E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Unionit Serbi-Mali i Zi, z. Vuk Drashkoviç. Në fillim të takimit, të dy personalitetet vlerësuan

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Unionit Serbi-Mali i Zi, z. Vuk Drashkoviç.

Në fillim të takimit, të dy personalitetet vlerësuan hapat e ndërmarrë për vazhdimin e dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së Unionit Serbi- Mali i Zi. Në këtë funksion, Kryeministri Nano u shpreh se, Shqipëria ka shprehur qarte dhe pa ekuivok dëshirën për zhvillimin pa pengesa të marrëdhënieve dypalëshe me Unionin Serbi-Mali i Zi dhe një angazhim i tille buron nga politika konstruktive qe Shqiperia ndjek në rajon, si dhe nga vullneti për të kontribuar dhe marrë pjesë aktivisht në integrimin rajonal dhe atë euroatlantik.

"Kjo është një vizitë historike, si e para vizitë zyrtare e Ministrit të Jashtëm të vendit tuaj pas viteve '90 në Shqipëri- tha Kryeministri Nano duke shtuar se,- ne konstatojmë me kënaqësi se nuk ka kontestime në shoqëritë tona për sa i përket integrimit rajonal dhe europian". Ne jemi të gatshëm të ndërrmarrim sëbashku me ju një partnership serioz, theksoi Kryeministri.

Kryeministri Nano u shpreh më tej se ne duhet të dëshmojmë para aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që jemi të gatshëm të bashkëjetojmë paqësisht në rajonin tonë. Në këtë kuadër zoti Nano tha se shoqëria civile, sipërmarrësit etj. të cilët kanë vendosur kontakte dhe po i zhvillojnë ato kanë ecur përpara nesh.

Nga ana e tij Ministri i Jashtëm i Unionit Serbi- Mal i Zi duke marrë fjalën tha se: "Ne nuk mund të ndryshojmë të shkuarën historike por ne mund të ndryshojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Le të hapim një faqe të re në historinë e marrëdhënieve tona dhe kjo është arsyeja pse unë kam ardhur këtu. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me ju për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajon".

Kryeministri Nano dhe Ministri i Jashtëm i Unionit Serbi-Mali i Zi, ndanë të njëjtin mendim se kjo vizitë i shërben përpjekjeve te përbashkëta për marrëdhënie të mira ndërmjet dy vendeve, por edhe si tregues sinjifikativ se e kaluara nuk mund e nuk duhet te kondicionoje te ardhmen dhe vizionet e perspektivat integruese qe shtrihen para gjithe vendeve te rajonit.

"Të gjithë sëbashku duhet të synojmë të ecim përpara me hapa konkretë dhe të shpejtë", theksoi Kryeministri Nano, duke shtuar se "përpara na pret një bashkërendim përpjekjesh për të konkretizuar vullnetin historik dhe politik të bashkëpunimit".

Duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë, Kryeministri u shpreh se pas zgjedhjeve të fundit të mbajtura atje, të cilat u zhvilluan në përputhje me standartet demokratike, terminali i ardhshëm i qytetarëve të Kosovës është Brukseli sëbashku me të gjithë vendet e tjera të rajonit që po punojnë për integrimin.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›