E Diel, 1 Nëntor 2026

- Komiteti diskuton kontributin kombëtar në operacionet paqeruajtëse dhe masat për sigurinë e Lojrave Olimpike - Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e Komitet

- Komiteti diskuton kontributin kombëtar në operacionet paqeruajtëse dhe masat për sigurinë e Lojrave Olimpike -

Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e Komitetit të Politikave të Sigurisë, i cili diskutoi mbi kontributet kombëtare në operacionet e mbështetjes së paqes dhe masat për sigurinë e Lojrave Olimpike 2004.

•Duke folur në para Komitetit, Kryeministri Nano theksoi se një nga elementët thelbësor të Strategjisë sonë të Sigurimit Kombëtar është koncepti i kthimit të Shqipërisë nga një vend që deri para pak vitesh ka konsumuar siguri, në një vend që kontribuon për sigurinë rajnale dhe globale. "Si një vend i cili është duke punuar seriozisht dhe nën mënyrë rezultative për integrimin në NATO, duhet ta pranojmë jo vetëm me fjalë, se ne nuk do të jemi vetëm konsumatorë të sistemit të sigurisë e të mbrojtyjes kolektive që aleanca ofon, por edhe kontribues konkretë në sistemin e sigurisë", tha z.Nano.

"Shqipëria, vlerësoi zoti Nano, është tashmë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit dhe si i tillë ne nuk duhet të prononcohemi vetëm me vullnetin e mirë të çrrënjosjes së kësaj të keqe, por edhe të jemi pjesë aktive e konceptit mbizotërues global të luftës kundër tij". Aktualisht Shqipëria vazhdon të japë kontributin e saj që prej 8 vjetësh me forca në Bosnje-Hecegovinë, prej 2 vjetësh në Afganistan dhe prej një viti e gjysëm në Irak.

Kryeministri Nano ritheksoi se pozicioni i qeverisë shqiptare për të përmbushur kontributin e saj ndërkombëtar në harmoni me të gjithë faktorët e tjerë mbetet i palëkundur. Por, shtoi ai, ka ardhur koha e zhvillimit të një koncepti analitik mbi kontributet tona kombëtare, të cilat në të ardhmen nuk duhet të llogariten vetëm si prezencë e trupave ushtarake. "Deri më sot Shqipëria ka kontribuar me njësitë komando, të forcave speciale dhe ato të reagimit të shpejtë. Kontributet e së ardhmes duhet të fokusohen si në zhvillimin me prioritet, ashtu edhe në përzgjedhjen e kontibuteve ndër kapacitetet kombëtare, që në gjuhën e NATO-s emërtohen "niche capabilities", d.m.th në mikro njësi apo në ekipe të specializuara për veprime të posaçme jo luftarake dhe kryesisht të karakterit mbështetës të misionit, të tilla si njësi për mbështetjen me shërbime civile të popullatës, për shërbime mjekësore, për shkatërrimin e municioneve të rrezikshme, ndërtime xhenjere, të mbrojtjes civile, të ndërtimit, konsolidimit të institucioneve demokratike. etj", tha Kryeministri.

Më tej, zoti Nano vlerësoi punën e bërë nga grupi ndërministerial për Hartimin dhe Monitorimin e MAP-it për përgatitjen e Platformës Kombëtare për Samitin e Stambollit. Ai kërkoi që brenda muajit tetor 2004 ky grup t'i paraqesë Komitetit të Politikave të Sigurisë hapat e rinj të Integrimit në NATO, ku në një kapitull të veçantë të përfshihet edhe koncepti analitik i kontributeve tona kombëtare për Aleancën e Atlantikut.

Zoti Nano vlerësoi se periudha e afrimit të anëtarësimit në Aleanëcë po shoqërohet me një shtim të prezencës sonë në shtabet dhe agensitë e këtij organizmi politiko-ushtarak me ekspertë të lartë të ushtrisë sonë. Shqipëria, u tha në takim, ka përvojën, profesionalizmin dhe kapacitetet e duhura për trajnimin edhe në vend tashmë të kontigjenteve të saj, duke bashkëpunuar me partnerët, për misionet paqeruajtëse, sikundër dëshmon edhe misioni i trupave tona në Irak.

•Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Politikave të Sigurisë u diskutua gjithashtu për masat e qeverisë për sigurinë e Lojrave Olimpike 2004. Në këtë drejtim objektivi i qeverisë është mbështetja për sigurinë e Lojrave Olimpike nga sulme apo akte të tjera me rrezikshmëri.

Për këtë, u tha në takim, strukturat tona të specializuara janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e vendit fqinj dhe të tjera në rajon, duke shkëmbyer informacione për të parandaluar çdo kërcënim me këtë rast, si dhe koordinim veprimesh midis strukturave rajonale të sigurisë. Po ashtu janë angazhuar disa ministri, të cilat do të koordinojnë veprimet siç janë Ministria e Rendit Publik, e Mbrojtjes, e Transporteve, e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe shërbimi informativ shtetëror, në fushat përkatëse që këto institucione mbulojnë.

Kryeministri Nano urdhëroi ngritjen dhe funksionimin e qendrës ndërinstitucionale për sigurinë e Lojrave Olimpike 2004. Qëllimi i ngritjes së kësaj qendre është bashkërendimi i veprimeve dhe informacioneve brenda dhe jashtë vendit, para dhe gjatë Lojrave Olimpike për sigurinë në këtë veprimtari të rëndësishme, jo vetëm për Greqinë, por edhe për të gjithë rajonin tone.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›