E Diel, 1 Nëntor 2026

Zotërinj Ambasadorë dhe titullarë të Ministrisë të Punëve të Jashtme. Së pari dua t'ju përshëndes dhe të vlerësoj që vit pas viti me institucionalizimin e këtij takimi të fund-gu

Zotërinj Ambasadorë dhe titullarë të Ministrisë të Punëve të Jashtme.

Së pari dua t'ju përshëndes dhe të vlerësoj që vit pas viti me institucionalizimin e këtij takimi të fund-gushtit sëbashku arrijmë të ngjisim shkallët e integrimit. Qetësia dhe dimensioni i vlerave që përfaqëson kjo sallë shpreh dimensionet e trupit të rritur të vendit, dimensionet e partneritetit që zhvillojmë sëbashku me botën moderne, dimensionet e përfaqësimit për Shqipërinë në marrëdhëniet ndërkombëtare dy dhe shumëpalëshe, dimensionet reale të diplomacisë shqiptare, e cila nuk besoj se ka qenë më efikase dhe më përfaqësuese se sa sot në gjithë historinë e shtetit shqiptar.

Natyrshëm, ky është një takim pune ku përvec nevojës dhe detyrës për të qarkulluar informacionin e ri, duhet të shkëmbejmë nëpërmjet analizave të gjalla mendimet për perfeksionimin e koordinimit dhe të menaxhimit të veprimeve tona diplomatike, që i krijojnë më shumë hapësira dhe frymëmarrje zhvillimit të vendit në partneritetin ndërkombëtar të Shqipërisë në këtë funksion.

Pra, unë e shoh si shumë të dobishëm këtë takim të përvitshëm, sepse janë mjedise si ky, që partizanizmit partiak i kundërvënë profesionalizmin, që integritetit të individëve i shtojnë vlerat e përfaqësimit të shtetit, ose i shtojnë vlerën e kolegjit të diplomatëve, që kompensojnë zhballancat, që shpeshherë janë objektive, të raporteve ndërkombëtare në një drejtim ose në një tjetër, për shkak të progresit të spikatur në prioritetet themelore me të cilat ballafaqohet vendi në këtë stad zhvillimi.

Besoj se edhe ju e ndjeni dhe e prekni si përfaqësues diplomatik të vendit dhe jo vetëm si njerëz, ndryshimin e madh, ritmin e lartë të ndryshimit dhe progresin real të atdheut tonë të përbashkët. Rezultatet janë konkrete dhe të prekshme. Kjo nuk është retorikë propagandistike dhe ky është mjedisi më i papërshtatshëm për të bërë propagandë. Nga kjo pikëpamje unë do të rimarr tezën që ndava me ju edhe vjet.

Përfaqësimi i vendit ndodh në një mjedis konkurrencial. Edhe ju jeni të konkurruar, madje dhe informalisht përveç zyrtarisht. Në skemën e përfaqësimit bilateral sidomos ju keni homologët tuaj në vendet ku shërbeni, që janë diplomatët e akredituar në Tiranë, me të cilët duhet të vazhdoni të konkuroni. Kjo është akoma më sensitive për vendet e mëdha, veçanërisht të BE-së dhe NATO-s, të cilët janë aktivë në Tiranë dhe për pasojë lipset zgjeruar koncepti i partneritetit i diplomatëve në dobi të vendit. Por ju jeni të konkuruar edhe negativisht nga vendas dhe të huaj. Vazhdohet të kërkohet të bëhet karrierë individuale në dëm të progresit dhe të integrimit të Shqipërisë për fat të keq. Unë nuk besoj se ambasadori Nesho në OKB apo Mazi pranë OSBE-së në Vjenë, ku ka edhe organizata të tjera të OKB, janë ndjerë mirë kur një Drejtor i Agjencive të Specializuara të OKB-së në luftën kundër narkotikëve, riprodhon fjalë për fjalë ese përfaqësuesish informalë, madje të paguar apo të akredituar, në kundërshtim me termat të sovranitetit të vendit, që për të përfituar një grusht parash po e rendisin Shqipërinë, për shkak të një shtypi të verdhë apo që nxin për arsye përfitimesh partiako-elektorale, në një kategori me prodhuesit apo tranzituesit e heroinës, kokainës ose më saktë me Kolumbinë.

Pra, ju konkuroheni nga shumë të verbër dhe dashakeqës që synojnë të ndërtojnë mirëqënie apo karrierë personale mbi fatet dhe profilin e vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për fat të keq ka edhe një rreth tjetër njerëzish, sidomos të huaj, të cilëve u mungon informacioni i zhvillimit, i aftësive konkuruese të realitetit shqiptar. Prandaj vazhdon të ketë një përthyerje jo të drejtë të imazhit të Shqipërisë në vëmendjen publike të vendeve ku ju shërbeni, apo në dosjet zyrtare të kancelarive me të cilat ju punoni. Dhe për këtë paguajmë të gjithë një kosto, një kosto që nuk është vetëm financiare, pavarësisht se ministri ka të drejtë të kërkojë menaxhimin më të mirë të burimeve që financojnë punën tuaj në dobi të pasqyrimit realist në imazhin ndërkombëtar, të progresit të vendit.

Paguajmë një kosto që nuk është vetëm e diplomacisë apo e qeverisë, por është e atdheut, është e shqiptarëve që kanë filluar të lëvizin për punë dhe për shplodhje në të gjitha vendet me të cilat kemi marrëdhënie dhe për pasojë të kësaj kostoje apo të këtij imazhi të deformuar, për shkak edhe të konkurrencës negativiste që edhe ju përballoni, ata keqtrajtohen apo nëntrajtohen në raport me oportunitetet që tashmë janë bërë globale.

Duket se ajo që mund të themi sivjet sëbashku është që nuk mjafton ta konstatojmë këtë gjë, sepse detyra jonë e përbashkët na sjell te identifikimi akoma më i qartë i instrumenteve të përshtatshme, për ta shtuar aftësinë tuaj konkurruese, përfaqësuese, në raport me faktorë të tjerë që përfaqësojnë vendin pozitivishrt apo negativisht. Nuk besoj se kjo bëhet vetëm duke pritur udhëzime nga qendra, por me sa duket ajo që na bashkon edhe sot është rrahja e mendimeve, shqetësimi profesional dhe zyrtar, shqyrtimi i alternativave për të punuar më mirë mbi bazën e analizave krahasuese dhe vecanërisht përpjekja për të konsoliduar ekipin e diplomatëve, ekipin e përfaqësuesve, në përputhje me atë që është në mënyrë koherente axhenda jonë e integrimit, axhenda jonë e përfshirjes në zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Më në fund, meqënëse imazhi nuk është vetëm cështje retorike apo sipërfaqësore, duket se i vetmi borxh që duhet të vazhdojmë të shlyejmë është pikërisht mangësia në këtë fushë, domethënë, mosparaqitja e plotë dhe proaktive e dinamizmit dhe aftësive konkurruese të njerëzve të këtij vendi, të sipërmarrësve të këtij vendi, të iniciativave shqiptare në marrëdhënie ndërkombëtare, duke nisur në mënyrë të vecantë nga rajoni, në të cilin na ka vendosur perëndia të zhvillohemi.

Unë nuk i dorëzohem kollaj interpretimit shfajësues se, për gjithcka që nuk na shkon mirë fajin na e kanë të huajt dhe, prandaj jam këtu për të kuptuar më drejtpërdrejt prej jush dhe për ta vënë pastaj gjithë administratën e ekzekutivit në funksion plotësues se sa e ndiqni dinamikën e zhvillimit të vendit?Çfarë duhet përmirësuar në mekanizmin e qarkullimit të informacionit, që duhet të qarkullojë jo vetëm deri te ju, por edhe nëpërmjet jush, në mjediset ku ju na përfaqësoni?.

Ka ende një frakturë të dukshme në këtë mekanizëm të qarkullimit dhe të shfrytëzimit efikas të informacionit, që vjen nga Shqipëria, për të konsoliduar marrëdhëniet e partneritetit dhe shkëmbimet me botën. Nuk kam parasysh thjesht togun e shkresave që prisni e përcillni, por dua të vlerësojmë me të njëjtin koeficient apo sistem kriteresh produktin që vjen edhe nga shkëmbimet e pashmangshme burokratike për të ardhur te pyetja:
Çfarë diplomacie jemi sot në gjendje të bëjmë dhe duhet të bëjmë? Atë që quhet diplomaci proaktive apo interaktive, që ndjek hap pas hapi dhe është në gjendje që t'i përgjigjet me profesionalizëm, natyrshëm, me dinjitet kombëtar, zhvillimeve globale në të cilat Shqipëria përfshihet me një ritëm të lartë, apo diplomacia e traditës apo e profilit reaktiv, pra që i largohet problemeve, ballafaqimeve, që qëndron pasive në pritje të asaj ç'ka i ofrojnë të tjerët.

Unë do të tërhiqja vëmendjen tuaj edhe tek shfaqja e kësaj sëmundjeje në marrëdhënie me të mëdhenjtë që drejtojnë fatin e integrimit tonë global, apo që drejtojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në organizatat shumëpalëshe, ku ne bëjmë pjesë.

Shqipëria sot gjendet para hopesh të qarta dhe të konsiderueshme cilësore. Jemi në prag hapash shumë të rëndësishëm për të arritur më parë në integrimet shumëpalëshe, veçanërisht në strukturat e BE-së dhe të NATO-s. Prandaj është koha më e papërshtatshme për "të vrarë mizat" në zyra diplomatësh. Shqipëria gjithashtu po përjeton ç'do të thotë sukses në procesin e integrimit.Çdo hap që hidhet të vë përballë kërkesash më të mëdha.Çdo rritje në marrëdhëniet e partneritetit natyrshëm na vë përballë kërkesash më cilësore, më profesioanle, më të kushtueshme madje, me partnerët me të cilët punojmë. Kjo për shkak se sa më shumë të integrohemi aq më të qarta dhe më të prekshme bëhen kostot e sfidave globale, të terrorizmit, të raporteve të blloqeve në tregun global, të raporteve midis organizatave të ndryshme shumëpalëshe, që në botën e sotme kanë edhe karakter fetar, të raporteve në zhvillim midis pjesëve të ndryshme me histori të ndryshme të globit, të organizatave të hapura për të gjithë siç është p.sh OSBE.

Këto dhe të tjera arsye më shtyjnë të ndaj me ju interesin për më shumë analiza profesionale, që mbështeten në përvojën tuaj, për më shumë konkluzione realiste, që na ndihmojnë të pakësojmë fërkimet në procesin e integrimit, për më shumë rekomandime ndaj shtetit dhe institucioneve të tij që përballojnë kostot e reformave të integrimit. Do të përpiqem të bashkëbisedojmë më pas disa nga këto pyetje shumë dimensionale.

Si e gjykoni ju raportin midis bashkëpunimit partnerial, të shfaqur në iniciativa të njohura dhe konkurencës për objektivat e integrimit global midis shteteve të rajonit, midis të cilit jetojmë?. D.m.th roli ynë moderator, konstruktiv, proaktiv në politikën ballkanike që po euroatlantizohet është pa ekuivok dhe i garantuar. Unë po shtroj pyetjen të cilës do t'i gjejmë të njëjtën përgjigje. Ky është vërtet raport partnerësh apo dhe konkurentësh? Kush do të integrohet më parë në BE dhe NATO, shqiptarët e Shqipërisë apo ata të Maqedonisë? Po e praktizoj çështjen. Po hyjmë në vitin e 5-të të administrimit ndërkombëtar në Kosovë nën ombrellën e UNMIK-ut. A mendoni se ka vend për një rivlerësim të pozicionit tonë politiko-diplomatik për këtë çështje, kur të gjithë po arsyetojnë tanimë?

Po spostohem pak horizontalisht në prioritetet e punës suaj. Cilat janë shkëmbinjtë e nënujshëm në vlerësimin tuaj që pengojnë ankorimin e anijes tonë në BE? Janë lokalë apo të lokalizuar mirë, apo janë rajonalë, janë pika rreziku në harta të paazhornuara, apo janë rreziqe që i shpërfillim ne në ujrat tona?

Në funksion të këtyre pyetjeve do të kërkonim të arrinim sëbashku në të njëjtin konkluzion për çështje se si duhet ta konsolidojmë rolin aktiv të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare?

Duke çmuar iniciativën e mbështetur edhe nga qeveria të ambasadorit Mazi për të kandiduar në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të një Organizate gjithpërfshirëse në Europë, siç është OSBE, do ta quajmë incident, zhvillim sporadik këtë gjë, apo do ta synojmë edhe në nivelet e tjera për shkak të nevojës për të përputhur vlerësimet që marrim për çështje sensitive të marrëdhënieve ndërkombëtare në rajonin tonë dhe më gjerë, me kapacitetet që kemi dhe me stimujt që meritojmë për sfidat që përballojmë?

Unë nuk besoj se diplomacia apo puna e Ministrisë së Punëve të Jashtme vuan më nga disa sëmundje të vjetra, të cilat shpesh ricitohen për inerci. Nuk besoj se puna juaj vuan nga fanatizmi partiak, apo nga konkurimi a protagonizmi negativist me përfaqësues të tjerë të shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Natyrshëm ka nevojë për më shumë harmoni, për koeficient më të lartë të përfaqësimit ekipor të shtetit, ka nevojë për të zhdukur edhe ca kufij parcelash apo parcelizimesh të politikës së jashtme, prandaj edhe puna e Ministrisë së Jashtme të jetë më aktive në koordinimin e të gjitha institucioneve që kanë marrëdhënie prioritare me botën.

Është kushtetuese dhe e natyrshme që marrëdhënie të privilegjuara përfaqësimi të kenë disa institucione dhe struktura shtetërore që nga Presidenti, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes etj tashmë gjyqësori, shërbimet inteligjente. Kjo duhet ta forcojë rolin dhe nevojën e kërkesave ndaj Ministrisë së Jashtme në funksionimin e shtetit dhe jo ta zbehin dhe ta kalojnë në periferi. Sepse Ministria e Jashtme dhe ky kuorum i diplomatëve,- sado qejfmbejtje të qarkullojnë jashtë kësaj godine apo interesa më të vogla se përfaqësimi i shtetit,- ka koeficientin më të lartë të profesionalizmit, të përfaqësimit dhe të ndërtimit korrekt të marrëdhënieve edhe personale në përfaqësimin diplomatik të vendit. Askush tjetër nuk mund ta bëjë më mirë se ju, në mënyrën më profesionale se ju këtë shërbim ndaj shtetit.

Roli juaj si koordinues dhe harmonizues, profesionist të të gjithë kësaj veprimtarie përfaqësimi të shtetit që është shumëplanëshe, - më lejoni ta them me zë të lartë, solemnisht dhe faleminderit medias, që shpresoj ta bëjë headline,- roli juaj, i diplomatëve legalë dhe profesionistë që mbrohen nga ligji i shërbimit diplomatik dhe që respektohen nga shteti, është i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm si koordinues dhe përfaqësues të të gjitha kontributeve në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën. Prandaj dhe kërkesa për më shumë aftësi sintetizuese, analizuese, konceptuale, politike dhe diplomatike normalisht është më e lartë për ju dhe i paraprin çdo diskutimi tjetër me ju.

Në këtë mjedis nuk i lejohet askujt të sillet si dhaskal me ju. Natyrisht kultura dhe formimi juaj kanë në themel respektin ndaj ligjit dhe hierarkisë së përfaqësuesve shtetërorë, por nuk mund të kemi një partneritet efikas në marrëdhëniet ndërkombëtare nëse titullarët e institucioneve shtetërore nuk krijojnë partneritet të brendshëm me ju dhe me institucionet që administrojnë diplomacinë dhe interesat e vendit në marrëdhënie ndërkombëtare.

Askush më mirë se ju, edhe sikur të punonin në institucione më të larta të hierarkisë shtetërore sesa Ministria e Jashtme, nuk mund ta menaxhojë dhe nuk mund të përgjigjet për përfaqësimin diplomatik të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për pasojë konkuroni pozitivisht, mos lejoni t'ju konkurojnë negativisht, sepse një gabim i juaji është kosto direkt shtetërore. Një gabim i ndonjë këshilltari stafesh apo kabinetesh, qofshin kur kanë nofka diplomatike, e implikojnë vetëm indirekt shtetin dhe imazhin e tij në marrëdhëniet me jashtë. Prandaj ky partneritet shton kërkesat për më shumë angazhim, për më shumë profesionalizëm dhe për një alokim më të gjërë të vëmendjes dhe të profesionalizmit tuaj. Bie fjala në të gjitha ekranet serioze ndërkombëtare ftohen diplomatë dhe ish diplomatë për debatet e mëdha, për krizat e mëdha, për pikëpyetjet e mëdha.

Zoti Ministër, zotërinj ambasadorë,

Si është e mundur që Ministria e Jashtme të mos thotë asgjë për krizën energjitike në proces. Unë ndjehem i paplotësuar në punën e ekzekutivit apo të stafeve të ekspertëve të specializuar të ekzekutivit, nëse ju nuk kontribuoni me informacion të freskët për prirjet dhe fërkimet e mëdha në tregjet globale, në ekonominë e hapur globale ku po integrohemi. Duket sikur po e harrojmë që jemi pjesë e proceseve globalizuese, veçanërisht të prekshme në kufijtë midis tregjeve dhe në lëvizjet e përfaqësuesve ekonomikë, publikë apo privatë të vendit. Ne nuk jemi miza e hipur mbi kalë që mendon se tërheq karrocën globale, por nga ky pozicion i arshivuar i fanarit ndriçues nuk mund të biem në ekstremin tjetër të moskalkulimit fare të efekteve të hapjes, të përfshirjes në ekonominë globale të vendit nga diplomatët dhe administrata e diplomacisë shqiptare.

Unë pres si Kryeministër më shumë kontribute, analiza dhe rekomandime prej jush, për t'u paraprirë fenomeneve rajonale apo globale të lëvizjes së tregjeve ku po integrohemi.

Në funksion të këtyre prioriteteve dhe të kërkesave më të mëdha që ka zhvillimi i vendit do të flasim për diplomacinë agresive. Agresiviteti i diplomatëve përveç arkivit aktiv të raporteve që administrojnë nëpër zyra, duhet të jetë edhe publik, duhet të ketë një parametër në mos kostant gjithnjë e më të shfaqur në publik, gjithnjë e më dialogues nëpërmjet medias, dhe këtu e kam fjalën për median e vendeve ku shërbeni. Më kujtohen si histori të eposit kreshnik shfaqjet e z.Fagu në BBC në kohën e luftës së Kosovës. Ne shqiptarët dihet që kemi një vlerë dhe atribut që nuk na e mohon kurrkush, jemi luftëtarë.

Pra, ndjesia ime nga informacionet që marr qoftë edhe rastësisht nga miq e dashamirës, është se kontaktet tuaja me median, sporadike ose të pakta, - më lejoni t'ju pyes keni frikë të përballeni me gazetarët e mëdhenj të botës, se e di se nuk keni frikë nga gazetarët e mëdhenj të vendit. Biseda ime nuk përfundon këtu. E kam sidomos fjalën tek nevojat e përballjes, dhe nëse nuk e bën diplomacia kush mund ta bënte tjetër kërkesën për përgënjeshtrim ndaj shkrimeve pexhorative dhe të pavërteta për atdheun tuaj në shtypin e madh të vendeve ku shërbeni. Nuk besoj se mendoni që një shkrim pexhorativ, i pavërtetë për atdheun tuaj nuk ka të bëjë me ju dhe me funksionin tuaj në vendin përkatës. Dhe anë të tilla janë të shumta. Nuk besoj se ka nevojë të bëj enumeracionin. Ju e dini mirë se për çfarë bëhet fjalë, sepse në qoftë se në gushtin e 2002 kur u takuam po flisnim për mbylljen e industrisë së gomoneve, përfundimisht e dinim mirë që po ndërprisnim hallkën shqiptare të një trafiku ndërkombëtar, që me çelësa në dorë 7 mijë dollarë personi kalonte kurdët nga Turqia në Bullgari në Maqedoni në Shqipëri dhe më pas me skafe në brigjet italiane, nga të cilat 1500 dollarë mbeteshin në duart e skafistëve shqiptarë. Me mbylljen e tij edhe vjet edhe sivjet, vazhdojmë të flasim për nevojën e një efikasiteti më të madh në luftën kundër drogave të forta që kanë qenë dhe mbeten pjesë e të njëjtit itinerar trafiqesh.

Natyrisht drogat e forta nuk prodhohen në Shqipëri, ashtu siç besoj qe dhe ju e keni përhapur lajmin e mirë që në Shqipëri nuk ka mjekësi që të mund të bëjë transplant organesh të fëmijëve. Mund të mburresh dhe me moszhvillimin e mjekësisë në ndonjë rast. Por nuk mund të mbetemi indiferentë në përfaqësim, që vetëm Shqipëria, si një nga vendet që po shkëputet në mënyrë vendimtare nga itineraret apo rrjetet ndërkombëtare të trafikut, vazhdon të stigmatizohet si e tillë nga agjenci të specializuara ndërkombëtare, apo kancelari të vendeve ku shërbeni si kryeqendra e tranzitit të drogave etj. E keni më të lehtë shërbimin në këtë funksion aktualisht, sepse punojnë sëbashku presidentët, kryeministrat, ministrat e policisë, shefat e shërbimeve, drejtorët e doganave të vendit tuaj me vendet fqinjë, apo më gjerë, në shtypin e të cilave ende vazhdojnë të shfaqen stigmatizime negative kryesisht për ne. Nuk mundet të bëjë asgjë dhe ndonjë "polic apo ministër i familjarizuar me drogat e forta në Shqipëri", siç thonë shkrimet pexhorative, për të kaluar kokainë apo heroinë drejt Italisë, nëse kjo kokainë apo heroinë nuk hyn nga Maqedonia në Shqipëri, apo nga Bullgaria në Maqedoni, apo nga Turqia në Bullgari. A ju kanë parë sytë ndonjë maqedonas që të shajë Maqedoninë, ndonjë bullgar të shajë Bullgarinë apo ndonjë turk të shajë Turqinë, siç bëjnë shqiptarët në Shqipëri. Ka ardhur koha për më shumë dinjitet në veprimtarinë e diplomatëve dhe dinjitet para së gjithash do të thotë agresivitet për të çrrënjosur imazhet false, apo që paguhen nga të tjerë në shtypin ndërkombëtar për Shqipërinë.

Ka disa gjëra që vazhdojnë të jenë sensitive për punën tuaj dhe tonën në stadin e sotëm të integrimit. Besoj se edhe juve ju ka vrarë veshin që aksh ministër i Punëve të Jashtme të vendeve partnere, të cilin e takova dhe unë para pak kohësh, të kërkonte respektimin e kritereve të Kartës së Kopenhagenit në Shqipëri, sikur të ishim në vitin '91, për lirinë e shtypit apo të minoriteteve, apo për zgjedhjet, pse jo dhe ky diskutim vlen të bëhet në mënyrë më realiste.

Ju besoj e dini se Shqipëria nuk ka asgjë të përbashkët me realitetet e '92 apo të '96, pra kur një ministër i një vendi ku ne kemi ambasadorë, për të cilin nuk kemi rekorde negative që s'punon apo e kalon ditën kot, i kërkon Shqipërisë të respektojë kriteret e Kartës së Kopenhagenit, besoj se ka një malfunksionim shumë kritik në punën e një zyre të caktuar të Ministrisë së Jashtme apo të Ambasadës së Shqipërisë në vendin përkatës.

Vazhdon diskutimi, Presidenti e ritheksoi sot, lidhur me nevojën e një institucionalizimi më efikas të rolit të diasporës dhe të kontributeve ende potenciale të diasporës së re dhe të vjetër shqiptare në vendet ku ju shërbeni. Emigracioni nuk është më ai tradicionali, z.Tarifa apo z. Nesho, mund të konfirmonin se në SHBA emigracioni i vjetër barazuar me të riun për të arritur 500 mije lidhje, apo jo. Dhe për pasojë vazhdon diskutimi dhe do të ngelemi tek Instituti i Diasporës apo do shkojmë tek një ministri për shqiptarët jashtë vendit. Duket se për 7 vjet të ekzistencës së vet, Instituti i Diasporës po e ushqen vet këtë diskutim, sepse nuk po krijon as profil dhe as po gjeneron projekte dhe ide për të gjitha strukturat e shtetit në këtë funksion.

Dje kishim një rast ku ballafaquam ndershmërisht, (nuk është se nuk funksionoi) ambasadorët legalë me ambasadorët informal të vendit, studentë sidomos, që në numër të konsiderueshëm diplomohen ne vendet ku ju shërbeni. Ka ardhur koha që me këtë diskutim t'i japim fund romanticizmave anakronike dhe të vijmë në skema institucionale efikase. Nevojitet më shumë fantazi dhe zhdërvjelltësi për të thithur efektet pozitive të një prezence gjithnjë e më cilësore shqiptarësh profesionistësh, sipërmarrësish apo bashkëpronarësh në vendet ku ju punoni, që të zhvillojmë marrëdhënie dhe shkëmbime partneriteti dhe ekonomike, në mënyrë që ata të shohin tek personeli dhe zyrat tona diplomatike atë pjesëz të atdheut, që nuk shërben thjesht dhe vetëm për procedura, lehtësi, apo kokëcarje konsullore dhe për pasojë të mos shohin më çehre të ngrysura apo harbutëri dhe makutëri personazhesh groteskë, që duket sikur kanë dalë nga pena e Konicës.

Pra, në marrëdhënet tona me diasporën, të vjetrën apo të renë, nuk ka vend më as për korrupsion as për folklorizëm dhe nuk ka vend dhe nuk ka nevojë për ndonjë diplomaci të sofistikuar. Ka nevojë për transparencë dhe luajalitet bashkëkombësish, për raporte njerëzore që dinë të lidhin mirë bie fjala. E kam bërë një bisedë me znj. Kureta. Sipërmarrësit shqiptarë që punojnë në Austri, me ardhjen e Reiffeisen Bank në Shqipëri, që dinë të lidhin mirë ( e kam bërë këtë bisedë edhe me zotin Zeneli) edhe këtë pjesë të zhvillimit të trupit shqiptar sic është celja e Bankës Amerikane të Shqipërisë në Athinë, me afro 1 miliard dollarë të ardhura që fitojnë të punësuarit shqiptarë në një vit, të cilët deri para celjes së kësaj Banke vetëm 15 përqind kanalizoheshin në kanalet bankare drejt familjeve të tyre në atdhe. E pra, ky është dimensioni ekonomik i diplomacisë në terma reale.

Po i rikthehem pyetjes së ngritur vjet, për të cilën ende nuk kam marrë përgjigje. Kur do jeni në gjendje të keni një grafik të shkëmbimeve tregëtare dhe ekonomike në vendin ku na përfaqësoni?. Përvec statistikave që kanë rëndësinë e tyre, do të dëshiroja më shumë të bisedoja me ju dicka më substanciale për menaxhimin e flukseve dhe të aktorëve kryesorë që kanë shfaqur për shkak të zhvillimit tonë, interesat e reja ekonomike në 12 muajt e fundit të paktën, që e lidhin me Shqipërinë, me tregun e saj, me sipërmarrjen private shqiptare dhe pse jo, duhet të keni në këtë dukuri atë që po rritet si treg unik i vendeve të Europës Juglindore, jo vetëm në energji, por në gjithcka që lidhet me vlerën e shtuar dhe me konsumin e 7 milionë shqiptarëve në këtë rajon.

Nuk kam ndier kohët e fundit një kënaqësi më të madhe se sa të shikoja një shishe uji mineral nga ato me etiketa që shtypen për Shqipërinë, sipas ligjit, në shqip, në një restorant shqiptarësh në Vjenë. Do të thotë se ka shumë produkte konsumi, për fat të keq ende, që prodhohen në vendet ku ju na përfaqësoni nga firma globale për Shqipërinë. Ata kanë nisur të kuptojnë se kur flitet për Shqipërine, flitet për 7 milionë Shqiptarë.Dhe këtë e ka kuptuar Reifeissen Bank, që me prezencën në Shqipëri mbylli rrjetin e prezencës rajonale,- natyrisht duhet ta kuptojë jo vetëm Banka dhe Qeveria e Shqipërisë, por edhe ju ambasadorë,- sepse programet apo biznesplanet e kompanive të mëdha kërkojnë tregje më të mëdha sesa ato shtetërore dhe për shkak se Shqipëria është duke u integruar, duhet të mësohemi së bashku të kalkulojmë efektet e tregjeve të rajonit.

Ne do të vazhdojmë të indentifikojmë vështirësitë e punës suaj, për të krijuar më shumë lehtësi dhe më shumë mbështetje edhe financiare për të kryer këtë veprimtari që natyrshëm duhet të jetë më e madhe dhe për pasojë edhe më e kushtueshme. Unë dua t'ju them se pavarësisht nga prioritetet e kushtueshme që ka buxheti apo reformat që nga mbrojtja deri tek infrastruktura apo gjyqësori, Këshilli i Ministrave nuk e neglizhon financimin e diplomacisë, apo investimin për ta bërë më koherente mbrojtjen me ligj të shërbimit të diplomatëve, prandaj dhe në 6 –mujorin e parë të këtij viti ne kemi miratuar një numër vendimesh për veprimtarinë e Minstrisë së Jashtme dhe të Trupit Diplomatik, që lidhet edhe me shpërblimin tuaj, që më në fund do të realizohet, duke lidhur pagën me gradën individuale. Besoj se në praktikë kjo do të ndikojë ndjeshëm për t'i motivuar më mirë diplomatët, brenda dhe jashtë vendit dhe për ta strukturuar më mirë karrierën diplomatike në performancën e kryerjes së funksioneve dhe detyrave funksionale e kushtetuese.

Jam informuar nga Ministri i Jashtëm se është në fazën përmbyllëse studimi për ristrukturimin e sistemit të përfaqësimit tonë jashtë dhe i vet strukturës së dikasterit, studim që synon thjeshtimin e sistemit, rritjen e aftësisë, efikasitetit dhe sidomos të shpejtësisë në vendimarrje. Në funksion të këtij procesi ristrukturues ,apo reformues, është edhe hartimi dhe miratimi sa më parë i rregullores së Ministrisë së Punëve të Jashtme, që është një detyrim ligjor ende i paplotësuar i dikasterit tuaj, për shkak të ligjit për shërbimin e jashtëm.

Së fundi, më lejoni të përshëndes klimën dhe funksionimin në Shtator të Akademisë Diplomatike, që është fryt i një bashkëpunimi gjithnjë e më partnerial me Ministrinë e Jashtme të Republikës italiane, që besoj se do të mbushë jo vetëm një zbrazëti të ndjeshme për përgatitjen dhe kualifikimin sa më të mirë profesional të diplomatëve të rinj, por shpresoj që dora dorës të kthehet në një qendër kërkimi dhe gjenerimi tezash, idesh, projektesh dhe studimesh aq të nevojshme në veprimtarinë e përfaqësimit diplomatik të vendit.

Faleminderit për vëmendjen paraprake, faleminderit dhe medias.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›