E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria kërkon pengmarrësin e avionit

Shqipëria kërkon ekstradimin e pengmarrësit të avionit me 107 pasagjerë që fluturonte nga Rinasi në drejtim të Turqisë, Hakan Ekinçi. 

Trazhgim Sokolaj

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka firmosur urdhër-arrestin ndërkombëtar për 30-vjeçarin turk Hakan Ekinçi, i cili ndodhet në gjendje arresti në Itali. Menjëherë pas vendimit të gjykatës për shpalljen e tij në kërkim, Prokuroria shqiptare filloi procedurat për ekstradimin e shtetasit turk nga Italia, me qëllim gjykimin e tij në Tiranë për akuzën e "rrëmbimit të avionëve" dhe "kryerjen e veprimeve që përhapin panik". Në këtë hetim, Prokuroria po rimerr në pyetje gjatë këtyre ditëve të gjithë pasagjerët, që ndodheshin në avion në momentin e pengmarrjes. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, të cilat thanë se deri më tani kanë pritur vendimin e drejtësisë italiane, për shkak të diskutimeve të shumta rreth ekstradimit të 30-vjeçarit në Turqi apo gjykimit të tij në Itali për krimin që akuzohet se, ka kryer më 3 tetor 2006, kur rrëmbeu avionin e sapo ngritur nga Rinasi me destinacion Turqinë. Për këtë ngjarje që interpretohet të ketë ndodhur në hapësirën ajrore shqiptare, Prokuroria e vendit tonë kërkon ekstradimin nga Italia të Hakan Ekinçi dhe gjykimin e tij për akuzat e ngritura lidhur me pengmarrjen, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Në bordin e mjetit të transportit ajror ndodheshin plot 107 pasagjerë, shumica shqiptarë, kur Hakan Ekinçi hyri në kabinën e pilotëve dhe mori avionin në kontroll, duke urdhëruar ndryshimin e korsisë së fluturimit në drejtim të Italisë. Personazhi i konsideruar si "terrorist" në momentet e para të ngjarjes, përfitoi nga dera e hapur e kabinës së pilotëve dhe kërcënoi avionin duke thënë se, me vete kishte bashkëpunëtorë të tjerë të armatosur, të cilët ishin gati të vepronin nëse pasagjerët apo pilotët nuk i bindeshin kërkesave të tij. Gjithçka ndodhi në kohën kur avioni po fluturonte në një lartësi të madhe në hapësirën ajrore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Hetimet zbuluan se protagonisti i ngjarjes, po largohej me vullnetin e tij nga Shqipëria për shkak se leja e qëndrimit të tij në Tiranë, kishte përfunduar, ndërsa shtyrja e afatit të saj ishte refuzuar. Më pas u zbulua se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Hakan Ekinçi i kishte shkruar një letër Papës, ku i kërkonte ndihmë për strehim politik në Itali, duke deklaruar konvertimin e tij nga mysliman në kristian dhe largimin nga Turqia për shkak se, nuk dëshironte të kryente shërbimin ushtarak të detyrueshëm atje. Në kohën kur avioni ishte pothuajse jashtë kontrollit të pilotëve dhe kishte hyrë në një korsi fluturimi, që dukej se për destinacion kishte Italinë, nga baza ushtarake e Milanos janë ngritur dy gjuajtës F-16, të cilët kanë ndjekur avionin e kompanisë turke të fluturimeve, duke e detyruar të bënte ulje emergjente në aeroportin e Brindisit. Në këtë moment, pengmarrësi i avionit u arrestua nga policia italiane pas një aventure që nuk zgjati më shumë se tri orë, duke shkaktuar panik tek pasagjerët që ndodheshin në avion dhe tek familjarët e tyre, që mësuan menjëherë lajmin për rrëmbimin e mjetit të transportit ajror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›