Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin turk të Shëndetësisë z.Recep Akdag. Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano i uroi mirëseardhjen z. Akdag, si dhe s
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me Ministrin turk të Shëndetësisë z.Recep Akdag.
Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano i uroi mirëseardhjen z. Akdag, si dhe shprehu përgëzimet më të mira për suksesin e nisjes së negociatave me Bashkimin Europian vitin e ardhshëm.
Kryeministri theksoi se shëndetësia është një fushë e rëndësishme për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet dypalëshe për vendet dhe qeveritë tona.
"Ju falënderoj në emër të të gjithë atyre shqiptarëve që ju keni kuruar në klinikat turke, shpeshherë mbi kapacitetet e parashikuara në marrëveshjet tona", tha Kryeministri. Gjithashtu, zoti Nano vlerësoi edhe ndihmën e dhënë nga qeveria turke për shëndetësinë shqiptare.
"Ne po hyjmë në një fazë të rëndësishme të reformës në shëndetësi, sidomos për sa i përket sigurimeve shëndetësore, gjë që do të hapë tregun edhe për sektorin privat në kuadër të liberalizimit të kësaj fushe", u shpreh Kryeministri.
Duke marrë fjalën Ministri turk i shëndetësisë falënderoi Kryeministrin Nano për pritjen e ngrohtë, duke i shprehur konsideratat më të larta në emër të Kryeministrit turk Erdogan.
"Ne konstatojmë me kënaqësi ndryshimet e mëdha që ka bërë Shqipëria dhe arritjet e larta në fushën e demokracisë", u shpreh z. Akdag'.
"Jam i lumtur t'ju komunikoj që EXIM Bank është shprehur e gatshme të ofrojë 20 milionë dollarë për shëndetësinë shqiptare, në 2 faza, në bazë të projekteve që do të paraqesë pala shqiptare", tha z. Akdag, duke vijuar më tej se - në këtë vizitë unë shoqërohem nga biznesmenë dhe investitorë të rëndësishëm turq, të cilët nga ato që kanë parë e konstatuar në vendin tuaj shprehen të gatshëm për investime në sektorin e shëndetësisë farmaceutikë etj".
Më tej Ministri turk i shëndetësisë theksoi se kjo vizitë e suksesshme na motivon të punojmë më shumë sëbashku dhe të ndajmë përvojën tonë të suksesshme.