E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Ministrin e Shërbimit Publik të Kosovës z. Jakup Krasniqi. Kryeministri Nano garantoi se Qeveria Shqiptare mbetet e vëmendshme

Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë Ministrin e Shërbimit Publik të Kosovës z. Jakup Krasniqi.

Kryeministri Nano garantoi se Qeveria Shqiptare mbetet e vëmendshme lidhur me zhvillimet, ecurinë e reformave të progresit dhe stabilitetin në Kosovë.

Në fillim të këtij takimi z. Krasniqi vlerësoi dhe kërkoi ruajtjen e stabilitetit në Shqipëri si një faktor shumë i rëndësishëm edhe për ardhmërinë e Kosovës.

Z. Nano theksoi se problematika që kalon sot vendi ynë lidhet me faktin se Qeveria Shqiptare po godet mjaft ashpër dhe me vendosmëri krimin e organizuar dhe trafiqet. "Situata tensionohet nga reaksioni që vjen si pasojë e goditjes së këtyre fenomeve dhe bartësve të tyre, ku si gjithmonë ka një mbështetje nga Berisha. Kjo gjë po tregon çdo ditë se Berisha mbetet peng i lidhjeve të krimit"- tha Kryeministri .

Kryeministri Nano e cilësoi vitin 2004 si vit vendimtar për bashkëpunimin institucional politik dhe shoqëror me të gjitha qeveritë e rajonit në kuadër të procesit të integrimit dhe të përafrimit me institucionet euroatlantike. Në këtë kuadër z. Nano kërkoi intensifikimin e përpjekjeve për arritjen e standarteve më të larta duke u shprehur se "angazhimet tona duhet të jenë më transparente, të shtruara në tavolina të lira politike të rajonit".

Kryeministri vlerësoi dhe propozoi lëvizje më të shpeshta të grupeve të specialistëve, burimeve dhe projekteve ekonomike, trajnime si dhe forcimin e kontakteve të mediave të të dy vendeve.

Nga ana e tij Ministri Krasniqi u shpreh se "reformat në administratën publike megjithë ritmet e kënaqshme kanë pasur vështirësi për promovimin e personelit sipas standarteve të ligjit të shërbimit civil, nisur kjo edhe nga vështirësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në Kosovë. Sipas tij, problematikë e dytë ka qenë procesi i privatizimit të ndërmarjeve, i cili po ndesh vështirësi në implementim nisur nga fakti se ndryshimet ligjore pas vitit 1989 kanë vështirësuar këtë proces.

"Propozimet tona, tha z. Krasniqi, janë për të vazhduar reformën duke sjellë drejtues të rinj në krye të institucioneve të privatizimit". Procesi i reformave, vijoi më tej ai, po ndiqet nga disa grupe pune të cilat kanë bërë progres gjatë këtij viti.

Ministri i Shërbimit Publik të Kosovës e njohu Kryeministrin Nano me kuadrin e plotë ligjor, që po ndërrmerret në fushën e standartizimeve, legjislacionit, atë të ekonomisë etj.

Lidhur me klimën politike në Kosovë z. Jakupi u shpreh se UNMIK zotëron situatën duke mohuar edhe spekullimet e kohëve të fundit lidhur me të ashtuquajturat vrasje të paramentuara në radhët e LDK-së.

z. Krasniqi kërkoi një bashkëpunim më të frytshëm me ministrat homologë në Shqipëri, ku krahas komunikimit zyrtar kërkoi një mbështetje më të madhe profesionale nga ana e administratës së Qeverisë së Shqipërisë.

Gjithashtu Kryeministri Nano premtoi se në vizitën e tij të ardhshme në Kosovë do të shpreh arritjet e deritanishme dhe angazhimet tona konkrete për të ardhmen e rajonit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›