Në mbledhjen e tij të rradhës, Këshilli i Ministrave miratoi një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme. Kështu, u miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqi
Në mbledhjen e tij të rradhës, Këshilli i Ministrave miratoi një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme.
Kështu, u miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen "Për adoptimin e kushteve të njëjta për kontrollet teknike periodike të mjeteve me rrota dhe njohjen e ndërsjelltë të kontrolleve të tilla".
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është unifikimi i kushteve të kryerjes së kontrolleve teknike periodike të mjeteve të transportit rrugor dhe për njohjen reciproke të këtyre kontrolleve nga shtetet palë në marrëveshje. Kjo gjë synon rritjen e sigurisë së lëvizjes së automjeteve duke evituar aksidentet dhe avaritë si pasojë e mosrespektimit të kushteve teknike të mjeteve dhe mbrojtjen e mjedisit, ndotja e të cilit është rritur për shkak të rritjes së theksuar të lëvizjes rrugore.
Në bazë të kësaj marrëbveshjeje, palët kontraktuese pranojnë rregulla të njëjta për kryerjen e kontrolleve teknike periodike të automjeteve të rregjistruara në territorin e tyre, ose të lejuara për tu shfrytëzuar në këtë territor, si dhe për njohjen reciproke të këtyre kontrolleve të bëra sipas këtyre rregullave. Këto rregulla përcaktohen dhe administrohen në kuadër të veprimtarisë së një Komiteti Administrativ i cili krijohet nga të gjitha palët kontraktuese.
Rregullat përmbajnë këto aspekte kryesore:
a. kategoritë e mjeteve me rrota dhe frekuenca e inspektimit të tyre;
b. pajisjet dhe /ose pjesët për t'u inspektuar;
c. metodat e testimit me anë të të cilave duhet të demostrohet çdo kërkesë e performancës;
d. kushtet për dhënien e çertifikatës së kontrollit dhe njohja reciproke e tyre.
****
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen "Për transportin ndërkombëtar të ushqimeve delikate dhe pajisjet speciale, që përdoren në këto transporte".
Marrëveshja synon përmirësimin e kushteve të konservimit të ushqimeve delikate që prishen shpejt gjatë transportimit të tyre, pranimin dhe njohjen e detyrimeve reciproke të të gjitha palëve kontraktuese në territorin e së cilës kryehen operacionet e ngarkimit, shkarkimit dhe transportimit të ushqimeve delikate, njohjen dhe pranimin e konstruksioneve të unifikuara dhe standartizuara të pajisjeve speciale të transportimti të ushqimeve delikate, si dhe njohjen e çertifikatës së kontrollit të këtyre pajisjeve në territoret e palëve kontraktuese.
Çdo shtet palë në marrëveshje ka të drejtën për të mos pranuar në territorin e saj, ushqime delikate, të cilat nuk janë transportuar me pajisje speciale, në përputhje me kushtet e parashikuara në marrëveshje (nuk janë të çertifikuara).
****
U miratua projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Marrëveshjen Europiane "Për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave të rrezikshme (ADR)" dhe protokollin e nënshkrimit".
Aderimi i vendit tonë në këtë marrëveshje do të plotësojë kuadrin ligjor me dispozita nënligjore në lidhje me transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave të rrezikshme.
Qëllimi i marrëveshjes është unifikimi i rregullave të njëjta në shënimin, në ambalazhimin, në magazinimin, në mjetet që përdoren nga transportuesi i mallrave të rrezikshme, nga nisësi te pritësi dhe masat mbrojtëse që merren në rast aksidentesh.
****
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të Konventës për kontrollin e duhanit".
Duhanpirja është një problem ndërkombëtar. Kjo është arsyeja që u aprovua dhe po nënshkruhet me shpejtësi nga të gjitha shtetet Konventa për Kontrollin e Duhanit. Deri tani ajo është nënshkruar nga 90 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kjo Konventë ka për qëllim mbrojtjen e brezave të sotëm dhe të ardhëm nga shkatërrimi i shëndetit, ai social, mjedisor dhe ekonomik, pasojë e konsumit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të tij, duke parashikuar një strukturë për masat e kontrollit të duhanit që do të zbatohen nga palët në nivelin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, në mënyrë që të reduktohet gradualisht e rrenjësisht prevalenca e përdorimit të duhanit.
****
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin në parim të Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të marrëveshjes së kredisë, ndërmjet Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e prodhimit të energjisë termike, Vlorë".
Banka Botërore (IDA), BERZH-i dhe BEI kanë rënë dakort për financimin e ndërtimit të fazës së parë të TEC-it të ri Vlorë, me fuqi të instaluar 100 -135 MË, i cili në fazat e mëtejshme do të arrijë rreth 300 MË.
Aktualisht, me VKM Nr.85, datë 15.022004 është miratuar në parim Marrëveshja e Kredisë me IDA me vlerë 25 milionë USD, e cila është nënshkruar më 06.04.2004.
Marrëveshja e Kredisë midis KESH sh.a. dhe BERZH parashikon financimin në masën 40 milionë Euro të TEC-it të Vlorës dhe është mbështetur në termat dhe kushtet standarte të BERZH-it.
Përfitimet kryesore nga zbatimi i këtij projekti do të jenë: rritja e prodhimit të energjisë elektrike në vend; reduktimi i kufizimeve në furnizimin me energji elektrike për shkak të mungesës së saj; reduktimi i humbjeve të energjisë në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes; përmirësimi i nivelit të tensionit tek konsumatorët sidomos në zonat e jugut të vendit; ulje të importeve të energjisë elektrike; përmirësim i programeve në reformat e sistemit energjitik.
Asistenca teknike ne kuadër të projektit do të përballohet nga Banka Botërore me mirëkuptimin e BERZH dhe BEI. Në financimin e TEC-it të ri të Vlorës, përveç tre bankave të përmendura do të kontribuojë edhe vetë KESH sh.a.
Në këtë marrëveshje, huamarrës dhe Agjenci Përgjegjëse është KESH sh.a. ndërsa Republika e Shqipërisë është garantues. Nëpërmjet marrëveshjes së garancisë, Republika e Shqipërisë si garantues merr përsipër përmbushjen e të gjitha detyrimeve që KESH ka kundrejt BERZH lidhur me principalin, interesat dhe komisionet.
****
U miratua Vendimi "Për miratimin e rregullores për përshkrimin, proçedurat e propozimit, të shqyrtimit dhe të dhënies së medaljeve personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë."
Objekt i kësaj rregulloreje është përshkrimi i medaljeve që i jepen personelit që shërben në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rregullat dhe proçedurat për propozimin, shqyrtimin, dhënien dhe mbajtjen e tyre.
Në rregullore janë pasqyruar disa përkufizime që kanë të bëjnë me motivacionet e dhënies së tyre. Janë përkufizuar terma të tilla si "arritje të veçanta", "arritje të merituara", "shërbime të merituara","trimëri e lartë", "vendosmëri e lartë", "heroizëm për shpëtimin e jetës'' etj.
Çdo medalje ka formën dhe përmbajtjen e saj dhe është pjesë përbërëse e kësaj rregulloreje. Është mbajtur parasysh që medaljet t'i përgjigjen motivacionit, të kenë elementët e domosdoshëm për ta treguar atë, të kenë identitetin kombëtar dhe ushtarak. Në rregullore është parashikuar që medaljet të jepen me urdhër me shkrim të autoritetit përkatës dhe të shoqërohen me çertifikatë.
Kjo rregullore do të ndikojë në bërjen publike të figurës së ushtarakut dhe veprimtarisë së tij, njohjen e personelit ushtarak në shoqërinë civile dhe motivimin e tyre për realizimin e detyrave.
****
U miratua vendimi "Për kriteret dhe masën e kompesimit të ushtarakut të Forvcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kur emërohet ose komandohet në detyrë dhe jashtë vendbanimit të tij"
Në zbatim të Ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 "Për pushtete dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", Ministri i Mbrojtjes komandon oficerët e Forcave të Armatosura në një detyrë tjetër për një periudhë kohe jo më shumë se gjashtë muaj.
Në vendim është përcaktuar që kur ushtaraku transeron familjen nga vendbanimi i përhershëm në atë ku është emeruar, transporti i familjes dhe i materialeve shtëpiake të mbulohet falas nga Ministria e Mbrojtjes me mjetet e saj.
Gjithashtu është parashikuar që, në rastet e komandimit në një detyrë tjetër jashtë vendbanimit të përhershëm, ushtarakut t'i sigurohet fjetje në shtëpitë e ushtarakëve dhe shpenzimet e fjetjes të përballohen në masën 100% nga struktura ushtarake.
****
U miratua vendimi "Për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi i segmentit rrugor Ura e Bunës-Muriqan".
Me anë të këtij vendimi bëhet shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga rehabilitimi i segmentit rrugor Ura e Bunës-Muriqan. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, sipas vendimit, kompensohen në vlerë të plotë. Vlera e përgjithshme e shpronësimti ka shifrën e 8 798 440 lekë.
****
U miratua vendimi "Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar "Mbi dhomën e mjekëve veterinarë dhe profesionin e mjekut veterinar"
Vendimi vlerëson se projektligji nuk është harmonizuar me rregullat bazë të hartimit të projektligjit. Ai nuk përmban dispozita të pergjithshme, të cilat do të qartësonin objektin, qëllimin, fushën e veprimtarisë, nuk ka një strukturë të mirëpërcaktuar nenesh, nuk përmban një nen të posaçëm, ku të jepet kuptimi i termave apo koncepteve të përdorura, rregullime të cilat duhej të parashikoheshin në kreun I të tij.
Gjithashtu ai dhet të përcaktojë në mënyrë më të qartë procedurat e fitimit dhe të humbjes të së drejtës së ushtrimit të profesionit, në përputhje me përcaktimet klasike, që legjislacioni shqiptar parashikon për raste te tilla.
Kreu IV i projektit nuk parashikon qartë përbërjen e Dhomës së Mjekëve Veterinerë, megjithëse parashikon një mori organesh përbërës të kësaj dhome, si konferenca kombëtare, këshilli kombëtar, vëzhguesi kombetar dhe gjyqi kombëtar, si dhe skema burokratike të funksionimit të tyre të brendshëm, të cilat nuk kanë qëllim praktik dhe të frytshëm në funksionimin e kësaj dhome, si një ent publik, me detyrë përfaqësimin e interesave të përbashkëta të veterinerëve. Realizimi i kësaj skeme organizimi është mjaft i kushtueshëm dhe do të rëndonte bilancin financiar të dhomës.
****
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të memorandumit të mirëkuptimit për krijimin e Forumit Rajonal të Nismës së Migrimit, Azilimit dhe Kthimit të Refugjatëve"
Forumi Rajonal i Migrimit, Azilimit, dhe Kthimit të Refugjatëve do të funksionojë në kuadër të SEECP (South East Europian Cooperation Process), por me axhendë aktivitetesh të veçanta. Ai do të ketë Presidencën e vet të radhës, e cila do të jetë me rregull rotacioni. Me vendim të Forumit të I-rë të Ministrave të SEECP-së, Shqipëria ka marrë e para Presidencën, të cilën do ta mbajë në periudhën kohore 1 prill 2004-31 mars 2005. Gjatë kësaj kohe ajo ka si detyrë të formalizojë të gjitha procedurat e nevojshme institucionale për funksionimin e Forumit.
Dy detyrat më kryesore të Presidencës së vendit tonë janë:
1. Hartimi i kësaj platforme, në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Rendit Publik, atë të Punës dhe Cështjeve Sociale dhe Ministrin e Shtetit për Koordinim.
2. Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis vendeve pjesmarrëse, për ngritjen e Qendrës rajonale të MARRI-t në Shkup. Ajo do të ndihmojë në aspektin administrativ në mbarëvajtjen e punës drejtuese të Presidencës së rradhës, si dhe të Forumit në tërësi.
Nënshkrimi i këtij memorandumi Mirëkuptimi do të mbulojë të gjitha aspektet ligjore të nevojshme për të vepruar në kuadër të Forumit të MARRI-t dhe ngritjes së një Qendre Rajonale të këtij Forumi.