Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë: "Për nderimin e shenjtores shqiptare Nënë Terezës, dhe për përmi

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua sot pasdite mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë: "Për nderimin e shenjtores shqiptare Nënë Terezës, dhe për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të pasurisë publike e të statusit ligjor të marrëdhënieve të punës, të shkencës dhe të arsimit". Këshilli i Ministrave miratoi një numër projektligje e vendime.
19 Tetori, dita e Lumturimit të Anjezë Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza, shpallet Ditë feste Kombëtare
Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e tij të radhës projektligjin "Për një shtesë në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992, "Për festat zyrtare e ditët përkujtimore", i ndryshuar".
Në vazhdim të nderimit të figurës së shquar të popullit shqiptar Nënë Terezës, Grupi Ndërinstitucional i Punës për Organizimin dhe Ndjekjen e veprimtarive me Rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit ne muajin prill .2003, ka propozuar shpalljen e ditës së Shenjtërimit të Anjezë Gonxhe Bojaxhi, Nënë Terezës, Ditë feste kombëtare.
Projektligji i paraqitur propozon pikërisht shpalljen e datës 19 Tetor, "Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës", festë kombëtare.
Ndërkohë Grupi i Punës, i drejtuar nga Ministri i Shtetit pranë Kryeministrit, Blendi Klosi, pas shqyrtimit të propozimeve të paraqitura nga institucionet pjesëmarrëse në të, në bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ka vendosur për aprovimin e një kalendari veprimtarish dhe masash, të cilat do të realizohen nga institucionet shtetërore (anëtare të Grupit të Punës) me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
Qeveria shpall "Vitin e Nënë Terezës" periudhën 19 tetor 2003 – 19 tetor 2004
Gjithashtu, Keshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës sot miratoi vendimin për shpalljen e vitit të Nënë Terezës. Vlerësimi i shtetit shqiptar, për figurën e Nënë Terezës, nuk ka filluar kohët e fundit, por është ai një vlerësim i hershëm, që nis me vizitën e saj në tokën mëmë, vazhdon me shtrirjen e misioneve të Motrave të Nënë Terezës në disa rrethe të vëndit, më vonë me emërtimin e Qëndrës Spitalore Universitare, Aeroportit dhe Sheshit Nënë Tereza.
Këtyre përpjekjeve u janë bashkangjitur në mënyrë të padiskutueshme kontributet dhe vlerësimet e personaliteteve më të mëdhab të artit, e pasqyruar kjo në krijimtari dhe botime të ndryshme, përkthime, ekspozita figurative.
Lumturimi (lumnimi) i Nënë Terezës me datë 19 tetor 2003 është një vlerësim që i bëhet jo vetëm asaj duke e shpallur si Shenjt, por mbarë kombit shqiptar i cili ka të drejtë të krenohet me atë cfarë ky komb i dhuroi botës, një shenjt pothuajse e shpallur e tillë që kur ajo ështe gjallë. Vendimi propozon shpalljen e periudhës kohore 19 tetor 2003 deri në 19 tetor 2004 "Viti i Nenë Terezës" dhe propozohet në vazhdën e nderimit që kombi dhe shteti shqiptar i bën kësaj figure të ndritur të tij.
U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8670, datë 26.10.2000, "Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
Domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit të mësipërm, i cili ka rreth 3 vjet që zbatohet në FA, vjen pasi eksperienca trevjeçare ka evidentuar disa probleme që, në proçesin aktual të transformimit të Forcave të Armatosura, kërkojnë zgjidhje.
Miratimi i këtij projektligji do të shërbejë në përmirësimin e kritereve ligjore mbi gradimin e ushtarakëve, autoritetet e gradimit dhe përmirësimin e standarteve moderne të menaxhimit të personelit ushtarak.
U miratua vendimi për "Miratimin e projektit të modernizimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe të lidhjes hekurudhore me aeroportin e Rinasit, miratimin e studimit të fizibilitetit, si dhe miratimin në parim, të marrëveshjes së kontratës për këtë projekt.
Në zbatim të politikës së Qeverisë për përtëritjen e transportit hekurudhor dhe rritjen e peshës së tij specifike në kuadër të transporteve shqiptare u miratua projekti i modernizimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe të lidhjes me aeroportin e Rinasit, si projekt parësor.
U vendos miratimi i studimit te fizibilitetit për këtë projekt të përgatitur nga shoqëria General Electric Transportation Systems, S.p.A, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hekurudhave Shqiptare.
Pas kontakteve dhe negociatave paraprake me shoqërinë amerikane General Electric Transportation Systems S.p.A, u sigurua angazhimi i kësaj shoqërie si për kryerjen e studimit të Fisibilitetit dhe të një projekti teknik paraprak, ashtu dhe për ndërtimin dhe zbatimin e një skeme financimi, e cila do të angazhojë agjencinë italiane të garantimit të kredive SACE dhe EXIM BANK të shtetve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërhyrja në këtë linjë hekurudhore parashikon rehabilitime fizike në linjë dhe stacione, shtrimin e kabllit optik, vendosjen e sistemit të sinjalizimit dhe ndërlidhjes, ngritjen e Qendrës së kontrollit të trafikut, ndërtimin e lidhjes së re hekurudhore me Aeroportin e Rinasit si dhe sigurimin e katër trenave me mjete të reja tërheqëse.
Miratohet gjithashtu në parim marrëveshja e kontratës së projektit, ndërmjet Këshillit të ministrave të republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë tregtare të së Drejtës italiane, "GE Transportation Systems S.p.A.
U miratua vendimi "Për shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi i rrugëve paralele Tiranë-Vorë, në superstradën Tiranë-Durrës".
Si pasojë e ndërtimit të rrugëve paralele (krahu i djathtë), në Superstradën Tiranë-Vorë lindi nevoja e shpronësimit të një sipërfaqeje tokë are prej 149889 m2, me një çmim 2000 lekë/m2; 14025 m2 tokë truall vlerësuar me 4500 lekë/m2, një pikë karburanti me vlerë 8122500 lekë, dru frutorë copë 147 vlerësuar me 555500 lekë dhe 806 528 lekë për kulturë (jonxhë) me çmim 16 lekë/m2, vetëm për fshatrat Kashar dhe Katund i Ri. Shuma e këtij shpronësimi arrin vlerën e përgjithshme prej 368 032 528 lekë.
Fillimet e këtij segmenti rrugor kanë filluar në vitin 2002 dhe do të përfundojë në vitin 2005.
U miratua vendimi "Për miratimin e planit të veprimeve për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë, për periudhën 2003-2005".
Mbi bazën e Dokumentit të Politikës Elektroenergjetike të miratuar nga Qeveria Shqiptare me vendimin nr.171 të datës 19 Prill 2002, Ministria e Industrisë dhe Energjitikës, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Energjisë dhe institucioneve të tjera, hartuan dhe aprovuan Strategjinë Kombëtare të Energjisë. Dokumenti i Strategjisë Kombëtare të Energjisë u aprovua me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 26.06.2003 "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë deri në vitin 2015".
Në pikën 2 të vendimit të Këshillit të Ministrave theksohet se Ministria e Industrisë dhe Energjitikës, brenda datës 1 Shtator 2003, do të paraqesë planin e përbashkët të veprimeve me institucionet përkatëse, për zbatimin e kësaj strategjie. Bazuar në diskutimet e bëra me donatorët gjatë prezantimit të Strategjisë, më 31 Korrik 2003, të gjitha palët ranë dakort që plani i zbatimit të jetë çdo dy vjet (plani i parë do të jetë për periudhën 2003-2005). Kjo gjë përputhet edhe me pikën 3 të Vendimit 424, datë 26.06.2003, në të cilin theksohet se Ministria e Industrisë dhe Energjitikës, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Energjisë, të bëjë çdo dy vjet, azhornimin e kësaj strategjie dhe t'ia paraqesë për miratim Këshillit të Ministrave.
U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë së zhvillimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për programin e fazës së dytë të kredisë, në mbështetje të uljes së varfërisë".
Kjo marrëveshje u nënshkrua në Tiranë më 24 korrik 2003, pas negociatave të zhvilluara në Uashington, në datat 19 deri 21 maj 2003. Ajo financohet nga Banka Botërore dhe siguron një mbështetje buxhetore të përbërë nga tre transhe. Këto transhe përforcojnë njëra-tjetrën, ku çdo kredi bazohet në një kredi të mëparshme dhe kërkon që veprimet e specifikuara sipas fazave të kryhen përpara prezantimit në bord.
Qeveria shqiptare pasi ka realizuar me sukses kushtet e fazës së parë të kredisë, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të Bankës Botërore ka miratuar Letrën e Zhvillimit të Politikave (VKM nr.276, datë 08.05.2003) për fazën e dytë të saj. Edhe në këtë fazë të dytë kredia mbështetet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social nëpërmjet katër komponenteve të saj:
1- Nxitja e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja e zhvillimit të sektorit privat
2- Fuqizimi i hartimit të monitorimit dhe vlerësimit të politikave
3- Përmirësimi i sigurimit të shërbimeve dhe efektivitetit të rrjetit të sigurimeve
4- Rritja e përgjegjshmërisë dhe përmirësimi i administrimit të shpenzimeve publike dhe marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare.
U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes së konçesionit, të formës "ROT" ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë e Ministrisë së Industrisë dhe të Energjitikës dhe Shoqërisë "Ëonder", sh.a., për Hidrocentralin e Bogovës".
Në bazë të neneve 7, 9 dhe 10 të Ligjit Nr.7973, datë 26.7.1995 "Për konçesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë", të VKM Nr.390, datë 12.6.2003 "Për fillimin e proçedurës së dhënies me konçesion, në formën ROT, të Hidroçentralit Bogovë", Organi Shtetëror i Autorizuar ngriti grupin e punës për negocimin e marrëveshjes me shoqërinë "Ëonder" sh.a., për dhënien me konçesion, sipas propozimit të pakërkuar, të Hidroçentralit Bogovë, në rrethin e Skraparit.
Konçesionari detyrohet të zbatojë projektin dhe objektivat e Marrëveshjes lidhur me termat dhe kushtet e saj, të implementojë programin e rehabilitimit të objektit të konçesionit, të kryejë të gjitha riparimet dhe shërbimet e mirëmbajtjes në objekt, të ruajë e të administrojë këtë objekt për prodhim të energjisë elektrike gjatë gjithë kohëzgjatjes 30 - vjeçare të konçesionit, t'i dorëzojë OSHA-së në fund të këtij afati konçesionar objektin në gjendje pune.
Hidroçentrali i Bogovës është ndërtuar në vitin 1972, duke shfrytëzuar burimet ujore të Bogovës, të cilat grumbullohen në një ujëmbledhës. Agregati turbinë-gjenerator ka fuqi 2500 kË dhe prodhimi mesatar vjetor i projektuar është 12.5 milionë kË/h.
U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes së konçesionit të formës "ROT", ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit dhe Shoqërisë "Spahiu", sh.p.k., për Hidroçentralin e Gjançit" në rrethin e Korçës.
Konçesionari detyrohet të zbatojë projektin dhe objektivat e Marrëveshjes lidhur me termat dhe kushtet e saj, të implementojë programin e rehabilitimit të objektit të konçesionit, të kryejë të gjitha riparimet dhe shërbimet e mirëmbajtjes në objekt, të ruajë e të administrojë këtë objekt për prodhim të energjisë elektrike gjatë gjithë kohëzgjatjes 30 vjeçare të konçesionit, t'i dorëzojë OSHA-së në fund të këtij afati konçesionar objektin në gjendje pune.
Hidroçentrali i Gjançit është ndërtuar në vitin 1991, duke shfrytëzuar ujëmbledhësin e bujqësisë. Agregati turbinë-gjenerator ka fuqi 2500 kË dhe prodhimi mesatar vjetor i projektuar është 5.2 milionë kË/h.
U miratua Vendimi "Për miratimin në parim të Marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Koresë, për huatë nga Fondi i Bashkëpunimit për Zhvillim Ekonomik dhe të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Koresë, për një hua nga fondi i bashkëpunimit për zhvillim ekonomik".
Kjo marrëveshje lidhet me projektin "Elektrifikimi i zonave rurale" të Qarkut të Vlorës, në shumën 25 000 000 (njëzetepesë milionë) USD.
Ky projekt përfshihet në tërësinë e masave të parashikuara për përmirësimin dhe modernizimin e sistemit elektrik në vendin tonë.
Kjo është huaja e parë që Qeveria Koreane, nëpërmjet Fondit të Bashkëpunimit për Zhvillim Ekonomik, aplikon në vendin tonë.
U miratua vendimi "Për Miratimin, në parim, të marrëveshjes së Grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin "Mbështetje për aktivitetin privat në rajonin Korçë-Pogradec"
Në protokollin e bisedimeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin financiar dhe teknik, të marrëveshjes në kuadër, si dhe të protokollit të konsultimeve për vitin 2001, është rënë dakort që të mbështetet zhvillimi i ekonomisë private dhe punësimit në rajonin Korçë-Pogradec me një shumë prej 1.2 milion Euro (2.2 milion DM).
Ky projekt ka përparësi zgjerimin dhe aftësimin profesional të shërbimeve të sipërmarrjeve të ndryshme si dhe krijimin dhe forcimin e institucioneve me rëndësi për zhvillimin ekonomik. Projekti synon nëpërmjet përfshirjes së pronarëve dhe biznesmenëve, sidomos të atyre që ofrojnë mundësi punësimi dhe turizmi, të ndihmojë në uljen e papunësisë dhe në aktivizimin e grave në biznesin prodhues.
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Rajonit të Puglias së Republikës Italiane.
Duke iu përgjigjur kërkesës së Presidencës së rajonit të Puglias, duke u shprehur pozitivisht për intensifikimin dhe ripërtëritjen e mëtejshme të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, të cilat zhvillohen në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Itali miratohet në parim marrëveshja e bashkëpunimit, e cila ripërtërin marrëveshjen e bashkëpunimit të vitit 1998.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje synohet bashkëpunimi në fushën e arsimit ndërmjet universiteteve dhe institucioneve kërkimore shkencore, konsolidimi i marrëdhënieve me përfaqsues të sektorit prodhues dhe me institucionet që veprojnë në fushën e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe edukativ.
U miratua projektligji "Për Shërbimin Meteorologjik Ushtarak".
Objekt i këtij projektligji është përcaktimi i detyrave, pozicionit shkencor dhe funksionimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në pajtim me kërkesat e ridimensionimit të tij, në përshtatje, jo vetëm me nevojat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por edhe të institucioneve të tjera shtetërore, subjekteve private apo shtetasve.
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për ratifikimin e Konventës nr.155, të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, "Për sigurinë në punë, shëndetin dhe mjedisin e punës, 1981".
Kjo konventë është një akt i rëndësishëm ,i cili përcakton standartet e nevojshme të sigurisë dhe shëndetit që duhen respektuar në mjediset e punës. Ajo duhet të zbatohet për të gjitha degët e aktivitetit ekonomik dhe për të gjithë punëtorët, me përjashtim të rasteve kur, pas konsultimeve me organizatat e punëmarrësve dhe punëdhënësve, gjykohet se nuk mund të zbatohet për degë të veçanta si transporti detar ose peshkimi ose për kategori të veçanta punëtorësh, por me kusht marrjen e masave me qëllim zbatimin e tyre në të ardhmen edhe në këto degë.
Konventa parashikon për shtetet palë marrjen e një sërë masash si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë të ndërmarrjeve, me qëllim përmbushjen e objektivave të saj. Konventa parashikon që, në konsultim me organizatat e punëmarrësve dhe punëdhënësve, të hartohet një politikë kombëtare për parandalimin e aksidenteve dhe dëmtimeve të shëndetit, duke minimizuar në maksimum shkaqet e rreziqeve në ambjentet e punës.
U miratua projektligji "Për ratifikimin e Protokollit të vitit 2002, të Konventës nr.155, të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, "Për sigurinë në punë, shëndetin dhe mjedisin e punës, 1981".
Ky protokoll është miratuar në Sesionin e 90-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës dhe plotëson Konventën nr.155 "Për sigurinë në punë, shëndetin dhe ambjentin e punë", e vitit 1981.
Protokolli rregullon çështjet që kanë të bëjnë me evidentimin në shtetet palë të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, nëpërmjet një sistemi rregjistrimi dhe njoftimi.
Protokolli parashikon një sërë përcaktimesh si "aksidenti në punë", "sëmundja profesionale", "aksidenti në rrugë", etj, si dhe rregullat që kanë të bëjnë me kërkesat dhe proçedurat për të tilla raste.
U miratua vendimi "Për financimin e programeve kombëtare të kërkimit dhe të zhvillimit, për vitin 2003".
Objekt i vendimit është ndarja e fondit të Shkencës për vitin 2003, për Programet Kombëtare të Kërkimit dhe të Zhvillimit. Në buxhetin e shtetit të këtij viti, financimi i këtyre programeve (ashtu si dhe në vitet e kaluara), arrin vlerën e 50 milionë lekëve
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës i paraqiti Këshillit të Politikave Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik propozimin për specifikimin e këtij fondi sipas Programeve të veçanta të Kërkimit dhe Zhvillimit, për vitin 2003, i cili ka miratuar këto programe zhvillimi dhe financimet e tyre përkatëse.
U miratua vendimi "Për dhënien e lejes për hapjen e shkollës së lartë universitare, jopublike, "Luarasi".
Shkolla e Lartë Jopublike "Luarasi", që do të hapet në Shqipëri, do të jetë shkollë e nivelit universitar, me një degë të vetme, Fakultetin e Drejtësisë. Ajo përfaqësohet nga Prof. Dr. Aleks Luarasi, një figurë e njohur dhe e vlerësuar në fushën e drejtësisë dhe të arsimit të lartë juridik, i cili do të jetë pronar, administrator dhe dekan i kësaj shkolle.
Shkolla synon të angazhojë një numër të konsiderueshëm profesorësh të kualifikuar, 30 nga Shqipëria dhe 3 nga Gjeneva, të cilët do të japin mësim si petagogë të brendshëm ose të jashtëm. Prej tyre 72% janë me tituj dhe grada shkencore, të tjerët 27% janë me përvojë mësimore, shkencore dhe në praktikat gjyqësore. Gjatë vitit akademik 2003-2004, do të ketë vetëm një kurs të parë.