Berisha-Leigh, BE e hapur për vizat, garantohen zgjedhjet
Kryeministri Sali Berisha priti dje drejtorin e Përgjithshëm të Koordinimit dhe Zgjerimit në Komisionin Evropian, Michael Leigh, me të cilin diskutoi çështjen e integrimit të Shqipërisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, liberalizimin e vizave, si dhe standardet e reja pas hyrjes në fuqi të MSA-së. Berisha tha se garantoi Leigh se zgjedhjet do të jenë tërësisht të ndershme. “E sigurova Komisionin Evropian se qeveria ime është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, si qëllimi i saj i parë. Ndërkohë, unë e sigurova zotin Leigh se qeveria ime e koncepton kandidimin për anëtare të BE-së si një proces, i cili duhet të ndjekë të gjitha rregullat e procedurat dhe se Shqipëria e shqiptarët duhet t’u faktojnë të gjitha vendeve anëtare përkushtimin e tyre ndaj një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, të denjë për një komb e vend demokratik evropian”, - deklaroi Berisha. Njëkohësisht, Kryeministri tha se liberalizimi i vizave është në rrugë të mbarë. Nga ana e tij, drejtori Michael Leigh tha se kishte marrë garanci nga Berisha për zgjedhje të lira. “Në diskutimet tona sot ne biseduam edhe për zgjedhjet në Shqipëri dhe rëndësinë që kanë ato për ecurinë e mëtejshme dhe përparimin që do të ketë Shqipëria drejt BE-së. Për sa i përket anëtarësimit në BE, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të drejta është një parim kyç”, - tha Leigh. Sipas tij, misioni i BE-së në takimet me zyrtarët shqiptarë, do të jetë i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. “Po presim që të ketë ecuri të mëtejshme në muajt që do të vijnë, sidomos për çështje që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Për këtë arsye, në Shqipëri, gjatë ditëve të fundit patëm disa misione me ekspertë të shteteve anëtare të BE-së dhe pikërisht komisioni do të na japë raportet e tyre gjatë javëve në vijim”, - deklaroi ai.