat dhe mendjet tuaja, burimet e natyrës, si dhe sipërmarrjet për zhvillim, modernizim dhe integrim, në botën moderne.

Qeveria ka shpallur një konkurs ndërkombëtar për studimin urbanistik dhe mjedisor të zhvillimit të turizmit në gjithë bregdetin e jugut, nga do të dalin brenda muajit korrik 2004 fituesit, që këtë studim urbanistik dhe ambjental për bregdetin e Jonit, që bëhet për herë të parë, do ta kthejmë në një proces zhvillimi, modernizimi dhe përparimi, për t'i hapur rrugën investimeve në Himarë dhe në gjithë bregun, për t'i dhënë zhvillim të vërtetë turizmit dhe mirëqënies tuaj. Qeveria do të vazhdojë të mbajë në qendër të vëmendjes në projektet për zhvillim kombëtar, Bashkinë e Himarës dhe gjithë zonën e bregut.

Ju e dini dhe, unë jam këtu për t'ua përsëritur se nga Himara do të kalojë një degë e Korridorit Veri-Jug, nga integrohet Shqipëria me vendet e Europës, prandaj pa pritur për projekte më të detajuara se derimëtani, vetëm për përmirësimin e infrastrukturës së lëvizjeve të lira dhe të zhvillimit, të rrugëve që lidhin Himarën me pjesën tjetër të vendit, në tre vitet e fundit Qeveria ka investuar 1 miliard e gjysëm lekë të reja, nisur që nga Vlora e duke arritur deri tani te Ura e Palasës, për të vijuar më tej.

Në këtë aspekt dua, sot, t'ju jap lajmin e mirë se kemi siguruar edhe fondin për të rindërtuar rrugën hyrëse të qytetit të Himarës, që edhe në këtë sezon do të mbështesë zhvillim të qëndrueshëm te sipërmarrja juaj turistike. Turistët venë e vijnë, kryesisht, në muajt e nxehtë për t'u freskuar dhe për të forcuar miqësinë me ju vendasit dhe gjithashtu ju keni nevojë për kushte normale jetese dhe që sipërmarrja juaj të zhvillohet 365 ditë në vit. Prandaj Qeveria do të vazhdojë të financojë projektet që zgjidhin problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, infrastrukturën shëndetësore, të arsimit, të furnizimit me energji elektrike dhe të tjera shërbime të dorës së parë për komunitetin.

Këshilli i Qarkut të Vlorës ka miratuar gjithashtu fondin për rindërtimin e këtij sheshi para bashkisë. Nga buxheti i shtetit janë dhënë gjithashtu, fonde për të çelur dhe vënë në shfrytëzim një numër pusesh të reja, që garantojnë furnizimin normal me ujë të pijshëm të Himarës. Investime publike përfitojnë sivjet edhe Palasa, Dhërmiu etj. për furnizimin me ujë, për arsimin dhe shëndetësinë.

Pra, progresi në Himarë dhe në gjithë bregun është i dukshëm dhe megjithëse shumë himariotë kanë nisur të kthehen nga emigracioni dhe po investojnë në pronat dhe tokat e veta, ende numri i atyre që kanë mbyllur shtëpitë është i madh dhe llogaritet në gati 6000 vetë. Kthimi i tyre në shtëpitë e veta është një nga qëllimet tona të përbashkëta prandaj ne po vazhdojmë t'i pasurojmë dhe t'i përmirësojmë programet e punës dhe të investimeve për zhvillim në mënyrë që shtëpia e parë të modernizohet pa ndalur lëvizjen e lirë drejt botës moderne.

Pra, më lejoni të theksoj se miratimi i studimit urbanistik të Rivierës, të bregdetit Jonian prej 70 km përputhet në kohë me fillimin e zbatimit të ligjit më të ri të kthimit dhe kompensimit të pronave. Kjo do të thotë që kudo që do të kthehet, do të njihet dhe do të kompensohen pronat e banorëve autoktonë, të banorëve të bregut, ato po bëhen të gatshme për të mirëpritur plane zhvillimi, investimi dhe sipërmarrje, për të krijuar një bum të zhvillimit të gjithë zonës, për një periudhë relativisht të shkurtër.

Kthimi dhe kompensimi i pronave, hartimi i studimit ndërkombëtar për Rivierën, vazhdimi i ndërtimit të Korridorit Veri-Jug, vazhdimi i financimeve në sektorët prioritarë të shëndetit dhe arsimit publik e privat, zgjerimi i sistemit privat bankar, përbëjnë atë stad të nevojshëm për të ndërtuar dhe zhvilluar në zonën tuaj industrinë origjinale të turizmit, të agrobiznesit dhe të shërbimeve, që nisin që nga turizmi familjar.

Ta gëzoni këtë sezon turistik,Ta gëzoni të sotmen, ta jetoni më mirë të ardhmen dhe ju garantoj se ajo do të jetë shumë më e mirë, shumë më e gjatë, më e sigurt, më e shpejtë, më e integruar.

Gëzuar festën e detit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›