E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Mbrojtjes së Bashkësisë Shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi z. Prvosllav Daviniq. Kryeministri Fatos Nano në fillim të

Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Mbrojtjes së Bashkësisë Shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi z. Prvosllav Daviniq.

Kryeministri Fatos Nano në fillim të këtij takimi vlerësoi rëndësinë e intensifikimit të kontakteve dhe të dialogut politik si zgjidhjen më të mirë të problematikave që ekzistojnë në funksion të bashkëpunimit rajonal, forcimit të sigurisë e stabilitetit dhe aspiratave të përbashkëta për integrim në NATO dhe Bashkimin Europian.

"Qeveria Shqiptare është maksimalisht e angazhuar dhe me vullnetin e duhur politik për të vazhduar të prodhojë marrëdhënie më të mira dhe iniciativa të përbashkëta, në drejtim të forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal, për një rajon që aspiron drejt progresit dhe bashkëjetesës paqësore", tha Kryeministri Nano.

Më tej Zoti Nano shprehu besimin në vazhdimin dhe forcimin e stabilitetit në Serbi dhe Mal të zi, për një progres jo vetëm bilateral, por edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal për përafrimin e përbashkët në strukturat euroatlantike. "Ne besojmë jo vetëm në drejtim të marrëdhënieve mes nesh në çështjet e sigurisë, por gjithashtu edhe në progresin e mëtejshëm në aspiratat tuaja për integrim", shtoi Kryeministri Nano.

Shqipëria, - tha Kryeministri,- ka një strategji të re për sigurinë kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal edhe në kuadër të integrimit euroatlantik, për të dhënë kontributin e saj për paqen rajonale dhe atë globale, si dhe në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar trafiqeve të të gjitha llojeve. "Kjo strategji,- u shpreh Kryeministri,- vendos si parim kryesor të politikës së jashtme komponentet e dialogut, të bashkëpunimit dhe të mjeteve paqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duke i vlerësuar vendet fqinje si aleatë dhe partnerë".

Bashkëbiseduesit vlerësuan se intensifikimi i këtyre vizitave të nivelit të lartë do të prodhojë një mirëkuptim të mjaftueshëm dhe hapësira të nevojshme për më shumë bashkëpunim në të ardhmen, për angazhime të përbashkëta, për të ndërtuar besim dhe bashkëpunim mes niveleve të ndryshme të sigurisë dhe ushtrive gjithashtu.

Në këtë takim të dy autoritetet ndanë të njëjtin opinion se zhvillimet e reja në rajonin tonë kërkojnë edhe ndryshimin e mentaliteteve të vjetra dhe konfliktuale për ti lënë vendin dialogut dhe mirëkuptimit për të përballuar rreziqet dhe sfidat e përbashkëta.

Gjithashtu, zoti Nano theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol moderator në forcimin e zhvillimeve demokratike në rajon, si dhe në marrëdhëniet bilaterale në funksion të një rajoni miqësor dhe zgjidhjeve globale gjithashtu të problemeve të tranzicionit të Serbisë dhe Malit të Zi.

Nga ana e tij zoti Daviniq u shpreh se thellimi i bashkëpunimit dhe krijimi i klimës së mirëbesimit reciprok përmes dialogut politik janë mjetet më të favorshme për arritjen e qëllimeve të përbashkëta integruese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›