Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me themeluesin e Fondacionit Butrinti Lordin Jakob Rothchaild, në zonën turistike të Butrintit. Ky takim është zhvilluar me kërkesën e Lor
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me themeluesin e Fondacionit Butrinti Lordin Jakob Rothchaild, në zonën turistike të Butrintit.
Ky takim është zhvilluar me kërkesën e Lordit Rothchaild, një nga personalitetet më të njohura botërore për të diskutuar mbi të ardhmen e parkut kombëtar të Butrintit, si dhe mbi mundësitë e zhvillimit të turizmit kulturor dhe nxitjes së politikave zhvilluese për këtë zonë.
Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit jane shprehur rreth realizimit të projekteve në lidhje me parkun kombetar te Butrintit që u vlerësua si një shembull pozitiv për ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe përdorimin e kësaj trashëgimie për zhvillimin kulturor dhe ambjental.
"Ka ardhur koha që zona përqark Butrintit të zhvillohet në mënyrë sa më të përshtatshme duke pasur plane dhe synime të qarta, si dhe duke evituar turizmin masiv dhe zhvilluar mundësitë e përparimit të zhvillimit të turizmit elitar", tha Kryeministri Nano.
Ringritja e muzeumit të Bitrintit ka qenë një çështje tjetër e trajtuar nga bashkëbiseduesit. Në këtë takim është bërë i njohur fakti se Qeveria Shqiptare ka financuar tashmë 50 % të këtij projekti, i cili duhet mbështetur financiarisht nga donatore për tu përfunduar në një kohë sa më të shpejtë.
Kryeministri Nano dhe Lordi Rothchaild kanë ndarë të njëjtin mendim se është e nevojshme thithja e më shumë resurseve financiare për zhvillimin turistik në këtë zonë nëpërmjet projekteve dhe strategjive të cilat do të rrisin progresin në zhvillimin e bregdetit shqiptar.
"Ne po synojmë të krijojmë një lloj ballance mes presionit të zhvillimit rural dhe atij elitar jo vetëm në Butrint por edhe në gjithë këtë zonë. Synimi ynë afatgjatë është zhvillimi i turizmit elitar gjate bregdetit jonian dhe atij masiv në zonën e Adriatikut", tha Kryeministri Nano
Gjithashtu Kryeministri u shpreh edhe në drejtim të infrastrukturës rrugore e cila do të lidhë së shpejti Konispolin me Sarandën dhe do të inkurajojë rritjen e hyrjes së turistëve nga vendi fqinj nëpërmjet pikave kufitare me greqinë . "Duhet të shkëmbejmë sa më shumë energji dhe eksperiencë për zhvillimin e një plani sa më të detajuar për këtë zonë", theksoi zoti Nano.
Në këtë takim u diskutua edhe për një propozim të grupit që ka bashkëpunuar me Bankën Botërore për përfshirjen e Shqipërisë në sistemin e kompanive amerikane të zhvillimit të turizmit kulturor dhe argëtues. Ky do të jetë një sistem që do të përfshijë 6000 kompani të specializuara për këtë turizëm në SHBA.
Nga ana e tij, Lordi Rothchaild u shpreh shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me Qeverinë Shqiptare dhe nga rezultatet që ka sjelle ky bashkëpunim. Ai u shpreh se ne po zhvillojmë takime intensive për të nxitur investitorët për tu afruar në këtë zonë si dhe kemi ndërmarrë hapa konkretë për të realizuar projekte që do të ndihmojnë në ruajtjen e kësaj trashëgimie kulturore por edhe do të nxisin zhvillimin e turizmit në këtë zonë
Më pas, Kryeministri Nano dhe Lordi Rothchaild kanë vizituar zbulimet arkeologjike të bëra së fundi në parkun kombëtar Butrinti.