Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me z.Shenkal Atasagun, Shef i Shërbimeve Sekrete turke (MIT). Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi vlerësoi vizitën e zotit Atasa
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim me z.Shenkal Atasagun, Shef i Shërbimeve Sekrete turke (MIT).
Kryeministri Nano në fillim të këtij takimi vlerësoi vizitën e zotit Atasagun si një gjest të një bashkëpunimi akoma më cilësor dhe racional në marrëdhëniet mes dy shërbimeve sekrete. Kryeministri shprehu konsideratën për punën e deritanishme dhe marrëdhëniet mes shërbimeve sekrete të dy vendeve tona. Në këtë drejtim zoti Nano theksoi domosdoshmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në luftën kundër trafiqeve të lëndëve narkotike, të cilat kanë si burim Afganistanin dhe vendet e Lindjes në kufi me Turqinë dhe që më pas përdorin si kanale tranzite vendet e Ballkanit.
"Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, një lufte me tolerancë zero kundër krimit dhe një legjislacioni efektiv, mund të bëjmë të suksesshme operacionet tona në parandalimin e kriminalitetit, të cilat do të luajnë një rol mjaft të rëndësishëm edhe në garantimin e sigurisë dhe të stabilitetit në rajonin tonë, në kuadër edhe të forcimit të institucioneve dhe demokracisë gjithashtu, në një rajon që aspiron integrimin në botën moderne", tha Kryeministri Nano
Më tej bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion lidhur me nevojën e kooperimit më të ngushtë, për të ndjekur dhe parandaluar terrorizmin me origjinë fondamentaliste religjoze, atë ekstremist, apo me motive ideologjike. Gjithashtu, zoti Nano garantoi angazhimin e Qeverisë Shqiptare në luftën që ka ndërrmarrë kundër krimit të organizuar dhe elementeve që e mbështesin dhe e favorizojnë atë.
Mbi këtë bazë Kryeministri Nano orientoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në fushën e këmbimit të informacionit, por edhe të operacioneve të përbashkëta, që do ta bënin më efikas parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të elementeve apo grupeve kriminale që shfrytëzojnë territoret e dy vendeve tona.
Nga ana e tij, zoti Atasagun vlerësoi mbështetjen politike dhënë nga Qeveria Shqiptare dhe personalisht nga Kryeministri Nano, në këtë luftë të vështirë, por të domosdoshme. "Për ne është i rëndësishëm bashkëpunimi me ju, i cili është i ngushtë dhe e i suksesshëm", tha z. Atasagun. Shefi i Shërbimit Sekret turk ndau të njëjtën bindje për prioritetet dhe fushat e bashkëpunimit dhe e konsideroi si mjaft të rëndësishëm jo vetëm këmbimin e informacionit mes dy shërbimeve sekrete, por edhe bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën operacionale mes të dy vendeve.