Kryeministri: Mirënjohje NATO-s për besimin ndaj Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur dje anëtarësimin e Shqipërisë në NATO me rastin e dorëzimit në Departamentin e Shtetit të instrumentit të aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Ai e ka cilësuar këtë moment si një moment historik për vendin e gjithashtu si moment përgjegjësie të madh. Me këtë rast kreu i qeverisë ka shprehur mirënjohjen në emër të shqiptarëve ndaj të gjitha vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit lider të kësaj Aleance, për besimin më të madh që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, për besimin që dëshmuan ndaj tyre dhe vendit të tyre, besim ky që ishte përcaktues për finalizimin me sukses të këtij procesi. “Gjej rastin të përshëndes dhe të shpreh mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat i dhanë Shqipërisë, e cila vetëm 15 vite më parë ishte një nga 3-4 vendet më të varfra të planetit, ndihmën dhe mbështetjen më të madhe e më të gjithanshme, ndihmë dhe mbështetje që u shndërruan në faktor kryesor të ndryshimeve të mëdha që pësoi ky vend dhe që bënë të mundur që ai të përzgjidhet dhe të pranohet për vend anëtar të NATO-s”, - tha Berisha. Por në përshëndetjen e tij nuk kishte se si të mos zinte një vend të veçantë mirënjohja për SHBA-në dhe për dy presidentët e saj. “Një mirënjohje e veçantë në këtë proces i përket ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhorxh W. Bush, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit Obama dhe administratës së tij, pa mbështetjen e të cilëve ky proces do të ishte i pamundur. Por, gjithashtu, unë dua të shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim më të madh për të gjithë shqiptarët në tërësi dhe në veçanti për ata burra, gra, punonjës, ekspertë, politikanë që kontribuuan në reformat e mëdha që bënë të mundur këtë proces. Ishin reformat dhe vetëm ato, në veçanti reformat e këtyre katër viteve të fundit, që e shndërruan Shqipërinë në një vend anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, - përfundoi Kryeministri.