E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Z.John Ashcroft, Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministër i Departamentit të Drejtësisë. Në fillim të

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Z.John Ashcroft, Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministër i Departamentit të Drejtësisë.

Në fillim të takimit, Kryeministri Nano ka falenderuar palën amerikane për partneritetin e ngushtë, bashkëpunimin dhe kontributin e ofruar në drejtim të forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri, në veçanti për mbështetjen dhe asistencën teknike e logjistike të palës amerikane.

Kryeministri Nano i ka dorëzuar Prokurorit të Përgjithshëm Ashcroft draftin e ligjit për goditjen e financimeve të terrorizmit. Z. Ashcroft e vlerësoi këtë si një hap që duhet përshëndetur, pasi sipas tij janë pikërisht financimet që ushqejnë terrorizmin ato që duhen goditur të parat. Ai u shpreh se Shqipëria bëhet një nga vendet e para që hedh një hap të tillë të rëndësishëm në këtë drejtim.

Në takim, është vlerësuar bashkëpunimi mes Prokurorisë së Shteteve të Bashkuara, Prokurorise shqiptare, dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Prokurori i Përgjithshëm Ashcroft u shpreh se progresi i Shqipërisë është impresionues në luftën kundër trafiqeve, terrorizmit, krimit të organizuar dhe në përgatitjen e legjislacionit në këtë fushë në një kohë intensive.

Ai vlerësoi se qëndrimi i SHBA-së për të përshpejtuar futjen e Shqipërisë në NATO është shprehje e angazhimit dhe seriozitetit të Qeverisë Shqiptare në këtë drejtim, duke shtuar se edhe miratimi i Rezolutës 558 është një moment i rëndësishëm që e dëshmon këtë. Ai ka shprehur mbështetjen e plotë për Shqipërinë për çuarjen përpara të standarteve të në këtë drejtim.

Gjithashtu, Z. Ashcroft çmoi rolin e Kryeministrit Nano dhe të Qeverisë së Shqipërisë në rajon si një moment garancie për stabilitetet paqe dhe progres, si dhe bashkëpunimin e të gjitha vendeve të rajonit për kontrollin e kufijve dhe goditjen e elementëve terroristë dhe të krimit të organizuar.

Ndërkohë, Z.Nano ka falenderuar qeverinë amerikane që ka njohur reformat dhe progresin e Shqipërisë, në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale.

Më tej, Z. Nano e ka njohur z.Ashcroft me ecurinë e reformave në fushën e drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, ku janë bërë përpjekje për krijimin e një baze të plotë dhe efiçente ligjore për thellimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Qeveria shqiptare ka hartuar ligje shumë të rëndësishme, si: ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës për Krimet e Rënda në shkallë të parë dhe në apel; ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë; ligji për funksionimin e Policisë së Shtetit; ligji për Gradat në Policinë e Shtetit. Masat dhe rezultatet konkrete janë publikuar për herë të parë gjatë vitit të shkuar nga Ministria e Drejtësisë në Librin Vjetor të Statistikave me evidenca të plota, gjë që dëshmon transparencën tonë në këtë drejtim, ka vënë në dukje Kryeministri Nano.

Në përmbushje të Strategjisë Kombëtare në Luftën kundër Korrupsionit, Qeveria shqiptare ka hartuar një program të detajuar masash, me anë të së cilës mbikqyr zbatimin rigoroz të Strategjisë dhe të dhënat e grumbulluara shërbejnë për miratimin e zgjidhjeve të reja, tha Z.Nano, duke shtuar se në veçanti vlerësojmë progresin e arritur që nga momenti i krijimit të Task Forcës për luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri me asistencën e OPDAT-it (Overseas Prosecutorial Development, Assistance and Training)

Kryeministri Nano ka kërkuar që në kuadrin e këtij bashkëpunimi të shtohet numri i trajnimeve të ofruara, si dhe asistenca e organeve inteligjente amerikane pranë Task Forcës.

Po ashtu, Kryeministri Nano është shprehur për nevojën e nënshkrimit të marrëveshjes për asistencën ligjore (MLAT – Mutual Legal Assistance Treaty), duke shtuar se është koha tashmë që marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit të vendosen edhe mbi baza ligjore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›