Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në mesditë një takim me Shefin e Misionit të FMN-së, z. Julio Escolano. Kryeministri Nano, në fillim të këtij takimi, shprehu vlerësimet për dedikimin
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në mesditë një takim me Shefin e Misionit të FMN-së, z. Julio Escolano.
Kryeministri Nano, në fillim të këtij takimi, shprehu vlerësimet për dedikimin, ndihmën dhe mbështetjen e këtij organizmi për vendin tonë, gjatë kësaj dekade të tranzicionit në Shqipëri. "FMN ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmë të Shqipërisë për të kapërcyer momentet e vështira dhe për të arritur nivele të kënaqshme të një zhvillimi të qëndrueshëm", tha Kryeministri Nano.
Më tej, Kryeministri theksoi se po punojmë për të arritur mbështetjen fiskale, me qëllim që të rrisim burimet e financimit për prioritetet tona si shëndetësi, edukim, infrastrukturë dhe mbrojtjen e sektorëve social. "Buxheti i vitit 2005 që ne dërguam në Parlament nuk është një buxhet i ndikuar nga zgjedhjet elektorale të po këtij vitit ", tha zoti Nano.
Lidhur me sistemin e tatimeve, Kryeministri Nano dhe Shefi i Misionit të FMN-së, Escolano ndanë të njëjtin opinion se legjislacioni i përfshirë në paketën fiskale është një hap në vijueshmëri për rritjen e numrit të taksapaguesve, në funksion të përmirësimit dhe thjeshtëzimit të kuadrit legal, eleminimit të barrierave administrative, forcimit të sistemit të kontrollit për taksat, si dhe modernizimin e administratës fiskale. Sipas Kryeministrit, këto masa do të krijojnë një klimë më të sigurtë për biznesin dhe sipërmarrjen e ndershme, si dhe një shërbim taksor më kualitativ.
Përsa i përket procesit të privatizimeve në Shqipëri, zoti Nano siguroi se Qeveria Shqiptare do të vazhdojë reformat në sektorin publik për përmbushjen e këtyre privatizimeve në 2005, veçanërisht të Albtelekom dhe Armo. "Në të njëjtën kohë,- shtoi Kryeministri,- ne po rrisim përpjekjet tona të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin që pengon reformat dhe zhvillimin, ndaj dhe kryerja e pagesave përmes sistemit bankar të buxhetorëve do të shërbejë si një katalizator në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë informale".
Kryeministri Nano garantoi se Qeveria Shqiptare do të vazhdojë të punojë ngushtësisht me FMN dhe mirëpret asistencën e saj për çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të vendit.
Ndërsa Shefi i Misionit të FMN-së, z.Escolano, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me strukturat dhe autoritetet shqiptare, si dhe progresin e arritur në reformat e ndërrmarra nga ana e Qeverisë që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë për vendin.
Zoti Escolano shprehu mbështetjen e Misionit për paketën fiskale të 2005, e cila sipas tij e sjell sistemin tatimor shqiptar më afër me standartet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ai shprehu përgëzimet për Qeverinë lidhur me buxhetin e e vitit te ardhshem dhe dialogun e hapur dhe transparent që ajo ka ndërrmarrë ne kete funksion.