KQZ: PS të caktojë komisionerët në Tiranë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i bëri thirrje dje Partisë Socialiste që të caktojë komisionerët në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor në Tiranë brenda datës 3 prill. Sipas tij, 1 prilli ishte vendosur si data për ngritjen dhe konstitutimin e 14 KZAZ-ve në qytetin e Tiranës, dhe në datën 2 prill konstituimin e tyre në qytetet e tjera të vendit. Në 11 KZAZ në kryeqytet nuk janë paraqitur ende komisionerët e majtë për të marrë në dorëzim materialet. Përfaqësuesi i PS-së në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Genci Gjonçaj, tha se gjithçka është teknike dhe premtoi se çështja do të rregullohet në afat. Gjatë mbledhjes së KQZ, Ristani u bëri apel partive politike dhe organizatave ndërkombëtare që kanë impakt në zgjedhje për plotësimin e standardeve të këtyre zgjedhjeve. “Pretendojmë të bëjmë zgjedhje brenda standardeve të kërkuara, me qëllim që ato t'i hapin rrugë Shqipërisë drejt Evropës, por ajo që po na ndodh është se KQZ braktiset dhe lihet vetëm në këtë rrugë drejt realizimit të qëllimit final”, - deklaroi Ristani.
Peqin, Berisha: Pas NATO-s, liberalizimi i vizave
Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, ishte dje pasdite në Peqin, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Pajovë–Belsh, një investim i buxhetit të shtetit prej 328 milionë lekësh. Kreu i qeverisë tha se kjo mazhorancë ka mbajtur premtimet dhe kërkoi votat e qytetarëve për projektin e katër viteve në vijim. “Ju ftoj të vazhdojmë rrugën së bashku, sepse kjo rrugë është drejt zhvillimeve të mëdha. Me alternativën time dhe të qeverisë që unë drejtoj, të koalicionit tonë, ne ju ofrojmë rrugë të reja, ura të reja, shkolla të reja, ujësjellës, kanalizime, urbanizim, treg për prodhimet tuaja etj.”, - u shpreh Kryeministri. Duke uruar qytetarët shqiptarë për ditën e madhe të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri siguroi se pas këtij akti do të vijohet me liberalizimin e plotë të vizave, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të udhëtojnë si qytetarë të lirë në mbarë Evropën. Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të pajisen me kartat e identitetit, si një dokument thelbësor për të votuar si qytetarë të Evropës.