E Diel, 1 Nëntor 2026

Oli Rehn: Shqipëria, pjesë e ndihmës prej 6.8 miliardë eurosh



Komisioneri i Zgjerimit në BE, Oli Rehn, përshëndeti dje hyrjen në fuqi të MSA-së me Shqipërinë, duke deklaruar se vendi hyn në një epokë të re. Sipas tij, pritshmëritë e Shqipërisë do të jenë në rritje. “Hyrja në fuqi e MSA-së shënon fillimin e një ere të re gjatë së cilës detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë – si edhe pritshmëritë për arritjet e saj – do të jenë më të larta se më parë. MSA-ja mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian paraqet një marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe detyrime të ndërsjella”, - deklaroi Rehn. Ai tha më tej se marrëveshja do të vendosë standarde të reja në jetën ekonomike të vendit. “MSA-ja përqendrohet te respektimi i parimeve kyçe të demokracisë dhe elementeve thelbësore të tregut të përbashkët të BE-së. Zona e tregtisë së lirë me BE-në dhe aplikimi i standardeve të BE-së në fushën e konkurrencës, rregullave të ndihmës shtetërore apo pronës intelektuale, së bashku me reformat e hartuara drejt përvetësimit të standardeve evropiane në fusha të tjera, do t’i japin Shqipërisë mundësinë t’i afrohet BE-së”, - shtoi Rehn.

Duke qëndruar tek përfitimet, ai bëri me dije se në tre vitet e ardhshme, pra nga 2009 deri në vitin 2012, BE-ja do të japë një fond prej 6.8 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë. Shqipëria do të përfitojë nga ky fond gjigand. “BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit nëpërmjet procesit të Stabilizim-Asociimit, politika e BE-së është për të ndërtuar bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor si edhe bashkëpunim rajonal. Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit janë përbërëse kyçe të këtij procesi. Në mbështetje të reformave të duhura, BE-ja vë në dispozicion Ndihmën e Para-anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, e cila do e kalojë shumën prej 6.8 miliardë eurosh për periudhën 2009–2012”, - deklaroi Rehn.

Në Tiranë do të mbahet konferenca e datave 2 dhe 3 prill, e cila do të përqendrohet tek përmirësimi i efektivitetit dhe ndikimit të kësaj ndihme nëpërmjet bashkërendimit të donatorëve. Rreth 200 pjesëmarrës të interesuar do të diskutojnë mbi përmirësimet e mundshme dhe koordinimin më të mirë të aktiviteteve të tyre. Qëllimi i konferencës është të evidentojë progresin e bërë në përmirësimin e koordinimit të donatorëve, shkëmbimin e përvojave më të mira, adresimin e mangësive që mbeten dhe dhënien e rekomandimeve praktike lidhur me përmirësimin e mëtejshëm të koordinimit të donatorëve dhe sigurimin e një shpërndarjeje efektive të detyrave ndërmjet donatorëve. Do të diskutohen masat konkrete në sektorët e arsimit, mjedisit dhe transportit, të cilat luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik-social dhe në integrimin evropian dhe rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Ndihma financiare e donatorëve ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë viteve 2005-2008 ka qenë rreth 20 miliardë euro. Konferenca e fundit e donatorëve u mbajt në tetor 2008 në Bruksel, me iniciativën e Komisionit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›