Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë dje në qytetin e Sarandës në Konferencën Kombëtare "Privatizimi në Shqipëri: Reformim, Zhvillim, Modernizim dhe Integrim i Ekonomisë Kombëtare". K
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë dje në qytetin e Sarandës në Konferencën Kombëtare "Privatizimi në Shqipëri: Reformim, Zhvillim, Modernizim dhe Integrim i Ekonomisë Kombëtare". Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Ekonomisë dhe në të merrnin pjesë edhe përfaqësues të biznesit vendas dhe të huaj.
Në fillim të punimeve të konferencës Kryeministri Fatos Nano u shpreh:
"Kam kënaqësinë të marr pjesë dhe të kontribuoj në këtë bashkëbisedim, ku besoj do të arrijmë natyrshëm të përqendrohemi në komponentë dhe inciativa, që thellojnë dhe përshpejtojnë proçesin e privatizimit për ndërrmarrjet strategjike, sidomos, ato që ende janë pronë publike, - siç na ndihmoi me një montazh të gjetur edhe organizatori me dokumentarin që sapo kaloi përpara syve tanë,- duket se etapa e tranzicionit shqiptar, me gjithë problematikën e saj, vërtetoi se proçesi i privatizimit dhe krijimi i një ekonomie të hapur të tregut, ka sjellë transformime rrënjësore ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri.
Prandaj, ne jemi të bindur se përfundimi me sukses i këtij procesi do t'i shtojë efektet pozitive në të gjitha tregjet, përfshi edhe atë të punësimit, apo veçanërisht, edhe në cilësinë e mallrave edhe të shërbimeve, me stabilitetin makro apo edhe në uljen e mëtejshme të çmimeve, për shkak të konkurrencës, në rritjen e kontribuesve dhe të kontributeve fiskale, duke ulur presionin dhe duke zgjeruar bazën, si dhe në konsolidimin e mëtejshëm, jo vetëm të sipërmarrjes dhe të organizatave të saj përfaqësuese, por shpresoj edhe të aftësive konkurruese të sipërmarrjes private, vendase dhe të huaj, që operon në tregun e Shqipërisë me zhvillimin cilësor dhe pozitiv, që tashmë ndërton plane biznesi dhe investimesh edhe për një treg rajonal.
Iniciativa e Ministrit të Ekonomisë për të na nxitur të shkëmbejmë informacion dhe për të bërë debat në këtë konferencë është në kohën e duhur e dobishme dhe prandaj më lejoni ta përkrah menjëherë, sepse vjen dhe integrohet natyrshëm me disa paketa, që po arsyetohen për të përgatitur vendimmarrjen e munguar ose për të hedhur në tregun e hapur ndërrmarrje të rëndësishme publike, që kërkojnë investitorë të rinj strategjikë.
Kjo ndodh në një kohë kur ekonomia shqiptare është e gjitha e orientuar nga një treg rajonal dhe global, për shkak të kuadrit, instrumenteve të standarteve dhe të negociatave për integrim, një kuadër marrëveshjesh, një kuadër institucionesh, një shtrat instrumentesh tregtarë, bankarë, financiarë dhe një numër iniciativash, që po rrisin shkallën e sipërmarrjes, krahas shëndoshjes graduale por të sigurt të ballancave dhe të raporteve e ekuilibrave të menaxhimit publik të borxheve apo të defiçiteve, si dhe në raportet midis eksportit dhe importit, apo investimeve private vendase dhe të huaja.
Është i tretur mirë duket, informacioni që vjen nga proçesi i privatizimit i shtrirë tashmë në më shumë se një dekadë, i cili falë edhe kësaj kujtese na risolli në vëmendje impaktin e rëndësishëm që dha ky proçes në zhvillimin e sektorit të shërbimeve dhe në krijimin e tregut imobiliar të banesave.
Reduktimi i pronës publike në favor të pronës private nëpërmjet privatizimeve krijoi themelet e kësaj sipërmarrjeje të re shqiptare, që po konsolidohet dhe po integrohet në mënyrë kompetitive në tregjet gjithnjë e më të hapura nga rajoni dhe në ato globale. Mund të ketë sot kritika të shumta për etapën e parë të privatizimit, pra periudhën e viteve ‘92-‘96, por si dimension ekonomik ajo ishte etapa e privatizimit të ndërrmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Kritikat për të qenë koshient lidhen me mungesën e transparencës të proçesit, me mungesën e garancive të duhura që ta integronin apo balanconin privatizimin me vetë zhvillimin apo rritjen, krijimin e elementëve të parë të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe kritikat më të pakontestueshme, besoj, se janë ato që lidhen me përdorimin politik të pronave publike për të shërbyer me klientelizëm militantizimin partiak apo thjesht në dobi të pushteteve jodemokratike të individëve, e kam fjalën.
Pra unë nuk jam këtu për t'i ndalur kritikat, as për t'i performuar ato. Jam këtu për të mos mohuar gjithçka që ka ndodhur përfshi edhe gjërat anormale apo ilegjitime me bindjen se ekonomia shqiptare duket se nuk iu shmang hyrjes në mënyrë spontane, por të vrullshme në një proçes nevoje për privatizim dhe ja ku jemi pavarësisht kostos dhe gabimeve.
Në këtë këndvështrim kam kënaqësinë të nënvizoj se veçanërisht qysh pas krizës së ‘97 – atëherë më lejoni të kapërcej modestinë e mirësjelljes- gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance prona private kapërceu në peshë specifike pronën publike për nga vlera në ekonominë kombëtare dhe për nga niveli i kontributit për produktin e brendshëm bruto dhe në sistemin fiskal.
Kjo ndodhi për faktin se privatizimi gjatë kësaj periudhe u bë me programe dhe strategji të qarta, me transparencë, me kondicionalitete dhe monitorim të lidhjes së tij apo të influencës dhe rritjen e cilësisë të mallrave dhe të shërbimeve, në punësim, në nxitjen e sipërmarrjes, të investimeve private vendase dhe të huaja dhe i lindur, i harmonizuar në shoqërim të proçesit të liberalizimit të tregjeve.
Me këtë proçes privatizimesh kemi arritur të rrisim efektivitetin e përdorimit te resurseve kombëtare gjithashtu, dhe lokale, si dhe ta shtrijmë hartën e agresionit të mirëqënies ndaj varfërisë në të gjithë territorin.
Edhe zhurmat që jo rrallë - po të mos ekzistonin duhet të shqetësoheshim më shumë - e shoqërojnë këtë proçes, vijnë më së shumti për shkak të rritjes së transparencës, prandaj ne i gjykojmë ato si pjesë e pandarë e maturimit të shoqërisë dhe të institucioneve me një mjedis gjithnjë e më demokratik.
Shpresoj të ndaj me ju disa konkluzione. Ne privatizimin nuk e konceptuam si një qëllim në vetvete, si mjet pasurimi grupesh apo klasash politike aq më pak, por e vumë në shërbim dhe në funksion të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm afatgjatë të një strukture ekonomike të mbështetur mbi efikasitetin dhe aftësinë konkurruese në proçesin e hapjes për integrim.
Pra, nuk e lamë këtë proçes, të privatizimit në dallgët e spontanitetit, e mbështetëm në një strategji kombëtare e cila vazhdon të shërbejë si një platformë bazë për të gjitha iniciativat që ndërrmarrim, që ofrohen që na sjellin kontakt me sipërmarrjen, që kanë të bëjnë pra me të gjithë legjitimitetin e tjetërsimit të pronës në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë.
Me politika të tilla natyrshëm Shqipëria renditet sot në vendet me privatizim më të avancuar krahasuar jo vetëm me ekonomi të tjera në tranzicion, por edhe me ekonomi të tilla të stabilizuara të tregut në formën e zhvilluar. Duket se ka nevojë dhe për pak fakte mbështetëse dhe domethënëse të këtij arsyetimi.
Nuk ka shumë kohë kur ne arritëm një sukses të madh,- por jo të parin dhe as të fundit jam i bindur – privatizimin më të suksesshëm në historinë e gjithë proçesit me kontratën e shitjes së Bankës së Kursimeve, me një vlerë tre herë sa ajo e inventarit. Besoj se mund të synonim ta lexonim më mirë këtë sukses në funksion të përgatitjeve dhe të privatizimeve të tjera strategjike.
E përgatitëm këtë sukses me një proçes të kujdesshëm dhe të xhestuar mirë, ristrukturimin e bankës, për ta bërë kompetitive në treg dhe kështu dhamë edhe një shembull menaxhimi publik të aseteve strategjike në proçes privatizimi, garantuam, një transparencë maksimale dhe vetëm kështu nxitëm një interes të strukturuar dhe të shëndetshëm për investitorë liderë në tregun financiar europian dhe më gjerë. Këtu arritëm sepse synuam ta sjellim apo ta vëmë tregun dhe kapitalin bankar tërësisht në administrim të sipërmarrjes private. Besoj, tashmë të gjithë jemi koshientë se kemi një konkurrencë të tillë, që do të sjellë përmirësim të të gjithë treguesve deri atyre të tregut financiar dhe bankar, veçanërisht luftën tonë të vendosur kundër ekonomisë kesh apo informalem, apo evazionit, apo transaksioneve jo transparente.
Më në fund ne duhet të jemi krenarë që arritëm të instalojmë në Shqipëri një bankë me një histori 144 vjeçare, pra Raifeissen që sigurisht pavarësisht nga debati i shpërndarjes,- të cilën e mbyllëm në mënyrë institucionale dje në Parlament - të shumës së arkëtuar, përfituam në dobi të investimit në ekonomi dhe të menaxhimit të borxhit 126 milionë dollarë, që po i bashkohen administrimit të prioriteteve që ka strategjia jonë për zhvillim dhe rritje të qëndrueshme, që nga absorbimi i borxhit deri te zhvillimi i infrastrukturave, arsimit, shëndetësisë etj.
Atëherë le ta vazhdojmë këtë hierarki: sektori i telekomunikacioneve na jep shembullin tjetër të madh të suksesit të privatizimeve me shoqërinë AMC, me liçensimin dhe zhvillimin e operatorit të dytë celular dhe me krijimin e një rrjeti gjithnjë e në rritje me operatorët ruralë të shërbimit telefonik, por besoj se nuk jemi këtu për të administruar sot dhe nesër gjithë problematikën e marrëdhënieve midis telefonisë fikse, telefonisë mobile dhe rurale sidomos. Jemi koshientë për zonat e errësirës që po dalin në dritë, edhe falë debatit që po nxit opozita. Por duhet të jesh një mazhorancë e përgjegjshme që të inkasosh për të përmirësuar menaxhimin publik dhe atje ku ka ende zona të rrëshqitshme.
Para 5 vitesh, vetëm 10 vetë në 100 kishin akses në shërbime telefonike, sot janë 1 milion e 100 mijë abonentë që do të thotë një ndër tre. Investimet private në këtë sektor sot kapin shifrën e më shumë se 700 milionë dollarëve. Ky është një shembull i privatizimit në tregun e telekomunikacioneve.
Një shembull tjetër suksesi është sektori i elektroenergjisë ku është realizuar privatizim me shtije direkte apo me konçensione i më shumë se 30 hidrocentraleve të vegjël me një fuqi të instaluar 20 Mega vjetore. E gjithë reforma në KESH gjithashtu ka si objektiv përfundimtar privatizimin, përmes ristrukturimit për të mbërritur te i vetmi terminal që i jep fund anomalive të trashëguara.
Pra po hidhen hapat e fundit të proçedurave për privatizimin e shërbimeve ndaj klientëve dhe kjo do të sjellë rritjen e standarteve rritjen e arkëtimeve dhe zbritjen e humbjeve.
Sektori i naftës dhe i gazit është gjithashtu një shembull i suksesit. Në të është realizuar ristrukturimi i Albpetrolit, organizativ, financiar dhe i burimeve njerëzore, si proçes ristrukturimi për të gjitha shoqëritë Armo, Albpetrol dhe Servcom. Janë operative në treg konçensionet dhe liçencat për rregullimin e tregut të hidrokarbureve, si dhe janë krijuar dhe po operojnë, po konkurojnë, shoqëri të specializuara stokazhi. Në sektorin e minierave është realizuar dhënia me konçension e industrisë së Bakrit, Kromit, Nikel-silikatit dhe ato po integrohen natyrshëm në tregun e hapur, madje po nxisin dhe eksportet.
Në infrastrukturën e transportit kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për kontratat konçensionare, në transportin ajror, detar, infrastrukturë portuale, hekurudha etj.
Sektori i furnizimit me ujë është një tjetër histori që po krijon sukses, përfshi edhe trajtimin e ujrave të ndotura, ku po realizohen të tjera kontrata konçensionare dhe menaxhimin për qytete si Elbasani, Kavaja, Durrësi, Fieri, Saranda, Lezha apo në proçes për Beratin, Kuçovën, Vlorën, Shkodrën etj. Të gjitha këto pra, me emëruesin e përbashkët, hapjen dhe liberalizimin e ekonomisë, krijuan një ambjent konkurence, edhe për sektorin publik, rritën ndjeshëm eksperiencën dhe rezultatetet menaxheriale, rritën pra dukshëm edhe vlerën e aseteve, që kemi ende për të privatizuar.
Rastet e Bankës së Kursimeve, KESH-it etj, nuk janë në përfundim modele apo produkte rastësore, por produkte të një sistemi të orientuar qartë nga politikëbërja, por edhe nga zbatimi korrekt i strategjive të zhvillimit. Tashmë shoqëritë publike shqiptare, janë dinamike dhe aktive në treg sa edhe aktorët e tjerë që operojnë në të, ofrojnë shërbime, cilësore, më të përmirësuara, më konkurruese, dhe mbi të gjitha, që sigurojnë investime të rëndësishme, për mbështetjen e të gjithë shtratit të rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit, duke qenë pra shoqëritë publike komplementare të qëndrueshme të sektorit privat, që është lider në zhvillimin ekonomik.
Pra do të vazhdojmë ta shohim përsosjen e administrimit të shoqërive publike si një garanci, për politikat, iniciativat e tërheqjes së investitorëve të huaj në vend, dhe për vetë suksesin dhe mbylljen e ciklit të suksesit të proçesit të privatizimit në Shqipëri.
Ky proçes, ky cikël, përfundimi i tij, natyrshëm kërkon rishikimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor, gjetjen e formave sa më atraktive, transparante dhe efikase, që objektivat që janë programuar të përmbushen.
Prandaj qeveria është e angazhuar plotësisht, për ta bërë akoma më interaktiv dhe proaktiv legjislacionin e privatizimit edhe në funksion të përshpejtimit të ritmeve të realizimit të produktit përfundimtar, të programeve të privatizimit, veçanërisht në sektorë të tillë si telekomunikacionet dhe energjitika tanimë.
Privatizimi në Shqipëri është realizuar dhe do të vazhdojë të nxitet në harmoni me zhvillimin e reformës ekonomike, në të gjitha drejtimet. Ne e mbështesim dhe e vlerësojmë këtë proçes, për të dy palët, pra aktive dhe pasive, si instrumenta, por edhe objektivat e strategjisë për zhvillimin ekonomik dhe social, dhe për zbutjen e varfërisë ku përcaktohen qartë, prioritetet e zhvillimit makro dhe mikro-ekonomik të sektorëve dhe në funksion të atij zhvillimi afatgjatë dhe të qëndrueshëm për të kapur edhe standarte europiane në treg apo në sipërmarrje.
Ne e dimë mirë se suksesi dhe produkti i kësaj strategjie varet në masë të konsiderueshme nga suksesi i vetë proçesit të privatizimit, sidomos kur fjala është për sektorë strategjikë që kanë ndikime të theksuara ekonomike dhe sociale.
Në këtë konferencë do të vijë - edhe ministri e anunçoi këtë lajm të mirë- për tu paraqitur paketa e fundit e akteve nënligjore që janë përgatitur për privatizimin e Albtelekomit dhe të ARMO-s, të dyja Sh.A., shumë të rëndësishme me aktivitet në telekomunikacion dhe në përpunim e tregtim karburantesh. Dhe në këtë paketë ligjore kemi synuar të integrojmë praktikat më të mira që po zbatojmë, por edhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Dhe prandaj kur ta merrni në duar, lexojeni si një angazhim të qeverisë në reforma strukturore dhe jo vetëm si një ofertë tregu.
Vlen për tu përgëzuar në këtë rast kjo praktikë e mirë, e ministrisë së Ekonomisë për një bashkëpunim tërësisht të hapur dhe transparent në marrdhënie me publikun e gjerë, me aktorë të interesit me institucione që na mbështesin, me median gjithashtu, e cila po jep fryte në kontribute, opinione dhe korrigjim shënjestrash me mendim profesional, që aktet të përmirësohen dhe të realizohen.
Besoj se është një tjetër shembull dhe përvojë që i shtohet parnteritetit të hapur të intitucioneve shtetërore me publikun dhe grupet e interesit.
Më lejoni të përfundoj duke shprehur një dëshirë: ajo që do të dëshiroja të dëgjoja gjatë punimeve të këtij auditori është sugjerimi pse jo edhe kritik, që të na nxisë të kuptojmë njëlloj sesi kjo paketë standarte aktesh ligjore a nënligjore të kthehet në një instrument aktiv, në një platformë tjetër për të nxitur përmirësime të mëtejshme strukturore apo ekonomike, financiare që i maksimizojnë vlerat e shoqërive që po hidhen në treg. Me "vlera", nuk e kam fjalën thjesht për të kapërcyer shifrën e Raifeissen-it, që do të shkojë sërish në buxhetin e shtetit por për sistemin e treguesve që krijojnë iniciativa dhe resurse për të gjithë tregun e sektorit, që do të sjellin medoemos dhe në përmirësimin e munguar, në standartet e shërbimit ndaj konusmatorëve, dhe në aktivizim apo integrim të resurseve njerëzore.
Edhe njëherë punë të mbarë duke besuar se ju dini ta krijoni suksesin".