Të nderuar përfaqësues të sipërmarrjes beratase, Pranova me kënaqësi ftesën tuaj për të marrë pjesë në një bashkëbisedim që shërben sado pak në institucionalizimin e mëtejshëm t
Të nderuar përfaqësues të sipërmarrjes beratase,
Pranova me kënaqësi ftesën tuaj për të marrë pjesë në një bashkëbisedim që shërben sado pak në institucionalizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë dhe biznesit si dhe në marrjen e angazhimeve të përbashkëta që lehtësojnë më tej sipërmarrjen, që nxisin thellimin e investimeve dhe çeljen e vendeve të reja të punës, që përshpejtojnë arritjen e rezultateve në luftën kundër ekonomisë informale dhe konkurencës së pandershme e të paligjshme etj.
Unë e di që çdo sipërmarrje është risk, vecanërisht në Shqipëri ku ekonomia e tregut funksionon vetëm prej 12 vjetësh dhe ende nuk kemi përfunduar ndërtimin e rregullave që e shndërrojnë dhe tregun shqiptar në modelin, standartet dhe institucionet e tregjeve të vendeve euroatlantike.
Por, si Kryeministër, dua të shpreh kënaqësinë e veçantë se sipërmarrja private në Shqipëri po hyn në një cikël të ri zhvillimit cilësor duke filluar zhvendosjen nga tregëtia, në sektorë kryesisht të prodhimit dhe shërbimeve. Një tregues domethënës në këtë konstatim pozitiv është rritja shumë e ndjeshme e importit të makinerive dhe pajisjeve që po arrin në gati 20% e importeve totale. Ky është njëkohësisht dhe treguesi më garantues se deficiti tregëtar i vendit do të vijë në ulje për shkak se këto investime po zëvendësojnë me sukses produktet e importit dhe janë të afta të konkurojnë në tregjet rajonale dhe globale, falë dhe marrëveshjeve më të fundit të tregëtisë së lirë me një sërë shtetesh te rajonit dhe me gjere.
Gjithashtu edhe eksportet shqiptare, megjithëse ende në peshë specifike të ulët krahasuar me importet, duhet nënvizuar me forcë fakti se, mbi 85% e tyre drejtohen në tregun evropian, përfshirë dhe konfeksionet e kësaj fabrike të mrekullueshme ku jemi mbledhur. Ky biznes dhe sipërmarrësit që e përfaqësojnë mund të konsiderohen fare saktë ambasadorët pararojë të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjej rastin për t'ju njoftuar se në raundin e radhës së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit do të nisin bisedimet mes Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian për një Marrëveshje të Tregëtisë së Lirë në kuadër të procesit të integrimit ku jemi përfshirë dhe po ecim me sukses. Qeveria shqiptare konsideron se është krejtësisht e gatëshme për të filluar këto bisedime, për t'a bërë sa më shpejt ekonominë tonë pjesë integrale të ekonomisë evropiane. Objektivi ynë kryesor në këto bisedime për Marrëveshjen e Tregëtisë së Lirë me BE është favorizimi sa më shumë i produkteve dhe shërbimeve shqiptare që kënaqin kërkesat e tregut vendas dhe atij evropian. Nga Berati unë do të ftoja komunitetin sipërmarrës të rrisë bashkëpuninim me Qeverinë dhe institucionet e tjera ekonomike, financiare dhe bankare të vendit, për t'u përgatitur sa më mirë për shfrytëzimin e hapësirave të kësaj marrëveshje si dhe për përballimin e sfidave që do vijnë për shkak të zbatimit të saj.
Pjesa më e rëndësishme e programit të Qeverisë që unë drejtoj, padyshim, mbetet zhvillimi i ekonomisë dhe sipërmarrjes së lirë. Personalisht e konsideroj një detyrë dhe angazhim prioritar luftën që shteti po bën kundër evazionit fiskal, informalitetit në ekonomi dhe konkurencës së pandershme. Ka tentativa për t'a interpretuar këtë proces si represion ndaj biznesit. Por unë ju siguroj se është krejtësisht e kundërta. Vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar në organet licensuese rreth 5 mijë subjekte me shume se se një vit më parë. Nga njëra anë kjo do të thotë se biznese të ligjshme si tuajat, nuk mund të konkurohen më nga subjekte ilegale që akumulojnë fitime të paligjshme për shkak të shmangjes së kontributit fiskal. Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm i kësaj shtese prej 5 mijë subjektesh, janë sipërmarrje krejtësisht të reja, gjë që dëshmon klimën tepër të favorshme që është krijuar në Shqipëri për investime dhe fitim të ligjshëm.
Nëpërmjet një administrimi më të mirë të sistemit fiskal ndihmuar dhe nga procesi i decentralizimit që aplikuam për herë të parë sivjet, kemi zgjeruar me gati 10% bazën e tatimpaguesve, gjë që do të thotë se janë kushtet që për cdo subjekt të vecantë të ulet kostoja e kontributit fiskal.
Po lidhur me ndihmën konkrete ndaj sipërmarrjes dhe investitorëve, Qeveria ka përfunduar analizën e barrierave administrative që ju pengojnë dhe po përgatit, në bashkëpunim me Bankën Botërore, një paketë të re rregullash dhe ligjesh që e bëjnë sipërmarrjen më të zhdërvjellët dhe më të lehtë. Po në këtë kuadër Qeveria po shqyrton miratimin e një vendimi i cili konsiston në heqjen e licensave në veprimtaritë prodhuese të industrive joushqimore të cilat ekzistojnë prej vitit 2000.
Duke vlerësuar shqetësimin e sipërmarrësve për vonesat në pagimin e rimbursimit të TVSH nga ana e institucioneve financiare, në bashkëpunim me FMN po krijojmë një llogari të vecantë të thesarit të shtetit në në cilën do të derdhen rregullisht 5% e të ardhurave tatimore. Ky fond do të përdoret vetëm për pagimin e rimbursimit të TVSH.
Të nderuar sipërmarrës,
Qeveria synon, që këtë vit, me hapësirat ligjore si dhe bashkëpunimin e frytshëm me ju, ekonomia shqiptare të përfitojë më shumë se 1 miliardë dollarë investime. Kjo shifër është tepër realiste po të kemi parasysh se rreth 600 milion dollarë arrijnë investimet e buxhetit të shtetit dhe koorporatave publike dhe se importet për makineri dhe pajisje nga biznesi privat pritet të kapin shifrën e rreth 200 milion dollarëve (20% e importeve totale).
Unë nuk e di nga cilat kioska bëhen analizat për ekonominë shqiptare që paraqitet si e sëmurë, por shifrat që po ju deklaroj janë krejtësisht të verefikueshme. Më tej akoma, dua t'ju njoftoj se, në Këshillin e Ministrave kanë mbërritur kërkesat e para të sipërmarrjes shqiptare për të marrë me koncension ndërtimin e veprave shumë të rëndësishme dhe tepër të kushtueshme të infrastrukturës kombëtare, dëshmi e pakundërshtueshme e rritjes dhe konsolidimit të tyre.
Nisur nga ky realitet i ri dhe agresiv i sipërmarrjes private vendase, Qeveria po risheh sërish ligjin Për Prokurimet Publike, për t'ju shndërruar në partnerë realë në ndërtimin e infrastrukturave moderne të Shqipërisë, duke ju krijuar mundësi edhe për investime direkte nga fondet tuaja. Pra do krijohen hapësira që jo thjeshtë të përfitoni financime dhe punë publike, por edhe të investoni vetë në to sipas leverdisë tuaj. Pas miratimit dhe zbatimit të këtij projektligji Shqipërinë evropiane do ta ndërtojmë së bashku; shteti dhe sipërmarrja e lirë. Vetëm nëpërmjet këtij bashkëpunimi me përfitim reciprok dhe kombëtar do të zgjidhin më shpejt problemet e trashëguara në energjetikë, në infrastrukturë, në sistemin financiar etj.
Mund të zgjatesha edhe më tej për programet e Qeverisë në ndihmë të biznesit, por le t'ja lemë kohës dhe fakteve për të na gjykuar, duke ju garantuar se angazhimi im politik dhe qeverisës do të mbetet prioritar dhe konstant në këtë fushë. Punësimi, mirëqenia, siguria, kultura dhe shëndeti janë derivate të suksesit tuaj. Prandaj vazhdoni të qetë zbatimin e projekteve tuaja se ndihma e Qeverisë dhe maxhorancës nuk do t'ju mungojë asnjë cast.
Punë dhe fitime të mbara.