Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës në qytetin e Sarandës ka marrë pjesë sot në inaugurimin e degës së re të Bankës Popullore në këtë qytet. Kjo bankë ofron tashmë për qytetarët sa
Kryeministri Fatos Nano gjatë vizitës në qytetin e Sarandës ka marrë pjesë sot në inaugurimin e degës së re të Bankës Popullore në këtë qytet. Kjo bankë ofron tashmë për qytetarët sarandiotë të gjitha shërbimet bankare. Në këtë aktivitet Kryeministri Nano shoqërohej edhe nga Ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli.
Më pas, Kryeministri Nano ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë së Sarandës dhe këshillin bashkiak të këtij qyteti. Në këtë takim Kryeministri ka firmosur aktin e kalimit në pronësi të Bashkisë së Sarandës së Shtëpisë së Oficerëve dhe përdorimin e saj si qendër kulturore artistike pa ndryshim destinacioni. Një akt i tillë vjen menjëherë pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave që në kuadër të proçesit të deçentralizimit të kompetencave të pushtetit vendor po ofron më shumë mundësi menaxhimi nga ana e pushtetit lokal për resurset vendase.
Në këtë takim, Kryeministri Nano shprehu angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të punuar sëbashku me autoritetet vendore në funksion të zhvillimit, rritjes së standarteve dhe proçesit të integrimit europian të vendit. "Pavarësisht proporcioneve të përfaqësimit partiak në qeverisjen vendore, qeveria që unë drejtoj do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese për realizimin e projekteve të ndryshme në infrastrukturë, energjetikë, arsim, shëndetësi, etj., të cilat do të prodhojnë më shumë progres dhe zhvillim për komunitetin", tha Kryeministri Nano.
Gjithashtu, Kryeministri siguroi se pas amendimit në Parlament të shtesës në buxhetin e shtetit pas privatizimit të suksesshëm të Bankës së Kursimeve janë të mirëpritura projektet që do të zhvillojnë më shumë qytetet tona. Në këtë kuadër, zoti Nano e ftoi Kryetarin e Bashkisë së Sarandës dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak që të fillojnë negociatat me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe atë të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit për alokimin e financimeve në projekte të infrastrukturës rrugore, që do ta afrojnë qytetin e Sarandës më pranë standarteve të botës moderne, si dhe do të krijojnë hapësirat e nevojshme për integrimin e tij në turizmin mesdhetar.
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë së Sarandës në emër të Këshillit Bashkiak i shprehu falënderimet Kryeministri Nano, duke u shprehur gjithashtu se pavarësisht forcave politike që përfaqësohen në pushtetin vendor, prioritare mbeten interesat e qytetarëve dhe zhvillimi.