E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano, në përfundimin e vizitës ne Athine,zhvilloi nje takim me gazetare shqiptare qe jetojne dhe ushtrojne profesionin e tyre ne Greqi. Duke ju pergjigjur interesit te tyre m

Kryeministri Fatos Nano, në përfundimin e vizitës ne Athine,zhvilloi nje takim me gazetare shqiptare qe jetojne dhe ushtrojne profesionin e tyre ne Greqi.

Duke ju pergjigjur interesit te tyre mbi rezultatet e takimeve, Kryeministri Nano u shpreh:

Ky ishte një rast i mirë për të freskuar komunikimin dhe dialogun politik në të gjitha nivelet midis Tiranës dhe Athinës, për të nxitur më tej bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve ekonomike, kulturore, apo iniciativat ligjore që mbështesin lëvizjen e lirë të shtetasve në të dy anët e kufirit, sipas programeve të akorduara midis dy qeverive.

Ishte një rast i mirë për të shqyrtuar situatën në rajon, në pragun e marrjes nga qeveria greke të drejtimit të Iniciativës së Bashkëpunimit të Europës Juglindore – pasi e lë Bukureshti në maj - dhe në një periudhë kur zhvillimi i rajonit është përpara sfidave të zgjerimit të bashkëpunimit, të forcimit të elementëve të integrimit në Bashkimin Europian.

Pra, të gjithë këto elementë ishin në axhendën e diskutimeve të mia me Presidentit, Stefanopulos dhe Presidentit të zgjedhur Papulias, me Kryeministrin Karamalis, me zotin Papandreu, si udhëheqës i opozitës dhe me një numër të tjerë aktorësh parlamentarë, apo të sipërmarrjes, të cilët janë përfshirë në këto programe bashkëpunimi midis dy vendeve.

Kjo ndodh në kohën kur Shqipëria po përgatitet për zgjedhje, kur prezenca dhe kontributi i minoriteti grek në Shqipëri është gjithashtu i rëndësishëm, si dhe kur komuniteti shqiptar në Greqi, tashmë i transformuar edhe për shkak të ritmeve të lartë të legalizimit, po ushtron më shumë rol në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe për pasojë po konsiderohet në mënyrë më të plotë edhe nga ligji grek, apo nga shoqëria greke, në funksion të këtij realiteti të ri jo vetëm dypalësh, por për gjithë rajonin.

Takimet u mbyllen me vlerësimeve pozitive, si në rishfaqjen e angazhimeve të Kryeministrit Karamanlis për shpejtimin e realizimit të financimeve dhe projekteve që përfshihen në Planin për Rindërtimin e Ballkanit, në segmentin e Shqipërisë, disa projekte rrugësh të rëndësishme dhe të infrastruktures, krahas programeve të kreditimit apo financimit të objekteve të kulturës, siç është Teatri Kombëtar, apo programet e kredive për strehim, që prej kohësh janë mbi tryezat e diskutimeve tona.

Kryeministri grek, i shoqëruar nga ministri i jashtëm Moliviatis, vlerësoi me realizëm stabilitetin e Shqipërisë, progresin e bërë në drejtime themelore të funksionimit të shtetit, të ekonomisë, progresin e bërë në negociatatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE, të minoritetit, ku theksoi në mënyrë të veçantë se njohin progresin e dukshëm të realizuar dhe te vleresuar ne kete drejtim.

Unë besoj se ndamë të njëjtin vlerësim dhe angazhim edhe në kuadrin rajonal. Presidenti i zgjedhur Papulias ka një rekord të njohur nga karriera e tij politike si nxitës i bashkëpunimit në Ballkan dhe prandaj ardhja e Greqisë në krye të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, siç e theksoi edhe Kryeministri Karamanlis, do të sjellë edhe më shumë iniciativa të Athinës për ta forcuar dhe nxitur më tej procesin europian të rajonit.

Duket se Kryeministri Karamanlis kishte gjetur edhe në Beograd edhe në kryeqytetin e Kosoves, Prishtinë, më shumë kuptim dhe angazhim për të punuar për perspektivën europiane të të dy kryeqyteteve dhe një kuptim më të favorshëm nga autoritetet e Beogradit për karakterin e pakthyeshëm të zhvillimeve në rajon e në Kosovë, si dhe për nevojën e bashkëpunimit të të gjithëve, që me kthimin e serbëve në Kosovë si banorë dhe subjekte përfaqësuese të tyre në parlamentin dhe qeverinë e Prishtinës, të nxitet më tej procesi i ndërtimit të standardeve dhe i forcimit të lidhjeve të Kosovës me proceset rajonale dhe me perspektivën europiane të saj.

E gjitha kjo i shërben zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke, kontributeve të përbashkëta në konsolidimin e progresit europian në rajon, një situate zgjedhore në Shqipëri që largon ndjeshmëritë kritike apo tensionet e panevojshme që janë shfaqur në zgjedhje të tjera edhe në drejtim të minoritetit grek dhe unë e konsideroj si shumë të dobishme dhe të suksesshme gjithë rezultatin e kësaj vizite dhe të bisedimeve që zhvillova me autoritetet mikpritëse".

Pyetje: Si e vlerësoni faktin që shumë emigrantë shqiptarë janë bërë tashmë anëtarë të PASOK dhe idene tuaj per dy anetaresimin?

Kryeministri Fatos Nano: Unë besoj se patëm rastin, edhe në takimin qe patëm ditën e parë të vizitës me një përfaqësi shumë domethënëse të shqiptarëve në Greqi, që të kuptojmë se shqiptarët, krahas integrimit në shoqërinë greke, ekonominë greke, tashmë po legalizohen dhe po përfaqësohen edhe në jetën publike dhe politike të Greqisë. Ky është një hap shumë interesant, që lidhet natyrisht me filozofinë e lidershipit që ka përqafuar edhe PASOK, në kuadrin e Kongresit të fundit, që po sjell anëtarësimin dhe, krahas legalizimit të shqiptarëve emgrantë që jetojnë në Greqi, garantiminin e pjesëmarrjes së tyre në politikën greke.

Në këtë kuptim, unë propozova që në bashkëpunimin shumë të mirë dhe profesional që ka Partia Socialiste e Shqipërisë me PASOK, prej më shumë se një dekade, të arsyetojmë dhe të programojmë nyjet e nje lëvizjeje dhe iniciativat e karakterit të "Shengenit politik" midis dy vendeve dhe në rajon, siç është dhe ajo e anëtarësisë së njëkohshme të shqiptarëve, apo të grekëve, në partitë simotra, si dy parti të së njëjtës familje të Internacionales Socialiste dhe Socialdemokrate, e cila do të zgjeronte mundësitë e bashkëveprimit edhe politik që zhvillojnë qeveritë dhe faktorët e politikës së dy vendeve, për integrimin e rajonit në Europën moderne. Këto janë realitete që ndodhin dhe në vende të tjera.

Pyetje: Ju keni zhvilluar edhe takime të tjera me emigrantët shqiptarë.Si e konsideroni kete takim se fundi?

Kryeministri Fatos Nano: Takimi, i cili nuk është takimi i parë dhe as i fundit, lidhet me vëmendjen e programuar të qeverisë së Republikës së Shqipërisë për problemet e jetës dhe të integrimit të shqiptarëve që janë punësuar, banojnë, studiojnë dhe po legaliziohen në Greqi dhe që natyrisht po shtojnë edhe garancitë e lëvizjes së lirë edhe drejt atdheut të tyre, shtëpive dhe të afërmëve të tyre.

Por ishte edhe një takim që rikonfirmon angazhimin shtetëror dhe politik të Kryeministrit për të drejtën e votës së emigrantëve, e cila deri më sot ushtrohet duke udhëtuar, duke ardhur në qendrat e votimit ku janë të regjistruar këta emigrantë me shtetësi të dyfishtë, apo me gjendje civile të palëvizur nga qytetet dhe komunat nga janë nisur për emigracion. Natyrisht me kuptimin e të gjitha nevojave që kjo lëvizje e lirë për të ushtruar një nga të drejtat themelore të qytetarëve, siç është pjesëmarrja në votime, të jetë e mbështetur dhe e lehtësuar.

Nuk besoj se kjo kushtëzon lirinë e votës dhe sigurisht unë jam në krye të detyrës për të siguruar efektet maksimale pozitive nga ky komunikim i pandërprerë asnjëherë midis meje dhe komunitetit të madh të shqiptarëve në Greqi, të cilët edhe këtë herë do të votojnë progresin dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë edhe nëpërmjet votës për përmirësimin e mëtejshëm të lëvizjes dhe të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve.

Pyetje: A ka dallime në qëndrimet e Athinës dhe Tiranës lidhur me Kosovën?

Kryeministri Fatos Nano: Edhe ne, edhe qeveria greke e pranojmë formulën europiane për statusin e Kosovës, e cila mbështetet mbi standarte demokratike dhe ligjore që garantojnë barazinë dhe mbrojtjen në nivelet e legjislacionit dhe të realitetit europian të të gjithë qytetarëve të Kosovës,

Te dy qeveritë nxisin dhe përgëzojnë njera-tjetrën për kontribute në dialogun rajonal, në dialogun e drejtëpërdrejtë midis të gjithë kryeqyteteve të rajonit, të dialogut midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, krahas dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, midis Beogradit dhe Tiranës, apo segmenteve të tjera të diplomacisë dhe të politikës që shoqëron nismat e bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit të rajonit në Europë. Të gjitha këto do të vazhdojmë t'i themi jo vetëm në gjuhët ndërkombëtare por edhe në shqip, me autoritetet legjitime të Kosovës, ashtu siç i themi dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Beogradit, me të cilët kontaktet dhe dialogu politik po intensifikohen me të njëjtin ritëm që kërkon kjo dinamikë e rajonit drejt Europës; dhe roli ynë për t'i thënë shqip këto principe dhe këto angazhime, është i pazëvendësueshëm dhe i vlerësuar, edhe nga qeveria greke, në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›