E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite me delegacionin gjerman të kryesuar nga Erich Stather, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit. Delegacioni

Kryeministri Fatos Nano u takua sot pasdite me delegacionin gjerman të kryesuar nga Erich Stather, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit.

Delegacioni gjerman po viziton Shqipërinë me rastin e 15 vjetorit të bashkëpunimit dypalësh ekonomiko-financiar.

Kryeministri Nano vlerësoi bashkëpunimin dhe kontributin e qeverisë gjermane në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Shqipërisë, si dhe në drejtim të sensibilizimit të shteteve ekonomikisht të zhvilluara dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare për mbështetjen e Shqipërisë gjatë procesit të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Nano nënvizoi se Shqipëria ndodhet tashmë në një moment të rëndësishëm të zhvillimit të saj ekonomik. "E konsiderojmë të rëndësishëm bashkëpunimin midis Shqipërisë së re dhe Gjermanisë së fortë në fusha të ndryshme, por edhe në rrugën e integrimit europian", tha Z. Nano.

Z. Stather konfirmoi vullnetin e palës gjermane për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit teknik dhe financiar midis dy vendeve. Ai vuri në dukje se në kuadër të buxhetit federal të Gjermanisë parashikohen të vihen në dispozicion të qeverisë shqiptare mbi 18 milion euro për këtë qëllim.

Më pas, bashkëbiseduesit u përqëndruan në prioritetet e bashkëpunimit dypalësh që përfshin vazhdimin e projekteve në ujësjellësa dhe kanalizime, në mbështetjen e sektorit të energjisë, në linjat e interkonjeksionit, në nxitjen e investimeve gjermane në Shqipëri, mbrojtjen e mjedisit dhe mbështetjen për përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Autoritetet gjermane u interesuan për zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe hapat që janë marrë në këtë drejtim. Ata u shprehën se e shohin me mjaft interes zgjerimin e investimeve edhe në fushën e turizmit.

Gjatë viteve të bashkëpunimit midis dy vendve, financimi gjerman i programuar për Shqipërinë ka arritur shumën prej 325 milion euro, duke e bërë Gjermaninë donatorin e tretë bilateral për Shqipërinë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›