E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave zhvilloi sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, mbledhjen me tematikë "Rregullimi ligjor i transportit detar, përcaktimi dhe rritja e pagës minimale në sh

Këshilli i Ministrave zhvilloi sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, mbledhjen me tematikë "Rregullimi ligjor i transportit detar, përcaktimi dhe rritja e pagës minimale në shkallë vendi, si dhe menaxhimi i pasurisë publike në formë konçesionare".

Këshilli i Ministrave miratoi dy vendime të rëndësishme për pagat.

U miratua vendimi "Për pagën minimale në shkallë vendi". Vendimi parashikon që paga minimale, mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 10 060 (dhjetë mijë e gjashtëdhjetë) lekë.

Duke iu referuar sistemit aktual të pagave të punonjësve buxhetorë, me pagë minimale paguhen vetem 7684 punonjes, të cilët përfitojnë këtë rritje.

Gjithashtu, nga kjo rritje përfitojnë edhe të gjithë ato punonjës të sektorit privat që paguheshin deri tani me pagë minimale.

Rritja e pagës minimale ka një ndikim në rritjen e shpenzimeve mbi parashikimin për gjithë sistemin e pagave 4.6 milionë lekë në muaj.

U miratua vendimi "Për rritjen e pagesës kalimtare të ushtarakëve në rezervë (lirim)". Vendimi përcakton rritjen në masën 10% të pagesës kalimtare që përfiton ushtaraku në rezervë (lirim), të caktuar deri më datë 1.7.2003, në zbatim të nenit 10 të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar", i ndryshuar.

Efektet financiare nga zbatimi i këtij vendimi prej 2673 mijë lekë në muaj janë përfshirë dhe përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2003, për secilën ministri. Për Ministrinë e Mbrojtjes efekti mujor është 2171 mijë lekë, Ministrinë e Rendit Publik 320 mijë lekë dhe SHISH 182 mijë lekë.

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për Projekt Kodin Detar Shqiptar". Duke patur parasysh që vendi ynë është anëtar i Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), që nga viti 1993, si dhe të përfaqësimit të vendit tonë në institucionet ndërkombëtare, doli e domosdoshme që të përgatitej Projekt Kodi Detar, i cili do të përbëjë bazën e të gjithë legjislacionit në fuqi. Projektligji është organizuar në 9 pjesë, secila me një numër krerësh, gjithësej 39, me 411 nene.

Për realizimin e këtij Projekt Kodi janë shfrytëzuar eksperiencat e vendeve të zhvilluara në fushën e detarisë dhe sidomos eksperienca e Italisë, Maltës, Polonisë, Kroacisë etj. Për përgatitjen e këtij drafti është shfrytëzuar drafti i përgatitur nga ekspertë të IMO.

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi edhe një numër vendimesh të rëndësishëm.

Keshtu u miratua vendimi "Për miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave". Një vend të rëndësishëm për zbatimin e kuadrit ligjor, që rregullon organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, i cili sanksionohet me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", zë dhe përgatitja e akteve nënligjore, në mbështetje dhe në zbatim të këtij ligji.

Ligji trajton një tërësi çështjesh, që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, ku përfshihen edhe dispozitat që parashikojnë rregullat e përgjithshme për përgatitjen, hartimin, bashkërendimin, përmbajtjen, programimin dhe raportimin e projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim e miratim në Këshillin e Ministrave, në përputhje me programet analitike, të miratuara.

Në këtë rregullore, në mbështetje të akteve ligjore e nënligjore përcaktohen rregullat dhe proçedurat e hollësishme, që duhet të zbatojë Këshilli i Ministrave për hartimin, bashkërendimin dhe përmbajtjen e projektakteve.

U miratua vendimi "Për vënien në funksionim të qëndrës pritëse të rehabilitimit dhe integrimit të viktimave të trafikut". Në planin e veprimit të "Strategjisë Kombëtare kundër trafikimit të qënieve njerëzore", miratuar me VKM nr.674, datë 7.12.2001, është parashikuar ngritja e qëndrave të pritjes dhe të aftësimit shëndetësor dhe psikologjik të viktimave të trafikimit të qënieve njerëzore.

Për vënien në funksionim të qëndrës, Ministria e Punës dheÇështjeve Sociale (Shërbimi Social Shtetëror) do të bashkëpunojë me Ministrinë e Rendit Publik dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracion (IOM), Misioni në Shqipëri. Me këto institucione është nënshkruar një marrëveshje tri palëshe, ku përcaktohen përgjegjësitë e tyre.

Qendra përbëhet nga dy ndërtesa. Në njërën do të strehohen gratë, vajzat, dhe fëmijët dhe në tjetrën emigrantët. Kapaciteti i qëndës është 100 vendësh. Qendra do të ofrojë shërbim 24 orësh dhe personat do të qëndrojnë atje nga 1 javë deri 3 muaj, derisa të sistemohen pranë familjeve të tyre ose në vende të përshtatshme, ndërsa klientët e huaj deri në riatdhesimin e tyre.

Në qendër do të priten dhe do t'u jepet ndihmë e specializuar vajzave, grave, fëmijëve (shqiptarë dhe të huaj) si dhe emigrantëve të paligjshëm të kapur nga policia shqiptare ose të kthyer nga policia e vendeve të tjera. Këto kontigjente do të sillen në Qendër nga Komisariatet e Policisë.

Gjithashtu, Qendra do të shërbejë për ndërgjegjësimin e opinionit për nevojën e kujdesit për këto kategori si dhe për qëndrimin ndaj viktimave të trafikimit.
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të Kodit të Sjelljes së Bashkimit Europian për eksportin e armëve". Kodi i Sjelljes i BE "Për eksportin e armëve", 8 Qershor 1998, sëbashku me dispozitat përkatëse, është bazuar në Kriteret e Përbashkëta të miratuara në Luksenburg dhe Lisbonë, 1991 dhe 1992.

Kodi është i përbërë nga tetë kritere të cilat janë adoptuar duke njohur përgjegjësinë e veçantë të shteteve anëtare të BE, eksportuese të armëve, vendosmërinë për përcaktimin e standarteve të përbashkëta për të ndaluar eksportet e armëve që përdoren për represion të brendshëm dhe që mund të shkaktojnë pasiguri rajonale, duke pranuar masat për parandalimin dhe luftën kundër trafiqeve të paligjshme, si dhe dëshirën e shteteve për të ruajtur industrinë e mbrojtjes si hallkë të ekonomisë.

Dispozitat e Kodit përcaktojnë modalitetet e aplikimit të tij. Ai është i detyrueshëm për zbatim nga shtetet anëtare, por në nenin 11 të kreut "Dispozita", Kodi mundëson pranimin e parimeve të tij edhe nga shtete të tjera te cilat synojnë të pranojnë dhe udhëhiqen nga këto parime.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për Miratimin e kuotës së pranimit të studentëve në akademinë e policisë "Arben Zylyftari", për vitin akademik 2003-2004".
Për vitin akademik 2003-2004 është planizuar kuota prej 50 studentësh, kuotë kjo e propozuar nga Drejtoria e Akademisë së Policisë "Arben Zylyftari", duke marrë edhe mendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në përcaktimin e kësaj kuote janë mbajtur parasysh nevojat për kuadro të Policisë së Shtetit.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për dhënie ndihme financiare familjes së të ndjerit Rushan HekuranÇuçllari, ish polic i vrarë në krye të detyrës". I ndjeri Rushan HekuranÇuçllari, banues në Tiranë, i martuar me një fëmijë, është pranuar në strukturat e Policisë së Shtetit në vitin 1973 dhe ka shërbyer me devotshmëri e përkushtim në radhët e policisë për një periudhë 26 vjeçare.

Më datën 14.04.2003 në orën 00.45 minuta, në qytetin e Tiranës, Rushani kryente shërbimin në rrugën e Kombinatit, por befasisht dhe në mënyrë kriminale është përplasur me makinë nga persona të inkriminuar, ku si rezultat ai mbeti i vdekur.

Në shenjë mirënjojhjeje për punën e tij në radhët e Policisë së Shtetit, si dhe për t'í ardhur në ndihmë familjes, Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Rendit Publik, vendosi t'í akordojë familjës së tij një ndihmë financiare prej 2 500 000 (dy milion e pesëqind mijë) lekësh. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes tip "Open Sky" (Qielli i Hapur) ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për transportin ajror". Në vazhdim të politikave të Qeverisë Shqiptare për fuqizimin e transportit ajror të Republikës së Shqipërisë, në shërbim të pasagjerëve dhe për arritjen e marrëveshjeve bilaterale ndërkombëtare me shtetet anëtare të organizmave ndërkombëtarë, Ministria e Transporteve ka rënë dakort në parim për nënshkrimin e marrëveshjes tip "Open Sky" me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, do të arrihen kushte mjaft lehtësuese për transportin ajror midis dy vendeve, rritja e numrit të fluturimeve për dhe nga Shqipëria, përmirësimi i shërbimeve ndërkombëtare të transportit midis dy vendve, rritja e cilësisë së shërbimeve të shoqërive ajrore, si dhe përmirësimi i standarteve të sigurisë për operimet aeroportuale ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje përcakton, gjithashtu, rregulla të plota dhe të hollësishme në realizimin e transportit ajror midis RSH dhe USA, përmirësimi i shërbimeve ndërkombëtare të transportit midis dy vendeve, duke krijuar kushte të favorshme për rritjen e shërbimeve tregtare dhe të biznesit, lehtësimin e proçedurave të hyrje daljes së pasagjerëve dhe lëvizjen e lirë të njërëzve dhe mallrave.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në fushën e transportit ajror është në vijim të bashkëpunimit me palën amerikane për modernizimin e Kontrollit të Trafikut Ajror dhe përmirësimin e standarteve të sigurisë së operimit në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Rinasit dhe do t'i shërbejë zhvillimit të aviacionit civil shqiptar.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit, për asistencë të ndërsjelltë në çështjet doganore".
Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunimin në fushat e mëposhtme:

• Shkëmbimin e informacionit ndërmjet Administratave Doganore, me qëllim bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të luftës kundër shkeljeve dhe kryesisht për verifikimet A-posteriori apo Para-mbërritjes mbi vlerën, natyrën dhe sasinë e mallrave të importuara;
• Këmbimin e personelit doganor si dhe atashimin e punonjësve ndërlidhës në territoret doganore reciproke me qëllim asistencën, dëshmitë gjatë proçeseve penale lidhur me shkeljet doganore, trajnimin etj.;
• Investigimin e përbashkët në rast të shkeljeve të verifikuara apo të dyshuara;
• Luftën kundër drogës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme;
• Lehtësimin e procedurave doganore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›