Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim Kryeministrin e Polonisë, z.Marek Belka Pas takimit, të dy Kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u shpreh
Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim Kryeministrin e Polonisë, z.Marek Belka
Pas takimit, të dy Kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u shprehën:
Kryeministri Fatos Nano: Pata kënaqësinë të pres Kryeministrin e Polonisë, Marek Belka që erdhi në Tiranë pasi ka vizituar trupat polake të pranishme në Kosovë e në rajon. Ju e dini që z. Belka ka punuar disa vjet në Qeverinë e Shqipërisë si një nga ekspertët e institucioneve financiare ndërkombëtare, për të nxitur procesin e transformimeve të ekonomisë dhe të institucioneve të vendit drejt standarteve moderne.
Ky ishte një rast shumë i mirë për të rivendosur një marrëdhënie të ngushtë dhe efikase midis dy Qeverive dhe dy Kryeministrave, midis një vendi si Polonia që është anëtarësuar tashmë në Bashkimin Europian dhe një vendi si Shqipëria që po ecën me ritmin e duhur ne mbylljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, një rast shumë i mirë për të mësuar, për të vazhduar të përfitojmë nga eksperienca dhe asistenca polake në këtë rrugë të vështirë, por të njohur për rezultate të garantuara dhe të sukseshme. Është një rast i mirë për të identifikuar së bashku fushat e reja të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit dypalësh, që do të shtojnë edhe më shumë aktorët e interesit, që do të zhvillojnë lëvizje dhe shkëmbime midis shqiptarëve dhe polakëve.
Kryeministri i Polonisë, Marek Belka: Faleminderit z. Kryeministër !
Ky është në fakt një lloj udhëtimi disi sentimental. Përgjatë 4 viteve, që nga 1997 deri në 2001 kam ardhur në Shqipëri pothuajse cdo muaj dhe kam pasur rastin të shikoj përpjekjet që ka bërë Shqipëria dhe shqiptarët për të shpejtuar zhvillimin dhe për t'u afruar me BE-në. Në pamje është një vizitë e shkurtër, megjithatë pata pak kohë që të shëtis qendrës së Tiranës dhe u kënaqa pa masë kur pashë ndryshimet pozitive. Këto janë ndryshime që ndoshta ju mund të mos i vini re, por unë që jam larguar nga Shqipëria në qershor të vitit 2001, tani që vij pas 3 vjet e gjysëm shikoj që kanë ndodhur mjaft gjëra të mira.
Kemi patur një bisedim mjaftë të mirë dhe jemi përqëndruar në 3 aspekte: Së pari në procesin europian të Shqipërisë, e cila do të arrijë kulmin me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Ne premtuam që Polonia të ofrojë cfarëdo lloj ndihme që mund të ofrojë.
Së dyti diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, vecanërisht për bashkëpunimin ekonomik dhe ramë dakort që Ambasadat dhe popujt tanë të shikojnë mundësitë e organizimit të vizitave për biznes, me qëllim që sipërmarrësit të vijnë e të shohin mundësitë që ekzistojnë në secilin vend.
Cështja e tretë që diskutuam kishte të bënte me politikat rajonale, Kosova dhe ardhmja e saj, e ardhmja e Serbi-Mali i Zi dhe situatën në Maqedoni. Shqipëria e ka përforcuar pozitën e saj, sikurse edhe 7 vjet përpara, si faktor stabilizues në rajon. Tani Tirana dhe Shqipëria shikohet si vendi më i stabilizuar në Ballkanin perëndimor.
Vëzhgimi i dytë ka të bëjë me BE dhe zgjerimin e tij. Gjatë mbledhjes së Këshillit të BE vendosëm që të përfundojmë bisedimet me Bullgarinë dhe Rumaninë. Të dy vendet mendohet se do të bëhen anëtarë me të drejta të plota në vitin 2007. Gjithashtu vendosëm që të nisim bisedimet për hyrjen edhe të Kroacisë dhe të Turqisë. Pra, BE po zgjerohet në jug e në lindje dhe Ballkani po bëhet pikë qendrore e politikës së jashtme, ose që të jem më i saktë, i politikës së fqinjësisë së Bashkimit Europian. Në sajë të këtyre fakteve, Shqipëria afrohet edhe më shumë me BE dhe në këtë kuadër përfundimi i bisedimeve për marëveshjen e Stabilizim-Asociimit, bëhet edhe më i rëndësishëm.
Pyetje (AFP): Z. Belka, së pari ku do të fokusohen marrëdhëniet dypalëshe dhe në ç'mënyrë mendon Polonia të ndihmojë Shqipërinë në procesin e integrimit të saj?
Kryeministri i Polonisë, Marek Belka: Polonisë iu deshën 15 vjet për të hyrë në Bashkimin Europian, apo për të qenë më i saktë, u deshën 15 vjet që nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit deri sa hyri në BE. Pra kaluam një proces mjaft të rëndësishëm gjatë të cilit negociuam kushtet e hyrjes, duke ndryshuar ligjet tona dhe më e rëndësishmja, duke i zbatuar në praktikë këto ndryshime.
E di që në të kaluarën ka patur shkëmbime dhe kontakte mes dy Qeverive tona për këtë cështje dhe ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë me popullin tuaj. Kohët e fundit në Varshavë kam patur një takim me Ministren e Integrimit, znj. Ermelinda Meksi, pikërisht për këtë cështje, për ndarjen e përvojës. Pra kemi mjaft gjëra të përbashkëta, kontakte shumë të mira, marrëdhënie të mira, të cilat i përdorim për të ndarë përvojën në lidhje me negociatat.
Përsa i takon bashkëpunimit ekonomik, kemi parasysh pjesëmarrjen e kompanive private në proceset e privatizimit në vend, sikurse edhe rritjen e blerjeve shqiptare në Poloni. Kemi parë që ndodh që tregëtarët shqiptarë blejnë mallra në Gjermani kur këto janë prodhuar në Poloni, ndërkohë që këto mund të blihen në Poloni 30-40 përqind më lirë. Duhet që sipërmarrësit tanë të takohen, të diskutojnë për këto mundësi dhe t'i përdorin ato.
Gjithashtu kemi diskutuar mundësitë që ka për zhvillimin e turizmit mes dy vendeve. Këtë vit kanë ardhur 2 grupe në Shqipëri që sigurojnë shërbime dhe kanë parë mundësinë që kanë këtu për këto lloj shërbimesh. Shpresoj që të ketë një rritje të volumit të turizmit në drejtim të Shqipërisë.
Pyetje për të dy Kryeministrat (Associated Press): Si 2 vende anëtare të koalicionit në luftën kundër terrorizmit në Irak, mund të jepni një opinion mbi situatën e fundit atje dhe nëse ka ndonjë ndryshim të qëndrimeve të qeverive tuaja në këtë drejtim?
Kryeministri Fatos Nano: Unë besoj se ndryshimet që kanë ndodhur në Irak kanë arsyetuar thelbësisht drejtësinë e solidaritetit të Shqipërisë në koalicionin global të luftës kundër terrorizmit, duke cliruar popullin irakian nga tirania shtetërore e regjimit te vjetër dhe duke e përgatitur shoqërinë irakene për zgjedhjet e para të lira demokratike në fillim të vitit të ardhshëm.
Unë besoj se ne jemi të vëmendshëm edhe ndaj forcimit të autoritetit dhe të kontrollit mbi situatën në Irak nga ana e qeverisë së ligjshme, që ka marrë administrimin e vendit, e administruar edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe mbi këtë bazë, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë me dimensionet tona për t'i ndihmuar situatës së zhvillimit normal të zgjedhjeve që do të konstituojnë autoritetet sovrane të Irakut të lirë dhe demokratik vitin e ardhshëm.
Kryeministri i Polonisë, Marek Belka: Edhe unë shpreh të njëjtin mendim me atë që tha Kryeministri Nano. Është një nder për ushtarët tanë që të shërbenjnë krah për krah me ushtarët shqiptarë. Ne e dimë që ky është një mision tejet i rrezikshëm, kushton jetë. Edhe ne kemi pësuar deri tani 20 humbje njerëzore, 16 ushtarë, 2 badigardë që punonin për një kompani amerikane dhe 2 gazetarë.
Shpresojmë që sisituata në Irak të stabilizohet dhe irakenët do të jenë në gjendje të marrin plotësisht në dorë përgjegjësitë për vendin e tyre, me qëllim që ne të mund t'ua dorëzojmë atyre këto detyra, pra policisë dhe ushtrisë irakene, të cilën ne po i trajnojmë.
Ajo që ka më tepër rëndësi për mendimin tonë, është vazhdimi i procesit politik dhe atë që ne e quajmë irakizimi i Irakut. Ndaj të njëjtin mendim me Kryeministrin Nano që ajo që po bëjmë në Irak është jo vetëm për hatrin e popullin iraken, por edhe për sigurinë e të gjithë rajonit dhe në fakt të të gjithë botës. Lufta kundër terrorizmit është globale ashtu sic është edhe vet terrorizmi dhe ne mund të goditemi nga terrorizmi në të të gjithë botën. Askush nuk mund të fshihet prej tyre, pra ne duhet ta luftojmë terrorizmin si terrorizëm në të gjithë botën.