Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Menjëherë pas takimit të dy personalitetet deklaruan përpara medias: Kryeministri
Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Menjëherë pas takimit të dy personalitetet deklaruan përpara medias:
Kryeministri Fatos Nano: Kam kënaqësinë të jem para jush sot me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili është i njohur për të gjithë shqiptarët këtej dhe andej kufirit për kontributin e jashtëzakonshëm në afirminin e çështjes së Kosovës, të çështjes kombëtare, në çlirimin e Kosovës dhe në konsolidimin e kësaj Kosove demokratike që po ecën çdo ditë e më e sigurtë në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike dhe po afirmohet si një vend me demokraci multietnike, që ofron standarte europiane për bashkëjetesë, për qeverisje, për shtet ligjor dhe marrëdhënie miqësore dhe zhvillime të barabarta me të gjithë fqinjët.
Presidenti Rugova na jep mundësinë të shkëmbejmë informacionin më të ri me nivelin më të lartë që ai përfaqëson, për të kuptuar më mirë detyrat e përbashkëta në axhendën e integrimit dhe të forcimit të sigurisë së kufijve, të lëvizjeve të lira të qytetarëve, të inisiativave ekonomike që po i bashkojnë shqiptarët e kosovarët në një treg të vetëm rajonal, për ndërtimin e infrastrukturave të linjave të energjisë, të programeve të shkëmbimeve ekonomike, arsimore, kulturore, sportive madje.
Vizita e Presidentit Rugova në Shqipëri me këtë program të pasur e të ngjeshur tre ditor me siguri do të na ndihmojë të gjithëve të kuptojmë më mirë Kosovën e re dhe marrëdhëniet e reja midis shqiptarëve në rrugën e plotësimit të angazhimeve për integrim euroatlantik. Mirësevini Presidenti Rugova!
Presidenti Rugova: Mirëse ju gjej! Z.Kryeministër faleminderit për pritjen që më bëtë.
Ne biseduam për shumë çështje, për progresin që kemi arritur në Kosovë dhe me intensifikimin e axhendës. Po ashtu ne biseduam për një bashkëpunim më të fuqishëm në të gjithë fushat midis Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në fushën ekonomike që të krijojmë një treg të përbashkët dhe po ashtu edhe në fushat e tjera ku po bashkëpunojmë çdo ditë. Gjithsesi objektivat tona, të Kosovës dhe të Shqipërisë, janë Bashkimi Europian dhe unë insistoj që sa më parë të njihet pavarësia formale juridike për Kosovën dhe ne sëbashku të integrohemi në BE, si dhe vendet e tjera, po ashtu në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë ngushtë sëbashku.
Po ashtu konstatoj se Shqipëria ka bërë një progres në ndërtime, në ekonomi dhe në fusha të tjera. Sot të gjithë shqiptarët punojnë e bëjnë progres, në Shqipëri, Kosovë etj.