Basha: Do të rrisim trupat në Afganistan
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, mori pjesë dje në Konferencën Ndërkombëtare për Afganistanin, të zhvilluar në Hagë, Holandë. Në këtë konferencë, e cila u bashkëorganizua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, qeveria e Afganistanit dhe qeveria holandeze, morën pjesë mbi 80 delegacione të nivelit të lartë nga vende dhe Organizata Ndërkombëtare kontribuuese në misionet ndërkombëtare në Afganistan. Mesazhe të rëndësishme në mbështetje të qeverisë dhe popullit afgan u dhanë në këtë konferencë nga Sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara, Hillari Klinton, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana etj. Në fjalën e tij në konferencë, Basha shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare në kuadër të angazhimit ndërkombëtar në Afganistan. Duke iu referuar edhe takimeve të mëparshme ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Karzai, ministri Basha tha se përveç kontributit aktual në Afganistan, qeveria shqiptare do të rrisë numrin e trupave edhe me një kompani tjetër, si dhe do të ofrojë bursa studimi për studentët afganë dhe do të asistojë në forcimin e shoqërisë civile. Ministri Basha, sikundër dhe pjesëmarrësit e tjerë në konferencë, vlerësuan strategjinë e re të administratës amerikane për Afganistanin, si një kontribut i rëndësishëm në rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së bashkësisë ndërkombëtare në Afganistan. Basha u takua dhe bisedoi me ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Italisë, Suedisë, Australisë, Sllovakisë etj. Në fokus të këtyre takimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimi evropian i Shqipërisë.