Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite në Romë me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve Pierferdinando Casini. Në takim, u diskutuan marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve, bashkë

Kryeministri Fatos Nano u takua sot paradite në Romë me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve Pierferdinando Casini.
Në takim, u diskutuan marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve, bashkëpunimin parlamentar, si dhe mbi zhvilimet rajonale dhe ato globale.
Kryetari i Dhomës së Deputetëve Casini është shprehur se deputetët italianë vlerësojnë hapat e bërë nga Shqipëria dhe se do ta mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat euroatlantike.
Në përfundim të takimit me Kryeministrin Nano, Kryetari italian i Dhomës së Deputetëve Casini iu përgjigj interesimit të mediave.
I pyetur mbi takimin që zhvilloi me Kryeministrin Nano, Z.Casini u shpreh se:
Është një lidhje miqësore që konsolidohet më shumë në çdo vizitë që Kryeministri Fatos Nano zhvillon në Romë. Është një lidhje miqësore që ka një prezencë të fortë edhe në parlament. Ashtu siç edhe e dini ne po punojmë për një afrim të shpejtë të Shqipërisë në NATO dhe në Europë, pasi ajo sot është faktori i stabilitetit në Ballkan. Natyrisht, ne kemi arritur në këtë rezultat përmes një bashkëpunimi të fortë edhe midis vendeve tona, i cili na ka mundësuar të shohim rezultatet konkrete. Këtë herë politika jo vetëm ka folur, por ka prodhuar fakte. Fakte për shembull në kontrollin e trafikut klandestin, që ishte absolutisht poshtërues dhe që sot është bllokuar dhe dominohet pikërisht falë bashkëpunimit të Shqipërisë me Italinë.
Ndërsa lidhur me rolin e Shqipërisë në zhvillimet rajonale, Z.Casini tha se:
Roli i Shqipërisë është sot themelor në Ballkan. Krahasuar me vite të shkuara sot Shqipëria është faktori i stabilitetit në Ballkan. Ky është edhe mendimi i qeverisë dhe i Kryeministrit Berluskoni dhe është një opinion që parlamenti e ka si në krahun e pozitës edhe të opozitës. Shqipëria është një faktor stabiliteti në Ballkan, i cili është një rajon që ka ende shqetësime, sepse mjafton vetëm të mendosh për gjërat që ndodhën javët e shkuara Kosovë dhe për ne roli i Qeverisë dhe i Kryeministrit është shumë i vlerësuar.