Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Policisë së Shtetit. Në këtë takim Kryeministri Nano mbajti nje fjale te cile
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Policisë së Shtetit.
Në këtë takim Kryeministri Nano mbajti nje fjale te cilen e keni te plote si vijon:
"I nderuar zoti Ministër,
zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
të nderuar drejtorë të policisë në qarqe!
Në vazhdën e takimeve zyrtare të punës të Kryeministrit me ju si drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, e gjej me vend të theksoj disa momente të rëndësishme që lidhen me dimensionet ligjore dhe civile të strukturave që ju drejtoni, për të mundësuar arritjen e parametrave që i bëjnë shërbimet e policisë të standarteve që kërkon proçesi i pakthyeshëm i Stabilizim-Asocimit me BE.
Një vit më parë ne ndërmorëm operacionin e pandërprerë antitrafik, duke shënuar fillimin e goditjes të organizuar shtetërore kundër trafiqeve të qënieve njerëzore me qëllim dhe objektiv bllokimin përfundimtar të tyre dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarive kriminale që i kanë ushqyer. Suksesi i padiskutueshëm i këtij operacioni, e ritheksoj të pandërprerë, shënoi një moment të rëndësishëm në veprimtarinë e Policisë së Shtetit duke e futur atë në një etapë cilësisht të re funksionale, në atë të luftës së organizuar kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera të trafiqeve ilegale. Unë e di që ju jeni të bindur se ashtu si në operacionet antiskaf edhe sfida të tjera që keni ndërmarrë dhe do të ndërmerrni do të përballohen edhe me skepticizmin publik, mediatik apo politik, me mosbesimin që mbjell dhe bota e krimit në mjediset publike për të mundur të vazhdojë të peshkojë në mjergull. Mos u dekurajoni përballë cilitdo që përpiqet të nxijë arritjet dhe përkushtimin tuaj dhe mbani në qendër të vëmendjes se detyra juaj kryesore e përcaktuar në ligjin për Policinë e Shtetit është lufta e pandërprerë e ditëpërditshme dhe e pakompromis ndaj krimit në çfarëdo forme që ai shfaqet. Ju jeni rojet kushtetuese të rendit publik dhe të garantimit të jetës së shtetasve dhe të pasurisë së tyre.
Pas një viti, ndërkaq ne mund të shohim më mirë se cili është produkti i një pune të organizuar, koordinuar dhe drejtuar me profesionalizëm ligjor, dhe, të konfirmojmë njëkohësisht vullnetin real, seriozitetin dhe vendosmërinë tonë të përbashkët për të mundësuar ushtrimin e lirive dhe të drejtave themelore nga shtetasit dhe qytetarët e vendit, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe abuzimit në detyrë. Ne e vlerësojmë prioritare dhe shumë të rëndësishme vazhdimin e këtij angazhimi ligjor dhe operacional. Njëherësh, na takon të shohim me më shumë përgjegjësi çfarë nuk funksionon si duhet ende dhe të evidentojmë dhe kurojmë defektet apo mangësitë, me masa ligjore të rrepta.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni marrin në shfaqjet e përditshme, forma gjithnjë e më të sofistikuara. Nuk mungojnë gjithashtu format klasike të krimit që lënë gjurmë edhe në memorien e njerëzve. Përballë këtyre situatave detyra juaj është jo thjesht kapja, dokumentimi dhe dhënia drejtësisë së ligjit e autorëve të krimit, por në radhë të parë parandalimi i veprave penale, në mënyrë të veçantë parandalimi i krimeve kundër jetës dhe pronës së qytetarëve mbetet objektiv parësor i punës së çdo punonjësi të Policisë së Shtetit. Përsa i takon formave më të sofistikuara të veprimtarisë kriminale ju tashmë keni nisur dhe duhet të forconi bashkëpunimin me organet e ndjekjes penale dhe me homologët tuaj të vendeve fqinje dhe të aleatëve të tjerë më të zhvilluar.
Unë besoj se bllokimi i trafiqeve ilegale që arritëm sëbashku fund-gushtin e vitit 2002 e ka transformuar tashmë Kanalin e Otrantos nga akuadromi i krimit dhe i humbjes së jetëve njerëzore, në urë të bashkëpunimit edhe ndërpolicor që garanton qarkullim të lirë njërëzish dhe vlerash të ndërsjellta qytetëruese. Forcojeni më tej këtë bashkëpunim, konsolidojeni atë në shërbim të prosperitetit dhe të qetësisë publike në atdheun tonë të dashur.
Unë preferoj të mos ndalem më gjatë në rezultatet e punës tuaj të dukshme dhe të prekshme nga të gjithë, prandaj gjej rastin t'i vlerësoj treguesit pozitivë si përmbushje korrekte e detyrës ligjore nga ana juaj. Në bazë të treguesve, shifrave lehtësisht të verifikueshme dhe të matshme, kriminaliteti për këta 12 muaj, deri në momentin që po flasim, është më i ulëti në krahasim me të njëjtat periudha të të gjitha viteve, duke filluar që nga viti 1991. Përafërsisht në këta parametra janë edhe treguesit e goditjeve dhe të rezultateve që ju keni realizuar. Kjo shpjegon edhe ndjeshmërinë që kanë krijuar disa ngjarje të kohëve të fundit. Pra, nuk dua të anashkaloj aspak këtu edhe shumë probleme e mangësi që shfaqen ende, të cilat vetë ju me përgjegjësi dhe me shumë profesionalizëm po i analizoni, vlerësoni dhe administroni në një proçes dinamik. Dua të nënvizoj se këto ngjarje, përveç tronditjes së kuptueshme që shkaktojnë, përbëjnë një përgjegjësi "sine qua non" për të rritur profesionalizmin policor, për të luftuar e goditur më me efikasitet krimin, për ta njohur dhe dokumentuar më mirë e me prova të pakundërshtueshme veprimtarinë kriminale, për të forcuar bashkëpunimin e integruar me Prokurorinë e Shtetit dhe për të forcuar mekanizmat dhe filtrat e rekrutimit të personelit, në funksion të ndëshkimit ligjërisht dhe me tolerancë zero edhe për pjesëtarë të policisë të çdolloj niveli që dëshmojnë pamjaftueshmëri dhe profil të ulët profesional, që abuzojnë me detyrën, që korruptohen, apo që kthehen në intendentë të autorëve të krimit! Ju jeni të rreshtuar në hierarkinë e drejtësisë së organizuar kundër krimit të organizuar. Kjo nuk mjafton, nëse vartësit apo kolegët tuaj vazhdojnë të njollosin rëndë figurën e policit të shtetit, figurë që mezi po e konsolidojmë sipas ligjit, duke nisur edhe me trajtimin financiar, edhe me gradat që për herë të parë i vendosëm ne vitin që kemi hyrë.
Drejtësi e organizuar do të thotë që ajo pjesë e strukturave tuaja që është përgjegjëse për hetimin e veprave penale duhet të jetë më e saktë, më vepruese dhe më bashkëpunuese me organet e tjera të shtetit ligjor në veçanti me Prokurorinë. Ne nuk mund të vazhdojmë të hedhim topin e fajit, gjithnjë vetëm tek drejtësia, e cila megjithatë po shfaq ende difektet e saj. Në bazë të ligjit për Policinë e Shtetit ju jeni pjesë e ekzekutivit dhe si të tillë ju jeni drejtpërdrejtë përgjegjës para përfaqësuesve politikë të zgjedhur për të qeverisur. Natyrisht do të marrim edhe kostot që na faturohen drejtpërdrejt nga defektet e drejtësisë por nuk mund të tolerojmë kosto që burojnë nga puna e dobët dhe e pamjaftueshme juaja në hetime paraprake të çështjeve.
Si Kryeministër dhe Kryetar i mazhorancës kërkoj që ju dhe institucioni i Prokurorit të Shtetit të vazhdoni të merrni masa të përbashkëta efikase për të kryer me korrektesën që kërkon ligji dhe detyra hetim të detajuar dhe profesional për çdo çështje kriminale. Defektet që krijohen nga moskryerja e detyrës prej jush apo prokurorisë në plotësimin e dosjeve hetimore rrezikojnë të korruptojnë të gjithë sistemin e ndjekjes penale dhe shpesh të na çojnë në ndëshkime të pamerituara apo në shmangie të ligjit ndaj gjyqtarëve si hallkë fundore e këtij sistemi. Nuk dua aspak të mbroj askënd në këtë skemë, as gjyqëtarët që mezi presin të gjykojnë dosje me mangësi sepse ose shesin tek palët të drejtat e tyre, ose në rastin më të mirë krijojnë alibi për të fshehur abuzimin e vet në dosje të tjera.
Duke iu referuar konteksit kohor aktual, dëshiroj të përqëndrohem posaçërisht në faktin që shoqëria shqiptare, dhe në radhë të parë institucionet shtetërore dhe klasa politike e vendit ndodhen përpara një sfide të rëndësishme: zgjedhjet administrative të 12 tetorit. Këto zgjedhje, përveç një verifikimi elektoral të çdo formacioni politik, janë mbi të gjitha një test i rëndësishëm për standartet që ka arritur vendi në konsolidimin e institucioneve dhe të kulturës demokratike. Në këtë funksion, institucionet e shtetit kanë ndërmarrë masat e duhura për reformën ligjore e institucionale, për përmirësimin e infrastrukturës, përcaktimin rigoroz e vetëm mbi baza ligjore të rolit dhe të detyrave të secilit aktor, përfshirë edhe Policinë e Shtetit si një institucion shumë i rëndësishëm edhe në stinë elektorale.
Ligji i Policisë së Shtetit dhe ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor e kanë bërë më të saktë dhe transparent rolin, përgjegjësinë dhe pozicionin rigorozisht e ekskluzivisht profesional të Policisë së Shtetit si një institucion me neutralitet absolut në rregullat e konkurencës demokratike në zgjedhje. Unë jam informuar për masat përgatitore që po ndërmerrni për të garantuar lirinë dhe sigurinë e tubimeve në fushatën elektorale si dhe integritetin fizik e material të proçesit e dokumentacionit zgjedhor.
Reforma në Policinë e Shtetit, e gjithë paketa ligjore që shoqëron atë, realizimi i saj në tërësi e në mënyrë komplekse, ka çuar përfundimisht në krijimin e një Policie të Shtetit – institucion ligjor të pavarur nga politika, antipod i policisë së pushtetit dhe instrument jo më abuziv siç ishte në duart e politikës së vjetër të inkriminuar që amoralisht synon sërish të provokojë Policinë e Shtetit duke shpifur apo frenuar përpjekjet e saj ligjore.
Unë ritheksoj edhe për ju se ka perënduar njëherë e përgjithmonë koha kur policia përdorej si agjente elektorale, si nëndetëse politike apo si mbushëse e kutive të votimit e për të intimiduar e përdorur sistemin e "Haxhi Dajakut" mbi konkurentët elektoralë.
Jo vetëm Kodi Zgjedhor, por i tërë korpusi ligjor mbi të cilin është organizuar, funksionon dhe vepron Policia e Shtetit, Kodi i Etikës dhe Rregullorja përkatëse e disiplinës, profesionalizmi dhe korrektesa e efektivave të policisë, partneriteti ndërinstitucional dhe kontrolli rigoroz e real pluralist parlamentar, janë garancitë ligjore dhe institucionale që votuesit dhe subjektet konkuruese, të gjithë të interesuarit pra të shikojnë tek Policia e Shtetit angazhimin e garantit të ushtrimit të lirive themelore politike edhe në fushata elektorale. Prandaj unë jam i bindur se të gjithë do të gjejnë tek ju veçse përmbushje me dinjitet dhe sukses të detyrave që keni edhe në kuadrin e proçesit zgjedhor.
Sigurisht ne nuk jemi as naivë, as hipokritë: dimë të dallojmë punonjësin-polic dhe qytetarin-polic. Si qytetar, çdo anëtar i policisë, i kujtdo roli dhe funksioni qoftë, ka të drejtën kushtetuese të votës, pra që presupozon edhe ndonjë preferencë politike. Por në këtë rast, për vetë detyrën që kryen dhe institucionin që përfaqëson, ky është elektorat pasiv. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë, për ju dhe vartësit tuaj në strukturat qendrore apo periferike të policisë. Bindjet politike për të gjithë punonjësit e policisë kanë vetëm një mjet shprehje: kutinë e votimit.
Zotërinj!
Qeveria që unë drejtoj është tërësisht e angazhuar për një proçes zgjedhor realisht të drejtë, të barabartë dhe të pacënueshëm. Dhe institucioni i policisë me rolin e vet të pazëvendësueshëm do të garantojë integritetin dhe besueshmërinë e këtij proçesi. Prandaj me solemnitetin dhe ndershmërinë që kërkon ky moment unë kërkoj nga ju:
Së pari, Një sjellje rigorozisht ligjore, profesionale, institucionale dhe apartiake të të gjithë personelit policor gjatë fushatës dhe gjatë ditës së zgjedhjeve.Çdo subjekti elektoral duhet t'i garantohet lëvizja e lirë në çdo skaj të territorit, liria e tubimit dhe siguritë e nevojshme të politikanëve në kontakte dhe në manifestime elektorale. Kjo është e barazvlefshme edhe për simpatizantët e tyre.
Së dyti, përzgjedhje skrupuloze të personelit policor, ndër ata që janë mbartësit më të spikatur të standarteve më të larta profesionale e etike, në ruajtje të qendrave të votimit dhe në shoqërim të materialeve dokumentare të zgjedhjeve.
Së treti, trajnim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të këtij personeli policor në planin juridik, teknik dhe etik.
Së katërti, trajnim të këtij personeli për të përforcuar aftësitë psikologjike dhe të komunikimit me publikun dhe me çdo subjekt për t'i rezistuar dhe për të amortizuar provokimet daj Policisë së Shtetit, për të përsosur vetëkontrollin dhe për të shfaqur vendosmëri dhe kulturë në përmbushjen e detyrës.
Së pesti, zhvillim të pandërprerë kontaktesh dhe konsultimesh me KQZ dhe me Komisionet Zonale elektorale për sqarime dhe këshillime në funksion të mbarëvajtjes së gjithë proçesit elektoral.
Së gjashti, angazhim profesional jo vetëm për të mos zbehur apo shpërqëndruar vëmendjen në luftën kundër krimit dhe akteve të tjera të paligjshme, por përforcim dhe ridimensionim të kësaj lufte, në bashkëpunim dhe partneritet me të gjitha strukturat ligjore edhe në kushtet dhe periudhën e fushatës elektorale.
Në përfundim, më lejoni të theksoj se proçesi zgjedhor nuk është vetëm një moment verifikimi i peshës elektorale të subjekteve të ndryshme politike, por është test i rëndësishëm për vetë institucionin e policisë, sjelljen tuaj profesionale, shkallën e besimit publik për Policinë e Shtetit, për imazhin e brendshëm dhe ndërkombëtar të institucionit që ju përfaqësoni dhe zhvilloni në marrëdhënie të brendshme dhe ndërkombëtare.
Pra për asnjë çast të mos harroni se profesionalizmi, besimi te publiku, as nuk dekretohen, as nuk telekomandohen e as nuk urdhërohen, por meritohen. Këto variabla burojnë nga vetë ju, nga puna, kompetenca, solidariteti me ligjin dhe veprimtaria juaj profesionale.
Më lejoni pra që duke shprehur bindjen se ky mesazh perceptohet drejt dhe do të mishërohet në veprimtarinë e policisë edhe gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve të ardhshme, t'ju uroj suksese në përmbushjen e detyrës me fisnikëri dhe me përgjegjësi të lartë!"