E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëria, më e sigurt për të ardhmen



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nga Kopenhageni, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, duke shtuar se sot të gjithë shqiptarët duhet të falënderojnë të gjitha vendet anëtare të Aleancës që mbështetën dhe ndihmuan Shqipërinë për të bërë realitet ëndrrën e saj euroatlantike. “Të gjithë ne duhet të shprehim sot shumë mirënjohjen ndaj aleatëve tanë, sidomos atyre tradicionalë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët na besuan në premtimin tonë integrues. Nga sot, të gjithë shqiptarët kanë më shumë detyra, angazhime dhe përgjegjësi, por kanë më shumë aleatë për t’i përballuar ato me sukses ato”. Presidenti vlerëson hyrjen në fuqi të MSA-së dhe e konsideron këtë çast si hapin me cilësor në institucionalizimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, administrative të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke krijuar një terren të sigurt për hapa të mëtejshëm drejt anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. “Shqipëria është sot shumë e sigurt për të ardhmen e saj euroatlantike dhe për rikthimin e saj përfundimtar në familjen e demokracive të mëdha euroatlantike”, - nënvizoi Presidenti i Republikës nga Kopenhageni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›