E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite me Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë Stevco Jakimovsky. Në fillim të takimit, zoti Jakimovsky i përcolli Kryeministrit Nano përshëndetjen per

Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite me Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë Stevco Jakimovsky.

Në fillim të takimit, zoti Jakimovsky i përcolli Kryeministrit Nano përshëndetjen personale të Presidentit të sapozgjedhur Branko Crvenkovski, si dhe mesazhin e tij se bashkëpunimi i ngushtë midis dy vendeve do të vazhdojë drejt progresit edhe në të ardhmen.

Kryeministri Nano vlerësoi përfundimin e procesit zgjedhor në Maqedoni dhe zgjedhjen e zotit Cervenkovski në krye të shtetit, duke theksuar bindjen se autoritet e reja në Maqedoni do të punojnë edhe në të ardhmen për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në interes edhe të stabilitetit, paqes, sigurisë dhe proceseve integruese rajonale.

Në këtë drejtim, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë u shpreh se autoritetet e vendit të tij vlerësojnë rolin moderator të rëndësishëm të Kryeministrit Nano dhe qeverisë shqiptare në funksion të nxitjes së inisiativave rajonale dhe kontributit për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se është i rëndësishëm vazhdimi i procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, si një ndër prioritetet dhe angazhimet serioze të qeverisë maqedonase. Ata theksuan se faktori shqiptar në Maqedoni po dëshmon mbështetjen e tij drejt integrimit euroatlantik në këtë vend.

Duke u ndalur në marrëdhëniet midis dy vendeve, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se viti 2003 ishte tepër i sukseshëm në marrëdhëniet dypalëshe, gjatë të cilit u realizuan edhe një numër tepër i lartë takimesh politike të nivelit të lartë.

Lidhur me marrëdhëniet ekonomiko-tregtare, bashkëbiseduesit nënvizuan faktin se megjithë shtimin e kontakteve ndërmjet drejtuesve të ministrive e institucioneve të tjera ka ende hapësira për t'u shfrytëzuar për t'i dhënë nxitje bashkëpunimit në fusha konkrete. Ata theksuan se ekspertët po punojnë për shfrytëzuar hapësirat që krijon Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis dy vendeve.

Ministri Jakimovsky vlerësoi rritjen e GDP-së në Shqipëri prej 6%, duke theksuar se edhe Maqedonia po punon për rritjen e GDP së saj, që aktualisht është 4%.

Në drejtim të rritjes së bashkëpunimit dypalësh, Kryeministri Nano dhe ministri Jakimovsky nënvizuan se po punohet për përgatitjen dhe nënshkrimin e marrëveshjeve në proces, si marrëveshja për Problemet Ujore dhe Statuti i Komisionit të Përbashkët për problemet ujore, marrëveshja për Turizmin, ajo e Ripranimit, për bashkëpunimin në fushën e kulturës etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›