E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë punë ne Bashkinë e Tiranës, ku u takua me Kryetarin e kësaj Bashkie, Edi Rama dhe stafin drejtues të bashkisë. Në këtë takim merrnin pjes

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një vizitë punë ne Bashkinë e Tiranës, ku u takua me Kryetarin e kësaj Bashkie, Edi Rama dhe stafin drejtues të bashkisë.

Në këtë takim merrnin pjesë Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Bashkim Fino, Prefekti i Qarkut të Tiranës Besnik Dervishi, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Luan Shahollari, etj.

Në fillim të takimit Kryeministri Nano shprehu kënaqësinë për këtë vizitë, duke theksuar se kjo i shërben forcimit të bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor, nxitjes së këtij bashkëpunimi dhe kontributit në drejtim të administrimit publik të investimeve, të shërbimeve të komunitetit, mbi bazën e projekteve që po implementohen.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin vullnet për të harmonizuar me mire net e ardhmen te ardhurat fiskale, në kuadrin e reformave te deçentralizimit midis autoritetit qendror dhe atij vendor, si dhe për identifikimin e hapësirave të reja të bashkëveprimit.

Kryeministri Nano u shpreh se kjo i shërben "konsolidimit të kryeqytetit si model i administrimit publik dhe si vend ku pilotohen autoritete të deçentralizuara, si bankoprovë për suksesin e reformave në të gjithë vendin".

Gjithashtu, bashkëbiseduesit në këtë takim theksuan domosdoshmërinë për të gërshetuar autoritetet dhe juridiksionin midis pushtetit qendror, bashkive metropol dhe minibashkive.
Bashkebiseduesit diskutuan mbi arsyetimin duke u mbeshtetur në shembullin e kryeqyteteve të tjera në rajon apo Europë, "sepse Tirana është jashtëzakonisht ritmike, pra me ritëm shumë të lartë po i afrohet parametrave të administrimit dhe të shërbimeve për numër banorësh që kanë qytetet kryesore në Europë"tha zoti Nano.

Kryeministri Nano vlerësoi transformimin e madh të kryeqytetit, nga legjislatura e parë në të dytën, nën drejtimin e Kryetarit Rama dhe stafit të tij. "Nëse në vitin 2000 raporti i investimit publik nga burime buxhetore dhe të vetat në bashkinë e Tiranës ishte pothuajse 4 me 1 në favor të buxhetit të shtetit, tani është e kundërta. Nga 2 miliard e 650 milion që investoni sivjet, buxheti i shtetit mban 700 milion. Ne sigurisht jemi pozitivisht xhelozë, se keni filluar të merrni drejtpërdrejtë dhe financime donatorësh, rreth 700 milion sivjet", u shpreh Kryeministri.

Më pas, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës e informuan Kryeministrin për veprimtarinë e Bashkisë, për projektet afatshkurtër e afatgjatë,hapat ligjor, objektivat per zhvillimin e metejshem te Bashkisë se Tiranës, rritjen e cilësisë së shërbimeve publike ndaj komunitetit, etj.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për ngritjen e këtij bashkëpunimi në nivelet te reja, për t'iu përgjigjur ritmeve të shpejta të zhvillimit, duke zgjeruar instrumentat e qeverisjes demokratike vendore.

Gjatë bashkëbisedimit, u vlerësuan gjithashtu hapat e bëra deri tani në procesin e reformës së decentralizimit të pushtetit lokal, si dhe u theksua se kjo reformë duhet të thellohet në shërbim të progresit. Kryeministri u shpreh se reforma duhet të zbatohet në mënyrë krijuese dhe të jetë sa më bashkëkohore dhe funksionale, veçanërisht përsa i përket strukturave të cilat duhet të funksionojnë në mënyrë sa më dinamike, më të qëndrueshme, duke vënë theksin gjithashtu se ka ardhur koha te nderrmeren hapa ne funsksion te zgjatjes se afatit të mandatit të Kryetarëve të Bashkive dhe rishikimin strukturave të teperta vendore në këtë reforme.

Kryeministri mbeshteti nxitjen e koncepteve sa më moderrne e bashkëkohore për dinamizimin e tregut, zhvillimin e biznesit, rritjen e ndërtimeve, bashkëpunimin me komunitetin dhe biznesin, si dhe me njohjen dhe zbatimin e ligjeve të reja të miratuara për funksionimin e pushtetit lokal, sidomos për ligjin për legalizimet.

Gjithashtu, në takim u fol për rolin e administratës vendore fiskale dhe bashkëpunimin me administratën qëndrore,ecurine pozitive te deritanishme si dhe hapat për të shmangur sa më shumë evazionin fiskal, me qëllim gjithashtu qe bashkeveprimi ti sherbeje sa më mirë qytetarëve dhe biznesit.

Një pikë tjetër e rëndësishme që u trajtua me seriozitet në këtë takim ishte edhe angazhimi per zbatimin plotesisht te procedurave ligjore dhe kontributet e duhura mbi procesin e përgatitjes se listave të votuesve, si një process i rendesishem për zhvillimin e zgjedhjeve të drejta dhe të pakontenstuara.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke falenderuar Kryeministrin për këtë vizitë, e cilesoi ate si shume te rendesishme dhe te vleresueshme për Bashkinë e Tiranës. Ky takim, tha z. Rama, do të nxisë bashkeveprimin per iniciativa të reja, dhe dinamizimit te hapave per zhvillimin e kryeqytetit.

Kryeministri vizitoi më pas mjediset e Bashkisë,ku eshte ndalur dhe ka bashkebiseduar me ekspertet ne sallen e perpunimit te projekteve urbanistike.

Në sallën e Këshillit Bashkiak, zoti Nano la një shënim në Librin e Nderit të Bashkisë. Kryeministri shkroi se përgëzon kryetarin e Bashkisë, Edi Rama dhe ekipin e tij administrativ e drejtues, për menaxhimin bashkëkohor të autoritetit dhe juridiksionit që u jep ligji, për performancën në rritje dhe aftësitë konkurruese që shfaqin në konceptimin dhe zbatimin e projekteve të zhvillimit modern të Kryeqytetit dhe rritjen e vëllimit e cilesisë së shërbimeve publike për komunitetin e larmishëm kryeqytetas.

Duke ju pergjigjur interesimit te medias Kryeministri Nano u shpreh:

"Ashtu si ne në qeverisjen qendrore, edhe Edi Rama dhe ekipi i tij i shkëlqyer i administratorëve dhe drejtuesve të Bashkisë së kryeqytetit, po bejnë histori në Shqipëri dhe në Tiranë. Prandaj lash një dëshmi të kësaj historie në Librin e Nderit të Bashkisë, ku nuk kam ardhur si i huaj, sepse sot arritëm të konsolidojmë më mirë modelet dhe programet e bashkëveprimit me të cilat po transformojmë Shqipërinë dhe Tiranën së bashku.

Ndërtuam sot një konsensus më të gjerë për bashkëveprim më të orjentuar mes Qeverisë qendrore që drejtoj dhe autoriteve të Bashkisë së Tiranës, për të vazhduar dhe për të përshpejtuar reformat, për të zgjeruar instrumentet që konsolidojnë autoritetin e qeverisjes demokratike vendore. Më në fund, e vetmja notë politike që kam në shënimin tim është që këtë mund ta bëjnë vetëm liderë të progresit dhe integrimit si ne, përfaqësuesit e maxhorancës europeiste shqiptare. Faleminderit!".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›