Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Kukësit. Fillimisht zoti Nano është takuar me drejtues të pushtetit vendor në Bashkinë e këtij qyteti. Kryetari i Bashkisë K
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Kukësit. Fillimisht zoti Nano është takuar me drejtues të pushtetit vendor në Bashkinë e këtij qyteti.
Kryetari i Bashkisë Kukës dhe autoritete të tjera vendore falënderuan dhe vlerësuan kujdesin e posaçëm të Kryeministrit për qytetin e Kukësit, ku sipas tyre, kjo ishte vizita e katërt në një kohë shumë të shkurtër. Ata e njohën Kryeministrin me angazhimin dhe punën e strukturave lokale në përballimin emergjencës, por edhe në drejtime të tjera të administrimit vendor.
Në këtë takim, Kryeministri Nano vlerësoi punën dhe angazhimin e autoriteteve vendore në Kukës në përballimin e emergjencës së krijuar së fundi për shkak të motit të keq, si dhe bashkëpunimin me strukturat e tjera qeveritare në këtë funksion.
Ai inkurajoi hapat e mëtejshëm në këtë drejtim dhe kërkoi nga strukturat vendore forcimin e bashkëpunimi në funksion të zhvillimit të Kukësit.
Kryeministri theksoi se "Qeveria ka në vëmendje të plotë Kukësin dhe ka projekte konkrete zhvillimi për të, por është e nevojshme që të gjitha palët politike që përfaqësohen në strukturat vendore të ngrihen mbi interesat e fiseve dhe interesave personale dhe të shfrytëzojnë projektet dhe kujdesin e qeverisë, për të përshpejtuar të ardhmen e Kukësit". Kryeministri me këtë rast përmendi shembullin pozitiv që KFOR-i po jep në Kukës, ku trupat ushtarake të 11 nacionaliteve po punojnë sëbashku me qeverinë shqiptare dhe autoritetet lokale për të ndihmuar këto zona në këtë moment. "Ju këtu në Kukës, tha ai, nuk duhet të pengoni njëri-tjetrin, që nga aeroporti që është në ndërtim, deri tek ujësllellësat, pavarësisht forcave politike që përfaqësoni. Ju duhet të përshpejtoni këto procese". Zoti Nano shtoi se Kukësi do të shndërrohet në një nyjë të rëndësishme lidhjeje me Kosovën, përmes punës së përbashkët të të gjithë faktorëve lokalë dhe qendrorë.
Kryeministri Nano vuri në dukje se investimet për Kukësin kanë ardhur duke u rritur, duke theksuar se gjatë vitit 2004 Ministria e Rregullimit te Territorit dhe Turizmit ka financuar për Bashkinë e Kukësit rreth 28 milion lekë për kanalizime të ujrave të ndotura dhe infrastrukturë në rrugë e trotuar, investime këto të realizuara nga kjo Bashki. Ndërsa për vitin 2005 janë parashikuar 2.5 milionë lekë vetëm për kanalizime të ujërave të ndotura.
Gjithashtu, Kryeministri tha se për vitin 2005, për gjithë Qarkun e Kukësit nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit janë parashikuar të investohen rreth 62.5 milion lekë.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit do të investojë me një shifër prej 70 milionë lekë ndërtimin e shkolles 9-vjecare dhe pajisjen e saj me mjetet shkollore. Edhe Ministria e Pushtetit vendor dhe Decentralizimit për këtë vit jep për Bashkinë Kukës grandin me vlerë mbi 56 milion leke, nga rreth 45 milion lekë që u akordua në vitin 2004, me një rritje rreth 20 përqind, nga 7 përqind që është mesatarja në rang vendi.
Gjatë takimit me drejtuesit vendorë të qytetit të Kukësit, Kryeministri Nano u shpreh se në vëmendje të strukturave qeveritare është edhe rikonstruksioni dhe ndërtimi i tregut të qytetit, sistemimi i qendrës së udhëtarëve, ndihma për zbutjen e problemeve të strehimit, etj.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Nano u takua dhe me drejtues të KFOR-it, te cilet prej disa ditesh, ne koordinim me strukturat e qeverise dhe autoritetet locale, po kryejne shperndarjen e ndihmave ne zonat qe jane ne veshtiresi per shkak te emergjencës. Ai i falënderoi ata për gadishmërinë dhe ndihmën e dhënë për banorët e kësaj zone, si dhe vazhdimin e ketij bashkepunimi.
Më pas, Kryeministri Nano ka zhvilluar një takim me intelektualë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste në qytetin e Kukësit.