Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë deputetin e PSD në Bungestagun gjerman, Christoph Zopel. Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi ka shprehur urimet
Kryeministri Fatos Nano priti sot pasdite në një takim të veçantë deputetin e PSD në Bungestagun gjerman, Christoph Zopel.
Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi ka shprehur urimet për zgjedhjen e Kryetarit të ri të PSD gjermane z. Franz Muntefering.
Bashkëbiseduesit janë ndalur në mënyrë të veçantë në procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, BE dhe NATO. "Qeveria Shqiptare e konsideron integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe NATO si një nga synimet kryesore të politikës së saj të jashtme dhe si një prioritet strategjik", tha Kryeministri Nano,- duke shtuar se Shqipëria tashmë është futur në procesin e Stabilizimit dhe Asociimit. Kryeministri Nano e ka vlerësuar këtë si kuadrin bazë që jo vetëm rregullon marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në, por përbën dhe një stimul të fuqishëm për ecurinë e mëtejshme të reformave.
Kryeministri Nano theksoi në këtë takim se integrimi europian i vendit kërkon partneritet, ndërsa tha se po punojmë në mënyrë të vendosur dhe të përgjegjshme për krijimin e infrastrukturës së nevojshme administrative që Marrëveshja të jetë e implementueshme.
Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin opinion lidhur me rolin moderator që Shqipëria po luan në rajon në funksion të ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit dhe paqes. Gjithashtu në këtë takim z. Zopel vlerësoi rolin e Qeverisë Shqiptare dhe
pozicionin e mbajtur prej saj lidhur me situatën më të fundit të krijuar në Kosovë.
Menjëherë pas këtij takimi deputeti i PSD në Bundestagun gjerman Christoph Zopel bëri një deklaratë përpara medias duke u shprehur se:
Kjo është vizita ime e pestë në Shqipëri dhe çdo herë që vij mësoj gjëra të reja dhe më e rëndësishmja që unë kam mësuar është që Shqipëria ashtu si edhe shqiptarët ndihen europianë. Kjo përshtypje më lë mbresa dhe më bën të kuptoj se përse vij shpesh këtu. Do të desha që këtë mendim timin t'ua transmetoja shumë politikanëve të huaj, që të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Pas vizitës sime të parë këtu pata thënë që Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së në periudhën nga vitet 2010- 2019. Sot, kam arritur në përfundimin që me siguri Shqipëria do të bëhet më herët anëtare e BE-së, besoj që në 2014.
Në çdo vizitë timen unë zhvilloj takime me anëtarët e qeverisë dhe me njerëz të opozitës. Kësaj radhe ishte krejt rastësi që takimin e parë e zhvillova me z. Berisha, por duke pasur gjithnjë, në vëmendje të posaçme, një takim me Kryeministrin Nano.
Në të gjitha bisedat ka qenë synimi për të nxjerrë në pah faktin që Shqipëria po plotëson gjithnjë e më mirë sfidat për të hyrë në BE. Këtyre sfidave i takojnë gjithashtu përpjekjet lidhur me funksionimin e shtetit të së drejtës, bashkëpunimi i mirë me të gjithë vendet europiane në lidhje me luftën kundër kriminalitetit, korrupsionit dhe natyrisht përpjekjeve për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë para vendeve të tjera europiane.
Lidhur me këtë unë do të desha të bëj një propozim: në qoftë se Qeveria për shkak të rrethanave të ardhshme do të jetë ndonjëherë në pozitën e opozitës, duhet kuptuar më së miri se është shumë e rëndësishme të kërkojë që të zhvillohen zgjedhje të lira. Do të ishte gjithashtu, shumë mire, që pas zgjedhjeve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, ajo palë që do të humbasë të thotë që humba për shkak të zgjedhjeve të drejta dhe të ndershme. Dëshiroj të theksoj se Shqipëria shumë shpejt do të jetë aq europiane si Gjermania apo Suedia.
Lidhur me interesimin e medias se për çfarë u diskutua në takimin me Kryeministrin Nano, Zoti Zopel u shpreh:
Folëm për vizitat e tij të fundit në SHBA dhe Itali. Dëgjova me kënaqësi që Kryeministri Nano ka bërë përpjekje dhe ka kontribuar për anëtarësimin e vendit në NATO. Unë i thashë që në Gjermani nuk ka asnjë shqetësim për këtë çështje dhe Shqipëria është e mirëseardhur në NATO.
Folëm për faktin që në Bruksel shumë njerëz dhe vende ndonjëherë përhapin paragjykime për Shqipërinë dhe ndamë të njëjtin opinion me Kryeministrin Nano se të gjithë ata që kanë ardhur të vizitojnë Shqipërinë, gjithnjë flasin më mirë për Shqipërinë, pasi shohin gjendjen reale të saj.
Dhe në fund folëm për rëndësinë e kontributit që ka dhënë Qeveria Shqiptare në drejtim të përfundimit të shpejtë të konfliktit të fundit në Kosovë. I thashë z. Nano dhe po jua përsëris edhe juve: kam përshtypjen se Shqipëria me siguri kontribuon në mënyrë efektive që çështjet në Kosovë të ecin në mënyrë sa më të drejtë.