- Kryeministri Nano nënshkruan qëndrimin zyrtar të Klubit për humbjen e parakoshme të jetës së Presidentit Trajkovski - Presidenti i Klubit Politik të Ballkanit, Zhelyu Zhelev në një kom
- Kryeministri Nano nënshkruan qëndrimin zyrtar të Klubit për humbjen e parakoshme të jetës së Presidentit Trajkovski -
Presidenti i Klubit Politik të Ballkanit, Zhelyu Zhelev në një komunikim me anëtarët e Klubit, i ka dërguar sot Kryeministrit Fatos Nano një letër, ku shprehet qëndrimi i këtij Klubi në lidhje me vdekjen tragjike të Presidentit të Maqedonisë Boris Trajkovski. Në mesazhin e nënshkruar nga Kryeministrri Fatos Nano dhe anëtarët e tjerë të Klubit thuhet:
"Fati shkëputi nga radhët tona anëtarin më të ri të Klubit Politik të Ballkanit, atë të cilit i uruam unanimisht mirëseardhjen në Konferencën e Beogradit më 6 dhjetor të vitit 2003.
Presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, nuk është më mes nesh. Kjo është një humbje e madhe për Klubin tonë. Me vdekjen e tij tragjike ne humbëm një nga politikanët dhe shtetarët më premtues të Ballkanit. Ai ishte entuzuast dhe i gatshëm të punonte për kauzën e Klubit Ballkanik, dhe përmes, për vendin e tij dhe rajonin. Ai pa asnjë dyshim do të ishte një kontribues shumë i vlefshëm. Fati i pamëshirshëm, e ndaloi atë të jepte më të mirën e vet, çka ai sigurisht do ta kish bërë.
Por ajo që ai ka bërë tashmë si President në rrugën e tij të shkurtër mes nesh, do të kujtohet përgjithmonë. Vepra e tij do të lërë gjurmë të shndritëshme në histori. Ne nuk do të harrojmë kurrë përpjekjet e tij për të negociuar dhe nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, çka parandaloi një luftë civile ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Iniciativat e tij për unifikimin dhe paqtimin e rajonit të Ballkanit do të kujtohet gjithmonë.
Ne jemi në zi për vdekjen e tij dhe përulemi në homazh të kujtimit të tij të madh".