Kryeministri Fatos Nano, priti sot paradite zotin John M. Walker.Jr, Kryetar i Gjykatës së Apelit, për Rrethin e Dytë të SHBA-së. Në fillim të takimit, Kryeministri Nano, në emër të Qev
Kryeministri Fatos Nano, priti sot paradite zotin John M. Walker.Jr, Kryetar i Gjykatës së Apelit, për Rrethin e Dytë të SHBA-së.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano, në emër të Qeverisë Shqiptare, i shprehu z.Walker vlerësimet për ndihmën dhe përvojën amerikane të ofruar.për organizimin dhe funksionimin sa më mire të Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Gjithashtu, Kryeministri Nano kërkoi që ky bashkëpunim të shtrihet dhe në momente të tjera thelbësore të reformës në drejtësi.
Z.Nano siguroi për mbështetjen dhe punën e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare, në funksion të krijimit të infrastrukturës së nevojshme ligjore, për një pushtet gjyqësor të pavaruar dhe funksional. Qeveria Shqiptare, - theksoi në takim z.Nano, - ka propozuar dhe synon të propozojë ligje dhe struktura ligjore me objekte të thjeshta, fleksibile dhe lehtësisht të përdorëshme nga subjektet e detyruara. "Qeveria që unë drejtoj, në bashkëpunim me specialistë të Gjyqësorit si dhe me ndihmën dhe asistencën e specialistëve tuaj, do të angazhohet për të gjetur dhe miratuar rrugën e duhur dhe të nevojshme ligjore, për organizimin dhe funksionimin sa më mire të Konferencës Gjyqësore Kombëtare", tha Kryeministri.
Z. Walker , nga ana e tij, vlerësoi si serioz dhe të rëndësishëm bashkëpunimin e deritanishëm me nivele të ndryshme të gjyqësorit shqiptar. Ai nënvizoi se qëllimi i kësaj vizite, është jo vetëm njohja me problemet dhe zhvillimin e reformave në fushën e drejtësisë, por dhe evidentimi i rrugëve të bashkëpunimit të mëtejshëm në këtë fushë. "Shqipëria, po ecën drejt progresit dhe me hapat e duhura me reformën në fushën e drejtësisë", tha z.Walker.
Gjatë takimit Kryeministri Nano dhe z. Walker, shkëmbyen ide dhe pikëpamje të lira, mbi rolin dhe funksionimin sa më mirë të strukturave të pushtetit gjyqësor si dhe balancimin e bashkëpunimin e strukturave të pushtetit ekzekutiv me to.