E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin e Arsimit të Kosovës, Rexhep Osmani. Në fillim të takimit, Kryeministri Nano u shpreh se shtimi i kontakteve është mjaft i

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin e Arsimit të Kosovës, Rexhep Osmani.

Në fillim të takimit, Kryeministri Nano u shpreh se shtimi i kontakteve është mjaft i rëndësishëm pasi ato na nxisin të kuptojmë më mirë sesi duhet të vazhdojmë të kryejmë funksionet tona, në mënyrë që proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe të Kosovës të përshpejtohen.

Kryeministri Nano vlerësoi se identifikimi i hapësirave që duhen shfrytëzuar më mirë është i domosdoshëm për të njehsuar konceptet dhe për të zgjeruar hapësirat që shtojnë mundësitë e komunikimit midis nesh, që shtojnë mundësitë e shfrytëzimit të dy sistemeve arsimore të lartë për të nxitur përshpejtimin e diplomimit të kuadrove që do të drejtojnë shqiptarët në të ardhmen.

"Jam i bindur, tha Z.Nano, se kemi tashmë të njëjtin vlerësim për procesin e Bolonjës ku ne jemi të anëtarësuar dhe ju po vini, në mënyrë që ajo çka po bëjnë qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, ajo çka po bën komuniteti ndërkombëtar dhe UNMIK-u në Kosovë, për konsolidimin e standarteve për statusin të mbështeten edhe me programe për kualifikimin, arsimimin dhe trajnimin e resurseve shqiptare në funksion të objektivave të integrimit dhe të demonstrimit të dinjitetit tonë si partnerë me botën moderne".

Kryeministri Nano tha se do të ishte mirë që Shqipëria dhe Kosova të shfaqen me inisiativa të përbashkëta, ashtu siç komunikohet me vendet e tjera në Ballkan apo me qëndrat ku duam të kuptohemi si partnerë për integrim.

"Unë mendoj se mund të shtonim më shumë aktorë në kontakt, akademikë, profesoriat, më shumë studiues dhe specialitë të fushës së reformës arsimore të institucionalizmit të standarteve të arsimit të kohës, që do ta lehtësonte procesin e njehsimit të diplomave, i cili duhet të jetë i njëkohshëm me njohjen e diplomave që japin universitetet shqiptare edhe në vendet fqinjë edhe në vendet e BE-së", u shpreh Kryeministri Nano.

Ministri kosovar i Arsimit Rexhep Osmani falenderoi palën shqiptare për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim dhe për dhënien e ndihmës.
"Në mënyrë të veçantë, ky bashkëpunim ka marrë kuptim më të plotë me zhvillimin e vizitës suaj në Kosovë."

Ministri Osmani u shpreh se në fushën e arsimit, ne jemi në procesin e përgatitjeve të mekanizmit përcjellës për asociim në bashkësinë europiane, dhe jemi duke punuar në këtë drejtim dhe shtohet përgjegjësia jonë që përballë brezave të rinj, kërkesave të tyre, ne të angazhohemi për rritjen e disa standarteve, në fushën e programeve mësimore, teksteve, fushën e trajnimit të arsimtarëve, në mënyrë të vecantë në arsimin e lartë.

"Në këtë kuadër ne kemi nevojë të bashkëpunojmë, të shkëmbejmë kuadro, ekspertë, po ashtu kemi nëvojë për një vlerësim të punës së deritanishme, për të bërë të mundur plotësimin e standarteve të cilat do të bëjnë të mundur që edhe ne të bëhemi anëtarë të procesit të Bolonjës", u shpreh Z.Osmani

Kryeministri Nano i vlerësoi propozimet e Ministrit të arsimit me shumë interes kombëtar e mbarëkombëtar, ndërkohë që u shpreh se duhet të punohet që jo vetëm të ofrojmë shkëmbim përvoje midis dy komuniteteve dhe pjesëve shqiptare të juridiksionit respektiv, por edhe të nxisim një proces mbarëkombëtar të shfaqjes së aftësive tona për konkurim global, të shfaqjes së dëshirës sonë për integrim, mbi bazën e vlerave të një qytetërimi, të një kulture dhe të produkteve që po krijojmë me të njëjtët partnerë.

"Unë besoj se shpejtësitë e ndryshme, stadet e ndryshme të integrimit apo të partneritetit me faktorët e rëndësishëm që na asistojnë janë enë komunikuese dhe një hapësirë e mirëpritur për të nxitur më shumë shkëmbime midis Shqipërisë dhe Kosovës", u shpreh Z.Nano.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›