E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar pjesëmarrës Miq dhe të ftuar Duke ju uruar mbarësi në shfrytëzimin e këtij tregu modern, më lejoni të theksoj se sot duke prerë këtë shirit inagurimi hedhim nje hap shumë

Të nderuar pjesëmarrës
Miq dhe të ftuar

Duke ju uruar mbarësi në shfrytëzimin e këtij tregu modern, më lejoni të theksoj se sot duke prerë këtë shirit inagurimi hedhim nje hap shumë të rëndësishem në transformimin e bujqësisë shqiptare sipas standarteve të përparuara evropiane. Ky investim i përbashkët i Bankës Botërore, Qeverisë Shqiptare dhe Bashkisë së Lushnjes mund të konsiderohet modest për nga fatura financiare, por tepër i rëndësishëm në rrugën e realizimit të angazhimeve programore të qeverise, për të ndërtuar një bujqësi moderne që plotëson gjithnjë e më shumë nevojat e tregut vendas dhe qe konkurron me sukses në tregjet rajonale e më gjerë. Pas tregut të Lushnjes brenda një periudhe të shkurtër kohe, vetëm për ndërtimin e sistemit kombëtar të tregjeve të përqendruara të produkteve bujqësore do të investohen më shumë se 4 milion dollarë në qytetet e Korcës, Shkodrës, Vlorës dhe më vonë Tiranës. Këto tregje moderne dhe funksionale, po krijojnë sipërmarrësit e mirëfilltë të tregëtimit të produkteve bujqësore, duke filluar shkëputjen e prodhimit nga tregëtimi. Praktika të tilla i lënë më shumë kohë fermerëve tanë të përkujdesen për rritjen e prodhimit të tyre si dhe të ulin më tej kostot e daljes në tregje duke ja lënë tregëtimin sipërmarrësve dhe menaxherëve të tregjeve. Thellimi i reformave dhe ndërtimi i infrastrukturave moderne lokale e kombëtare në bujqësi po nxitet nga progresi i dukshëm që ky sektor po përjeton, si dhe nga një politikë e qartë e Qeverisë për ta përfshirë me kapacitete të plota edhe bujqësinë tonë në procesin e integrimit evropian. Pa modernizim dhe integrim të bujqësisë dhe fshatit shqiptar nuk mund të kenë sukses integrimi evropian i vendit.

Vetëm për shkak të modernizimit të sistemit të tregëtisë së produkteve bujqësore në nivel kombëtar dhe lindjes së operatorëve të mirëfilltë tregëtarë, Qeveria parashikon që të ketë një rritje prej 20% të volumit të këtyre produkteve që mbërrijnë në tregun kombëtar dhe atë rajonal, duke shtuar drejtëpërsedrejti të ardhurat e fermerëve tanë dhe duke krijuar resurse të mjaftueshme për investime të mëtejshme. Duke u ndalur tek investimet, dje mora pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Panairit të Agrobiznesit në Tiranë. Sipërmarrësit e këtij sektori qartësisht janë orientuar në investime të teknologjisë moderne, që ruajnë njëkohësisht vlerat e bioproduktit tonë. Gjej rastin të shpreh bindjen për rezultate të shpejta dhe të prekshme në zhvillimin dhe zbatimin e reformave në bujqësi, bazuar në shifrat tepër të larta të importit të makinerive dhe pajisjeve bujqësore në 5 mujorin e parë të këtij viti. Ka njerëz që shprehin shqetësim se po na rritet deficiti tregëtar. Si Kryeministër po ju garantoj se Shqipëria po përmbys me shpejtësi raportet mes importeve konsumatore me importet teknologjike dhe bujqësia po zë peshën kryesore. Ky realitet i modernizimit të bujqësisë shqiptare e nxiti Qeverinë të rishohë politikat e saj të zhvillimit për të mundësuar uljen e mëtejshme të kostove në investim dhe prodhim, duke filluar me rishikimin e nivelit të akcizës për karburantet në këtë sektor jetik. Politikat e reja, të shoqëruara me investime publike e private në segmente nevralgjike të bujqësisë shqiptare, po krijojnë realitete të reja së bashku me këtë sistem tregjesh që inagurojmë sot, nga Lushnja.

Duke përfunduar më lejoni t'ju uroj suksese në sipërmarrjen tuaj dhe në shfrytëzimin sa më të efektshëm të këtij investimi simbolik, por shumë të rëndësishëm njëkohësisht.

Ta gëzoni tregun,
Punë të mbarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›